Sht. Nën 23rd, 2024

Rama: E mbështesim plotësisht Kosovën në kërkesën e saj për njohje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk duhet humbur kohë dhe energji por duhet ulur për të zgjidhur problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rama ka thënë se e mbështet plotësisht Kosovën në kërkesën e saj për njohje por shtoi se kanë pikëpamje më ndryshe në mënyrën si të arrihet deri aty. Kryeministri i Shqipërisë, ka folur para gazetarëve derisa po qëndron në Slloveni në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit.

I pyetur nëse ka një mospërputhje në rritje midis autoritetit të Shqipërisë dhe të Kosovës sa i takon marrëdhënies me Beogradin, Rama ka thënë se janë pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi.

“Nuk ka një gjë të tillë si autoritetet shqiptare dhe kosovare por ka shqiptarë në Shqipëri dhe shqiptarë në Kosovë si autoritete të shteteve. Nuk ka mospërputhje. Natyrisht kemi disa dallime, çka është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje, por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si të arrihet aty. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi, duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë edhe njëherë e ka përmendur padrejtësinë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës me mos-liberalizimin e vizave.

“Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar, ndaj çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona. Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën midis Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Slloveni ku do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, projekt i qeverisë sllovene, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.

Rama do të jetë pjesë e panelit të liderëve që sivjet ka për temë diskutimi “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit. E ardhmja e BE dhe sistemi shumë palësh i marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Forumit do t’i adresohet përmes video-lidhjes edhe presidenti i Ukrainës. Volodymyr Zelenskyy.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *