Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq e cila po qëndron në veri të Republikës të Kosovës, ka kushtëzuar marrëveshjen Kosovë – Serbi me themelimin e asociacionit të komunave serbe, duke thënë se “nëse nuk ka asociacion nuk mund të bisedohet përmarrëveshjen e dytë për normalizim”. Ndërkohë që përsëriti pretendimet serbe se është Kosova ajo që duhet të angazhohet më shumë në dialog, pasi sipas saj, Serbia mbetet e përkushtuar për një gjë të tillë.
“Nuk e di sa është e mundur, unë jam optimiste nga natyra, por ajo që është sigurisht më e rëndësishmja në këtë moment apo për një kohë të gjatë, siç e kam thënë, është komuniteti i komunave serbe. Themelimi i bashkësisë së komunave serbe është baza e marrëveshjes së Brukselit, të marrëveshjes së parë për normalizim dhe derisa të mos e kemi asociacionin e komunave serbe është e pamundur të diskutohet në marrëveshjen e dytë për normalizim” tha ajo.
Derisa foli për dialogun, Bërnabiq në takimin me përfaqësues të Listës Serbe në qendrën mediale në veri te Mitrovicës tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është shumë i guximshëm për të gjetur kompromise për serbët në Kosovë.
“(Vuçiq) Është mjaft i guximshëm dhe mjaftueshëm përgjegjës që të përpiqet të gjejë kompromise për të siguruar një lloj sigurie për serbët në Kosovë. Është një dialog i rëndësishëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe për këtë kemi qenë gjithmonë të gatshëm dhe kjo është pse ne jemi gjithmonë të gatshëm për atë dialog, sinqerisht dhe thellësisht shpresoj që institucionet në Prishtinë më në fund do të angazhohen sinqerisht për atë dialog dhe për të gjetur një kompromis të caktuar që do të jetë i nevojshëm ose që është i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradi dhe Prishtina, dhe kjo është ajo që duhet, jo për shkak të integrimit tonë evropian, por për shkak të vetes sonë, unë po kthehem përsëri për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, që është paqja afatgjatë dhe stabiliteti afatgjatë”, tha ajo.
Ndërsa drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se prania e madhe e qytetarëve serbë në pritjen e Bërnabiq konfirmon emocionet e tyre për ardhjen e saj në veri të Kosovës.
Ai madje u shpreh me fjalët “mirëserdhe në në Kosovën tonë”.
“Në emër të popullit serb nga Kosova, ju përshëndes zyrtarisht dhe ju uroj mirëseardhje në Kosovën tonë. Populli serb po pret me entuziazëm ardhjen tuaj në Kosovë dhe mijëra njerëz që janë mbledhur këtu në veri të Kosovës konfirmojnë me çfarë emocioni populli ynë e mirëpret kryeministren tonë, e rëndësishme është se nuk po flitet vetëm këtu për vizitën e kryeministres së Republikës së Serbisë, këtu po flasim për praninë e shtetit të Serbisë në veri të Kosovës, dhe pikërisht kjo prani e fuqishme e shtetit tonë të Serbisë është diçka që popullit tonë këtu në Kosovë i duhet më shumë se sa buka dhe uji. Pra, kjo është një ditë e rëndësishme dhe e madhe për të gjithë ne, sepse falë presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres së Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabiq, kemi arritur të investojmë shumë mjete dhe t’i ngrisim mjediset serbe ashtu siç e meritojnë, dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë në periudhën e ardhshme”, tha ai.