Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku tha se mosgatishmëria e Qeverisë për dialog me sindikatat ka paralizuar gjithë sistemin arsimor.
Sipas Lushakut, Qeveria e Kosovës në vend se të dialogoj po krijon situata alarmante te qytetarët.
Lushaku në një konferencë për medie shtoi se, Qeveria Kurti është duke e komplikuar jetën e qytetarëve të Kosovës.
Lushaku thotë se ekzekutivi e ka në dorë buxhetin e shtetit dhe ka mundësinë që ofrojë zgjidhje për grevistët.
“Mësimdhënësit kanë kërkesa për Qeverinë të cilat i kanë bërë publike, por në anën tjetër kanë hasur në një mos-dëgjim nga ana e Qeverisë. Mos gatishmëria për një dialogim ka sjell paralizim në gjithë sistemin arsimor. Qeveria e Kosovës në vend se të dialogoj, krijuar një situatë polarizimi të skajshëm tek qytetarët, polarizim shoqërorë që e ka shfaqur përmes arrogancës së saj”, tha Lushaku, transmeton EO.
“Është paradoksale se si kjo Qeveri nuk po tregon një ndjeshmëri ndaj qytetarëve, ndaj nxënësve e ndaj prindërve, edhe në kohën kur kriza ekonomike është në kulmin e saj. Kjo Qeveri është duke e komplikuar jetën e qytetarëve, përderisa ajo është përgjegjësja kryesore, menaxhon me buxhetin publik të Kosovës dhe e ka mundësinë që të ofroj zgjidhje, vetëm se i duhet një gatishmëri për t’i dëgjuar mësimdhënësit”, tha Lushaku.