Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se sot në mbledhjen e qeverisë do të merret vendimi për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri.
Kështu ka njoftuar ajo pas vizitës në termocentralin “Kosova A”, ku ka folur edhe për kthimin e bllokut A3.
“Do të ndërmarrim dhe kemi ndërmarrë edhe disa hapa të tjerë. Një vendim i rëndësishëm i cili pritet të merret sot pas disa orësh në mbledhje të qeverisë është ndalimi i eksportit të peletit dhe lëndëve tjera djegëse me bazë druri, duke qenë se e kemi analizuar situatën në treg dhe kemi parë që ka një rritje të çmimeve që nuk arsyetohet me rritjen e kostos së prodhimit. Dhe nga ana tjetër kemi një mungesë të peletit në treg në krahasim me vitet e kaluara dhe në krahasim me nevojën. Andaj si hap i parë kemi vendosur që të ndalojmë eksportin e peletit dhe lëndëve djegëse të tjera me bazë druri”, ka thënë ajo.
MInistrj Rizvanolli ka bërë të ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pritet që shumë shpejt të sjellë për ratifikim Ligjin për Produktet Esenciale – rregullimin e çmimeve të produkteve esenciale në të cilën është përfshirë edhe peleti.