Presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Nju Jork është takuar me homologun e saj nga Estonia, Alar Karis, me të cilin ka biseduar mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.
Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.
Duke folur për dialogun me Serbinë, presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
Në raport me luftën në Ukrainë, Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa hezitim luftën e paprovokuar të Vladimir Putin kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit.