Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka bërë të ditur se këtë javë 25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin që sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetje.
Murati ka thënë se për të arritur një zgjidhje afatgjatë për skemat sociale e pensionale nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse.
“Për këtë, na duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore, që parasheh reformimin e skemave sociale, dhe krijon regjistrin social e integron sistemet, gjë që hap rrugë edhe për reformën e sistemit pensional. Prandaj për herë të tretë kemi dërguar këtë marrëveshje në Kuvend, duke llogaritur se kësaj radhe do të gjejë mbështetjen e nevojshme të 2/3 të deputetëve për tu ratifikuar”, ka shkruar ai.
Ndryshe, janë rreth 100 mijë persona përfitues nga skema sociale dhe mbi 200 mijë përfitues të pensioneve të moshës e kontributeve që po presin që kjo marrëveshje të kalojë.