Die. Nën 24th, 2024

Gërvalla-Schwarz takon homologen e saj nga Principata e Lihtenshtajnit, flasin për forcim të bashkpunimit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz takon homologen e saj nga Principata e Lihtenshtajnit Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Principatës së Lihtenshtajnit, znj. Dominique Hasler.

Ministrja e informoi homologen e saj nga Principata e Lihtenshtajnit rreth arritjeve të Republikës së Kosovës në fushën e reformave institucionale dhe zhvillimit ekonomik, si dhe e dënoi agresionin ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë.

Gjatë takimit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nënvizoi rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve lidhur me sfidat rajonale të sigurisë.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe për përcaktimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Ministrja Gërvalla-Schwarz theksoi se Principata e Lihtenshtajnit është partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës në Evropën Qendrore, si dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar edhe më tej miqësinë, partneritetin dhe bashkëpunimin me këtë shtet.

Ministrja Gërvalla-Schwarz e njoftoi ministren e Jashtme të Lihtenshtajnit për procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ministrja në takim theksoi se Republika e Kosovës shquhet për diasporë të integruar mirë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ministrja Gërvalla-Schwarz, vuri në dukje se diaspora nga Republika e Kosovës në Principatën e Lihtenshtajnit e forcon edhe më tej bashkëpunimin dhe vendosjen e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Ministrja e Jashtme e Principatës së Lihtenshtajnit, znj. Dominique Hasler, në takim shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e ekonomisë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *