Sht. Nën 23rd, 2024

Dyfishohen aktivitetet ushtarake mes Kosovës e Shqipërisë, Mehaj: Bashkë jemi më të fortë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është dyfishuar bashkëpunimi ndërushtarak.

Mehaj thotë se ky bashkëpunim ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve luftarake dhe mbështetëse luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kemi arritur që të dyfishojmë bashkëpunimin ndërushtarak, që ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Vetëm këtë vit, janë realizuar me dhjetëra stërvitje të përbashkëta ndërmjet njësive të forcave tokësore në nivelin taktik, prej skuadre, togu e deri te ai i kompanive për të kulmuar në proces, në të ardhmen e afërt, edhe në nivel batalioni/regjimenti”.

“Në këto stërvitje, për herë të parë, njësitet tona u trajnuan dhe operuan në stërvitje me mortaja të kalibrave 60 mm dhe 81 mm. Pastaj stërvitjet e shumta të njësive tona të forcave speciale për operacione speciale dhe operacione të forcave komando”.

“Krahas këtyre paralelisht janë realizuar edhe dhjetëra trajnime e stërvitje të shumta për komponentët tjera të mbështetjes luftarake dhe mbështetjes luftarake me shërbime”, ka thënë Mehaj.

Tutje, ministri thotë se për herë të parë që nga viti i kaluar kanë filluar edhe studimet e kadetëve në nivelin bachelor katërvjeçar në Shqipëri.

“Për herë të parë, nga viti 2021 kemi filluar edhe studimet e kadetëve tanë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në nivelin 4 vjeçar bachelor në shkencat ushtarake. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e nënoficerëve dhe oficerëve në shkollat profesionale komando-shtabore dhe ato të lidershipit ushtarak në institucionet arsimore ushtarake të Shqipërisë”.

Mehaj, mes tjerash, tregoi edhe për trajnimet mes ushtarëve duke shtuar se vetëm së bashku jemi më të fortë.

“Nga resurset tona, vëllezërve e motrave ushtarake të Shqipërisë u kemi ofruar trajnimet në kërkim-shpëtim urban dhe ata na kanë ofruar trajnimet në kërkim-shpëtim ujor dhe zhytje”.

“Ka edhe shumë aktivitete tjera në funksion të shkëmbimit të eksperiencave profesionale në detyrat e lidershipit pastaj ato të planifikimit shtabor për të gjitha fushat, krahas detyrave të komandimit të njësive të të gjitha formateve”.

“Bashkë me Gjeneral Jasharin dhe homologët tanë Ministrin Peleshi dhe Gjeneral Kingjin dhe gjithë zyrtarë e ushtarakë tanë jemi të përkushtuar që bashkëpunimin tonë ta thellojmë edhe më tej”.

“Këtë vizion e mbështesim në konceptin “smart defense”, me mbështetjen dhe koordinimin e plotë me aleatin tonë jetik SHBA-në, gjithnjë në funksion të përmbushjes së misioneve tona kushtetuese, dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendeve tona, rajonit tonë dhe botës liridashëse dhe paqedashëse. Së bashku gjithmonë jemi më të fortë!”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *