Die. Dhj 22nd, 2024

Presidentja në Austri, takon homologun e saj austriak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim pune në pallatin Hofburg nga presidenti i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Presidentja Osmani e ka përgëzuar presidentin Van der Bellen për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit të Austrisë, duke thënë se mezi pret hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy shteteve gjatë mandatit të tij të dytë.

Presidentja ka theksuar se Austria është partnere strategjike dhe aleate e popullit të Kosovës, duke e vlerësuar lartë përkrahjen e saj për rrugën euroatlantike të Kosovës, përfundimin e procesit të liberalizimit dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës e në organizata të tjera ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe situatën aktuale të sigurisë në Evropë. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Austrinë dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Presidentja shtoi se është me rëndësi që vendet demokratike të vazhdojnë t’i bashkërendojnë veprimet konkrete në mbrojtje të paqes dhe sigurisë dhe vlerave demokratike, duke theksuar nevojën që të mos tolerohen satelitët e Rusisë dhe tendencat e tyre destabilizuese në rajonin tonë.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka ritheksuar angazhimin e institucioneve të Republikës për dialogun me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke, si dhe në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të Kosovës.

Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi faktin se Kosova dhe Austria janë të bashkuara në qëndrimin ndaj luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe se njëkohësisht Kosova është 100% e bashkërenduar me BE-në në vendimet që lidhen me politikën e jashtme.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *