Die. Nën 24th, 2024

LAJME DITORE, E DIEL, 01.11.2020

Qeveria miraton masat e reja për mbrojtjen nga COVID-19

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për mbrojtjen nga COVID-19, në mbledhjen elektronike që ka mbajtur të dielën.
Në vendim hyjnë rregullat për gastronominë, tubimet, mësimin në shkolla dhe universitete, kontrollat në kufi, etj.
Më poshtë mund të lexoni vendimet:
1. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:
1.1 Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
1.2 Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
1.3 Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;
1.4 Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;
1.5 Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS;
1.5.1 Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë;
1.6 Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;
1.7 Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS-së, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;
1.8 Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.
2. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente.
3. Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafetëritë dhe të ngjashme në Republikën e Kosovës, u ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 , përveç shërbimeve “Merr me veti“ (Take aëay).
3.1 Brenda orarit të lejuar mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekte publike dhe private.
4. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim;
5. Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, si dhe çfarëdo forme tjetër organizimi ku ka grumbullim të njerëzve, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim;
6. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
7. Lejohet therja e kafshëve në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve.
8. Qytetarëve të Republikës së Kosovës u lejohet pjesëmarrja në ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në objektet fetare dhe jashtë tyre, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekt.
9. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët.
10. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimi për të respektuar distancën etj), në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19.
11. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave, Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30 % të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt.
12. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.
13. Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitetet individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirave, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.
14. Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me kapacitete të përgjysmuara të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin, për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.
15. Kërkohet nga të gjitha komunat të riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.
16. Për ushtrim të veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale, në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.
17. Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia.
18. Personave mbi moshën 65 vjeçare u lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00- 10:00 dhe 16:00-19:00. Jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.
19. Mësimi në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private, organizohet në formën online. Ndërkaq, provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen normalisht, por duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së.
20. Të gjitha qendrave tregtare në tërë territorin e Republikës së Kosovës u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
21. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.
22. Obligohen ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve,(Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare) me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdarë, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari ”.
23. Shtabet komunale për parandalimin e epidemisë, drejtoritë për shëndetësi dhe QKMF-të, do të mbikëqyrin deri në dy javë ecurinë e shëndetit të personave të infektuar dhe do t’i raportojnë në baza ditore në QRSHP- IKSHPK për aktivitetet e ndërmarra dhe për situatën në teren.
24. Komunat udhëzohen të shtojnë përpjekjet për realizimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake për të sëmurët kronik.
25. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së udhëzohet të liroj nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit të gjithë përfituesit e skemave dhe benificioneve që menaxhohen nga MPMS.
26. Konviktet dhe mensa e studentëve punojnë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.
27. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, përfshirë menaxhmentet e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e masave për mbrojtjen nga COVID-19, ndaj tyre organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
28. Ky vendim do të vlerësohet brenda dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike, dhe do të vlej deri në një vendim tjetër.
29. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë nr.01/32 datës 25/09/2020..

Keto masa hyn ne fuqi nga neser

Shtatë të vdekur nga COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, 337 të infektuar të rinj

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë regjistruar shtatë vdekje të reja nga koronavirusi në Kosovë. Ndërsa, brenda 24-orëve, janë infektuar 337 persona me COVID-19, .
IKSHP-ja tutje ka njoftuar se janë shëruar edhe 91 pacientë. Deri më tash, numri i rasteve pozitive në Kosovë është 20 mijë e 179, 688 të vdekur dhe 15 mijë të shëruar. Raste aktive janë 3 mijë e 880.
Rastet pozitive janë nga: Prishtina 185 raste, Gjakova 41 raste, Fusha Kosovë 26, Lipjani 16, Podujeva 16 raste, Drenasi 7, Skenderaji 7, Obiliqi 6 raste, Mitrovica 5, Malisheva 4, Prizreni 4, Rahoveci 4, Deçani 2 raste, Dragashi 2, Ferizaji 2, Klina 2 raste, Suhareka 2, Vitia 2, Vushtrria 2 raste dhe me nga një rast komunat Pejë dhe Junik..

Dështon zbardhja e vjedhjes së kasafortës në AUV, asnjë i arrestuar deri më tani

Janë bërë nëntë ditë prej kur ndodhi vjedhja e kasafortës brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në të cilën ndodheshin mbi 1 mijë e 500 euro para të gatshme, mbushje të telefonit e dokumente të rëndësishme.
Përkundër kohës së kaluar, organet e rendit nuk kanë arritur ta kapin asnjë nga personat e dyshuar për kryerjen e kësaj vjedhjeje, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Express se në bashkëpunim me policinë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të këtij rasti.
Ndërkohë, Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka treguar për Express se çka saktësisht ka pasur në arkën e vjedhur.
“Arka metalike në momentin që është vjedhur ka pasur brenda para në vlerë 1,523.58 euro (njëmijepesëqindenjëzetetre euro e pesëdhjetedy eurocentë), dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro). Po ashtu, aty kanë qenë të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore). Këto plane shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes, apo defekteve teknike që paraqiteshin. Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, ka deklaruar Thaçi.
Tutje, ai ka thënë se si pasojë e hyrjes me forcë, janë dëmtuar dritarja dhe tri dyer të zyrave
Në gjithë këtë skandal, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka supsenduar vetëm një zyrtar të policisë.
Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor në fjalë, nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.
“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, është thënë në njoftimin e IPK-së.

Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, nga nesër kalon online,

Nga nesër me datë 02 nëntor Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga mësimi i rregullt kalon në mësim online.
Në njoftim bëhet e ditur fillimisht mësimi online do të mbahet deri më datën 06 nëntor.
Njoftimi i plotë:
Nga nesër me dt. 02/11/2020 sipas rekomandimeve nga IKSHPK kalojmë në mësim nga distanca (online).
Orari për aplikime të zhvillimit të mësimit është orari zyrtar i dt 14/09/2020 ( kur ka filluar viti i ri shkollor)
Për mësimdhënësit mësimi online organizohet nga shtëpia nga dt.02/11/2020 deri me dt.06/11/2020 sepse jemi në fazën finale të rregullimit të internetit në çdo klasë dhe shpresojmë që nga dt.09/11/2020 që të gjitha klasët do të pajisen me internet dhe mësimdhënësit kthehen nga shkolla për mbajtjen e mësimit.
Ora zgjatë 30 minuta sipas rekomandimeve të MASH.
Mbesim fuqishëm të përkushtuar që të ndjekim ritmin e filluar dhe të përmbushim obligimet që kemi…..

Edhe 42 persona i shtohen listës së veteranëve të luftës

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, listës së përfituesve të pensionit të veteranit të luftës i janë shtuar edhe 42 persona.
Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë për Kohën se që nga viti i kaluar vetëm 4 personave u është ndërprerë pensioni me vendime gjyqësore.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale “Në dhjetor të vitit 2019 në listën e përfituesve nga skema e veteranëve të luftës kanë qenë 38 mijë e 101 përfitues, kurse aktualisht (tetor 2020) janë 38 mijë 143 përfitues”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së, raporton KOHA
Numrat e veteranëve po vazhdojnë të rriten, pavarësisht se për këto lista janë hapur një varg procesesh gjyqësore.
Për legalizim të përmbajtjes së rreme dhe falsifikimi të dokumenteve, që kanë të bëjnë me rastet e përfitimit të kundërligjshëm të statusit të veteranit, hetime është duke bërë Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjilanit, Pejës dhe ajo e Ferizajt, ku kanë ngritur edhe aktakuza.
Ndërsa, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit edhe pse kanë pranuar më shumë se 170 kallëzime penale, për asnjë rast deri më tash nuk është ngritur aktakuzë.
“Gjatë vitit 2019 nga policia e Kosovës kemi pranuar 171 kallëzime penale kundër 171 personave për shkak të veprës: falsifikimi i dokumenteve nga neni 398 dhe veprës penale legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 të Kodit Penal të Kosovës, 04/L-082, të cilat janë regjistruar në regjistrin PP në Departamentin e Përgjithshëm. Po ashtu, 2 raste të tjera të pranuara janë të regjistruara në regjistrin PPN/I në Departamentin e Krimeve të Rënda. Të gjitha këto raste, në përjashtim të një rasti për të cilin janë pushuar hetimet, janë në punë. Nga data e pranimit e gjerë më sot, nuk është ngritur asnjë aktakuzë për rastet e tilla”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit, Gjykata Themelore në Prishtinë është duke i gjykuar 12 persona, por sipas Ehat Miftarajt nga IKD-ja, procesi po zvarritet.
“Nëse marrim për bazë afatet kohore për të cilat është dashur të kryhet ky rast, atëherë jemi shumë vonë. Në anën tjetër, një praktikë e mirë është te Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Pejë të cilat në njëfarë mënyre si duket kanë filluar t’i tregojnë sukseset e para në trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë shumë efikase dhe duke pasur edhe aktgjykime dënuese në këto raste”, ka thënë Miftari.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga pagesat e kundërligjshme për veteranët e luftës, buxheti i Kosovës është dëmtuar për rreth 68 milionë euro.

MOTI

Të henen parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 7 deri 17 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 12-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 20179.Të Shëruar: 15611. Të vdekur: 688
www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *