Sht. Nën 23rd, 2024

Në magjistralen Mitrovicë–Leposaviq vendosen pika kontrolli për të garantuar qarkullimin e lirë

Policia e Kosovës ka njoftuar se, menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i Policisë së Kosovës dhe se janë duke u bërë përpjekje maksimale për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës.

“Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarët policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë.

Policia po ashtu, falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe në ofrimin e informatave relevante, si dhe raportimin e rasteve për adresimin e tyre me profesionalizëm dhe në të mirë të gjitha komuniteteve pa dallim.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *