Die. Nën 24th, 2024

LAJMET DITORE, E MARTË 03.11.2020

Vjosa Osmani takon kryetarët e komisioneve parlamentare, diskutohet Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën

Të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të cilat ndërlidhen me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht plani për mbikëqyrjen e integrimit në BE 2020-2021, ishte tema e takimit të sotëm të kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, me kryetarë të komisioneve parlamentare.
Duke folur për procesin e integrimit evropian si prioriteti politik më strategjik për Kosovën, si dhe për mbështetjen unanime që qytetarët e Kosovës i japin këtij procesi, kryeparlamentarja Osmani tha se Kosova dhe BE kanë marrëdhënie të ngushta dhe të çmuara, ndërsa nga viti 2016 edhe marrëdhënie kontraktuale. Megjithatë, Osmani tha se Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa të drejtë të lirisë së lëvizjes në Zonën Shengen.“Procesi i integrimit në BE është një maratonë, për të cilin duhet një vullnet i hekurt. Tani, ne do ta rrisim fokusin tonë në ushtrimin e funksionit kryesor të Kuvendit – mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera“, theksoi Osmani.
Ajo inkurajoi drejtuesit e komisioneve që të trajtojnë të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit, si dhe të planifikojnë realizimin e tyre.
Kryetarët e komisioneve parlamentare, nga ana e tyre, takimin e sotëm e konsideruan të një rëndësie të veçantë, përderisa shprehën përkushtimin për të trajtuar me seriozitet rekomandimet e adresuara nga raporti i KE-së.
Ata u angazhuan për një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, në planifikimin dhe realizimin me sukses të këtyre rekomandimeve.

Tetë të vdekur dhe 334 raste me COVID-19 sot në Kosovë

Tetë persona kanë vdekur dhe 334 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit me COVID-19 në Kosovë.
Sipas njoftimit nga IKSHPK-ja janë testuar gjithsej 1.621 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Numri total i rasteve pozitive është 20.989 raste nga 98.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 705 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 81 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.722 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.562.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 157 raste, komuna Gjilan 37 raste, komuna Pejë 26 raste, komuna Prizren 20 raste, komuna Fushë Kosovë 13 raste, komuna Mitrovicë 13 raste, komuna Gjakovë 8 raste, komuna Obiliq 8 raste, komuna Suharekë 8 raste, komuna Vushtrri 8 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Rahovec 6 raste, komuna Deçan 4 raste, komuna Drenas 3 raste, komuna Novobërdë 3 raste, komuna Ferizaj 2 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Lipjan 2 raste, komuna Podujevë 2 raste, komuna Skenderaj 2 raste, komuna Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Kaçanik dhe Malishevë.

Në mesin e të vrarëve në Vjenë, edhe një shqiptar nga Struga

Në mesin e të vrarëve nga sulmi terrorist në Vjenë, është edhe një shqiptar nga Struga. Këtë e ka bërë të ditur ish-politikani Bardhyl Mahmuti përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit, i njëjti është Nexhip Vrenezi nga Veleshta e Strugës.
“Popullit austriak, popullit shqiptar dhe familjarëve të viktimave u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për goditjen nga ky akt monstruoz. Në veçanti i shpreh ngushëllimet e mia familjes Vrenezi nga Veleshta për humbjen e djalit dhe familjes Kaba nga Veleshta për humbjen e nipit”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka dënuar sulmin në Vjenë nga ku mbetën të vrarë katër persona.
“Ky akt terrorist dëshmon për faktin se verbërimi me ideologjinë religjioze nuk njeh as përkatësi kombëtare, as prejardhje shtetërore. Ky verbim religjioz ka për qëllim të terrorizojë të gjithë ata që mendojnë ndryshe! Prandaj lufta kundër kësaj dukurie që ka mare përmasa globale është luftë globale që tejkalon përkatësitë etnike, kombëtare, shtetërore ose fetare si të tilla”, ka shkruar ai.

Një i plagosur e pesë të lënduar në një përleshje në Fushë Kosovë

Një person është plagosur me armë zjarri dhe pesë të tjerë janë lënduar, dy prej të cilëve policë, gjatë një përleshje fiyike në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për KOHË-n zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se policia e ka marrë informacionin rreth orës 14:00 për një sulm ndaj personave zyrtarë.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit ndërsa nga përleshja fizike lëndime trupore kanë pësuar 5 persona prej tyre dy zyrtarë policor. Të gjithë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka shtuar se hetuesit kanë shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar si dhe në koordinim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin .

Limaj e quan Daçiqin , këlysh të Milosheviqit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga deputetët që të bëhen bashkë për t’ia drejtuar një letër Parlamentit Evropian, Bashkimit Evropian dhe shteteve të fuqishme që të kërkojnë nga Serbia ndriçimin e fatit të të pagjeturve Të Kosovës.
Sipas tij, debati i sotëm duhet të shërbejë për të ngritur alarmin ndaj partnerëve ndërkombëtarë, për të parë edhe një herë se me çfarë shteti kanë bashkëbiseduar deri më tani.
Në debatin që po zhvillohet këtë pasdite në Kuvendin e Kosovës, në emër të Grupit Parlamentar të Nisma-AKR, Limaj tha se ka qenë një konsensus i heshtur për të fshehur krimin.
“Kjo ka ndodhur në tavolinën e udhëheqësve shtetërorë të një shteti, i cili siç thash është kandidat për BE… Mos harroni, kreu shtetëror, drejtësia serbe me proces verbal shkon, me gjyqtarë hetues, me prokurorë, e mbajnë proces verbalin duke e fshehur krimin e dhjetëra njerëzve të vrarë në Danub, duke i paraqitur gjoja se janë refugjatë kurd e tentojnë të ikin në Rumani”.
Ky debat i sotëm parlamentar, Limaj tha se është t’ia ngritur edhe vetëdijen Parlamentit Evropian, se kujt i kanë dhënë kandidaturën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Limaj shtoi tutje se kryetari aktual i Kuvendit të Serbisë, ka kërcënuar dhe ka punuar për të fshehur krimin i cili është bërë në Kosovë.
Për këtë arsyeje, ai potencoi se është e domosdoshme që deputetët të bëhen bashkë dhe t’i drejtohen Parlamentit Evropian dhe BE-së dhe shtetet e fuqishme me një letër, për ndriçimin e fatit të mbi 1600 civilëve shqiptarë për të cilët edhe pas dy dekada nuk dihet fati i tyre.

MOTI

Të merkuren parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 10 deri 19 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 16-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 20989.Të Shëruar: 15722. Të vdekur: 705
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *