Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinion publik, se në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave.
Shtatë (7) prej tyre akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i të drejtës së votimit e sanksionuar me nenin 213 të KPRK-së dhe Vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes, e sanksionuar me nenin 336 të KPRK-së, kurse një person akuzohet për veprën penale Kanosje nga neni 181 të KPRK-së.
Në mesin e të akuzuarve janë: Sh. G. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, T.Sh. zyrtar në Komunën e Pejës, K. B., M. B., D.B, Sh.Sh., S.B. dhe K.Gj.
Të pandehurit akuzohen se gjatë zgjedhjeve të datë 14 shkurt 2021, kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, duke keqpërdorur sistemin e votimit me postë. Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit kanë keqpërdorur kopjet e letërnjoftimeve dhe të drejtën e votës për 71 qytetarë të cilët jetojnë në Austri, duke votuar në emër të tyre në procesin zgjedhor.
Ky veprim kriminal i grupit të të pandehurve ka pasur për qëllim sigurimin e votave për kandidatin – të pandehurin Sh. G., megjithatë, i njëjti nuk ka siguruar vota të mjaftueshme për të marr mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.