Policia e Kosovës ka marrë në pyetje një qytetar serb për rastin e sulmit ndaj një kameramani dy muaj më parë në veri të vendit.
Siç raporton portali në gjuhën serbe “Kossev”, i ndaluari është I.M, i cili është ndaluar mëngjesin e sotëm në stacionin policor në Jarinje.
Policia e Kosovës në një përgjigje për këtë portal po ashtu kanë thënë se pas përfundimit të seancës dhe procedurave policore, me vendim të prokurorit rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Po ashtu, për këtë rast për Kossevin ka folur edhe avokati i të ndaluarit Nebojsha Vlajiq, i cili ka thënë se ai ishte ndaluar nga autoritetet kosovare derisa ishte duke shkuar për Beograd.
Vlajiq ka pretenduar se autoritetet e Kosovës pa bazë e lidhin atë me sulmin ndaj një gazetari shqiptar që ndodhi dy muaj më parë në afërsi të Krashit në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai thotë se në lidhje me këtë rast e kanë marrë në pyetje policët.
“Ai nuk ka asnjë lidhje me atë rast”, tha Vlajiq, duke shtuar se deklarata e klientit të tij është e vërtetë dhe se nuk ka asnjë provë që mund të tregojë këtë.
Vlajiq ka thënë për portalin se prokurori ka thënë se rasti është duke kaluar në procedurë të rregullt dhe se I.M pas marrjes në pyetje është liruar dhe më pas ka vazhduar rrugën.
Kameramani u sulmua në nëntor të 2022-ës.