Në pasditen e sotme dyshohet se një grua rreth 30-vjeçare është gjetur pa shenja jete në hollin e katit të dytë të një ndërtesë në rrugën “Ferat Dragaj” në Breg të Diellit, afër lokacionit të njohur si “Furra Qerimi”, ka mësuar Nacionale nga autoritetet e vendit.
Epiket e urgjencës kanë qenë ato që e kanë konstatuar vdekjen e kësaj gruaje. Por ende mbetet mister shkaktari i vdekjes.
Detaje për këtë rast ka dhënë shefi i Urgjencës Avdyl Pacolli.
AI ka thënë se viktima ka qenë e mbuluar me gjak.
“Bëhet fjalë për një person të gjinisë femërore, diku 25-30 vjeçare. Në momentin kur ekipa ka shku e ka gjetur atë pa shenja jete. E ka gjetur në hollë të banesës. Në hollë të katit të dytë, të banesës. Ekipa mjekësore me të konstatuar vdekjen e ka thirr shërbimin policor. Gjakderdhje ka pasur, por që plumb diçka nuk më thanë ekipa. Protezat jashtë gojës, po masa gjaku po”, ka thënë Pacolli.
Ndërkohë, Policia e Kosovës më herët ka raportuar po ashtu për këtë rast.
“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar të shtrirë në afërsi të një objekti në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.
Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër).
Aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit.” – tha Flora Ahmeti nga Policia.