Kardiokirurgu Kushtrim Shala kishte postuar në faqen e tij në Facebook një operacion të kryer, të cilin e kishte cilësuar si operacion të rrallë e të suksesshëm.
“Për herë të parë në QKUK në kardiokirurgji kemi realizuar operacionin David, tek një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.. Operacionet e tilla komplekse kryhen kryesisht në qendra te mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës”, kishte shkruar kardiokirurgu Shala, në postimin e tij, ku këtë ndërhyrje e ka paraqitur si një sukses të jashtëzakonshëm.
Por pas disa orësh, pacienti i cili doli nga ky operacion, të cilin kardiokirurgu e kishte cilësuar si të suksesshëm, kishte vdekur.
Këtë e ka konfirmuar për “IndeksOnline” dhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj, i cili tha se do të ndërmerren masa, ndaj mjekëve të cilët e kishin kryer këtë operacion. Brahimaj madje ka pohuar se mjekët që e kanë kryer ndërhyrjen, nuk janë kompetentë, pasi që për një ndërhyrje të tillë duhet të kenë përvojë të gjatë dhe ekspertizë.
“Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo është hipokrizi. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla, sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Duhet të bëhet një vlerësim i rastit. Së pari është e ndaluar me rregullore të SHSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa “, ka thënë Brahimaj.
Brahimaj po ashtu ka pohuar se gjendet në pushim dhe se posa të kthehet së bashku me drejtorinë e SHSKUK-së, do të merren me rastin dhe se do të merren masa.
“Ata kanë licencën e kardiokirurgut dhe ne nuk mund t’i ndalojmë të kryejnë operacione ose të iu tregojmë se cilat operacione t’i kryejnë, por duhet të shikohet rasti dhe të merren masa. Pacientët mund të vdesin nga komplikime edhe në rastet më të lehta, por në këtë rast është kryer një procedurë nga persona jo kompetent ”, ka thënë Brahimaj.
Megjithëse “IndeksOnline” ka tentuar të marrë një përgjigje nga kardiokirurgu Kushtrim Shala, i cili e ka kryer këtë ndërhyrje, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi që Shala nuk i është përgjigjur “IndeksOnline”, në pyetjet që i janë drejtuar Dr.Shalës.