Die. Nën 24th, 2024

A është shtyrë çështja e njohjes reciproke Kosovë – Serbi, flasin analistët

Kryeministri Albin Kurti para zhvillimeve të fundit në veri, deklaronte se deri në pranverën e vitit 2023 do të ketë një njohje reciproke Kosovë- Serbi.

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale. Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, që është ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, kishte deklaruar Kurti.

Zhvillimet në veri, barrikadat, sulmet e arrestimet, kanë bërë që një njohje e mundshme të dalë në “plan” tjetër.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për gazetarin Tim Judah, është shprehur skeptik se në këtë kohë, pas tensioneve të fundit në veri, Serbia mund ta njohë Kosovën.

“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundit ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen””, rrëfen Judah, duke parafrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier,

Analistët politikë thonë se deklarata e tij ka kuptim për shkak të gjendjen momentale, e jo për shkak të dialogjeve të pa frytshme të mëparshme. Sipas tyre, qeveritë e pas luftës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe apetitet e Serbisë janë të mëdha.

“Burgosja e Pantiqit mollë sherri”

Skënder Mulliqi, analist politik ka thënë për “Bota sot”, se presidenti serb i ka menduar paraprakisht barrikadat për qëllimet e caktuara politike.

Sipas tij, Serbia e Rusia kanë apetite për ndarje të Kosovës, duke grabitur pjesën më të mirë të saj, me pasuri të mëdha nëntokësore, që më parë nuk ju kishte lejuar Millosheviqit t’i grabitë me luftë.

Pushtetet e pas luftës, sipas Mulliqit, kanë bërë gabime të mëdha me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të dëmshme

“Barrikadat serbe në veri të Kosovës, të cilat qëndruan mbi dy javë , po tregohen së ishin barrikada më qëllime të caktuara politike. Këto barrikada edhe pse u vunë nga strukturat kriminale serbe, sikur gjeten përkrahje edhe të faktori vendimarrës ndërkombëtar. I kemi deklarime që ishin pro, të Lajqak e Borrell. Duket se u hoqën pas një marrëveshje politike, për të lënë bishtin mbrapa. Zatën presidenti serb, Aleksader Vuqiq, i kishte menduar mirë paraprakisht të gjitha, për të tërhequr Listën Serbe dhe policët serbë nga institucionet e Kosovës. Burgosja e Pantiqit sikur u bë mollë sherri, për të qitur kushte Qeverisë tonë, që ai të lirohet e pastaj, do të hiqeshin barrikadat. Kështu edhe ndodhi. Barrikadat u hoqën ngadalë më marrëveshje duket politike, por jo edhe pa kushte. Dihet së Serbia dhe Rusia kanë apetite për ndarje të Kosovës, duke grabitur pjesën më të mirë të saj, me pasuri të mëdha nëntokësore, që më parë nuk ju kishte lejuar Millosheviqit, t’i grabitë me luftë. Pushtetet tona të pasluftës bën gabime të mëdha më nënshkrimin e disa marrëveshjeve të dëmshme, siç ishin Demarkacioni më Mal të Zi, dhe Asociacioni më komptenca ekzekutive, e që kjo e fundit po kërkohet të implementohet nga BE-ja si marrëveshje ndërkombëtare që është.”, ka deklaruar Mulliqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për median vendore të enjten, ka thënë se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.

Ai rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij.

E kohëve të fundit plani franko-gjerman për Kosovën nuk përmendet, sipas Mulliqit, është shkas i barrikadave dhe trysni mbi Kosovën për implementimin e Asociacionit.

“Në kohën e fundit është larquar plani franko-gjerman për Kosovën, ku nuk parashihet njohja e ndërsjellë , por që ka një plan bazë që proceset të dërgohen përpara. Thuhet se kjo marrëveshje ndër të tjera përmban planin që Serbia mos të pengon inkuadrimin e Kosovës në OKB, për të pasur rrugën e lirë pastaj në inkuadrim në BE. Plani franko-gjerman të cilin nuk po e pranon Serbia dhe ngjarjet e fundit më barrikada në veri, janë trysni mbi Kosovën që të implementon Asociacionin e komunave më shumicë serbe. Nga këto zhvillime të proceseve është bazuar më duket mua edhe deklarimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, cili në intervistën dhënë Tim Judah, ka thënë së “qëllimi përfundimtar është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen”. Por, që Hovenier duke iu referuar marrëveshjes franko-gjermane ka deklaruar se mund të jetë një hap i përkohshëm drejt njohjes së dy shteteve”, ka pohuar Mulliqi.

Duke folur edhe rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, Mal të zi dhe Bosnjë, Mulliqi është shprehur se proceset kanë lidhshmëri njëra me tjetrën, por fati i Kosovës është në duart e shtetit dhe të Amerikës.

“Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnje, ku Serbia dhe Rusia e Putinit po kërkojnë vatra të reja të krizës, pasi që Putinit po i rrëshqet dheu nën këmb në luftë më ukrainasit. Të gjitha këto procese kanë lidhshmëri njëra me tjetrën, se po tentohet zhvendosje e krizës edhe me luftë në rajon, të bazuara në idetë shoviniste të Botës serbe dhe të Botës ruse. Bota demokratike është koha e fundit që t’i stopojë këto plane gllabëruese serbo rusomëdha në Ballkan. Unë mendoj së fati i Kosovës është në duar tona dhe të Amerikës mike, ku kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim i ngushtë për të gjitha temat .Të jemi të qartë së Serbia dhe Rusia, qëllimin e kanë ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Gabim do të jetë nëse dikush mendon së do të ndalën apetitet serbo –ruse në rajon. Ata kanë për qëllim final daljen në Detin Adriatik përmes Malit të Zi, shkëputjen e Republika Serpska nga BH-ja, dhe daljen në portin e Durrësit, çka bukur shumë është duke ia mundësuar kryeministri, Edi Rama, më idenë e Ballkanit të Hapur, e cila, pak gjë dallon nga idetë e botës serbe dhe botës ruse. Është mirë për Kosovën më duket që të përqafohet plani franko –gjerman, i cili siç e tha edhe Hovenier, mund të jetë një hap i përkohshëm drejt njohjes së dy shteteve”, ka theksuar Mulliqi.

Arsyeja pse Serbia nuk e njeh Kosovën

Ndërsa, Sulejman Mehazi, analist politik, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogu Kosovë- Serbi nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese të barrikadave serbe, por shumë vite më parë.

Sipas tij, inatet nacionaliste shoviniste njëzetë vjeçare serbe, nuk pajtohen me njohjen e Kosovës.

“Edhe pse Ambasadori i SHBA-ve, Jeff Hovenier, i cili në intervistën me gazetarin, Tim Judah, ështe skeptik për shkak tensioneve në veri thotë, zor se do ketë ndonjë marrëveshje të shpejtë dialogues në mes Kosovës dhe Serbisë. Deklarata e ambasadorit amerikan më shumë e ka kuptimin e momentales së ngjarjeve tensionuese të ndodhura në veri të Kosovës, e jo të dialogjeve të pafrytshme të mëparshme, se ky dialog i Kosovës me Serbinë nuk ka filluar me ngjarjet tensionuese të barrikadave serbe, por shumë vite më parë, që nga koha e Millosheviqit e gjer më sot, dialogun Serbi-Kosovë kurrsesi nuk e pengojnë ngjarjet e fundit në veri, sikurse që thotë ambasadori amerikan, Hovenier, por inatet nacionaliste, shoviniste njëzetvjeçare serbe që kurrsesi nuk pajtohen me njohjen e Kosovës, sa e sa vite më parë delegacionet kosovare e serbe janë takuar paqësisht në Bruksel pa pasur kësi tensione kërcënuese barrikaduese serbe, por asgjë nga dialogu përfundimtar”, deklaron Mehazi.

Tutje, ai ka shtuar se skeptika dyshuese e ambasadorit nuk do të thotë se është edhe diskurs i SHBA-ve në raport kundër Kosovës e në të mirë të Serbisë.

Sipas tij, qëndrimet bindëse e parimore të kryeministrit të Kosovës kundër kompromiseve të dëmshme me Serbinë do të përshpejtojnë dialogun.

“Skeptika dyshuese e ambasadorit amerikan nuk do të thotë se është edhe diskurs i SHBA-ve në raport kundër Kosovës e në të mirë të Serbisë. Përkundrazi, qëndrimet bindëse e parimore të kryeministrit të Kosovës kundër kompromiseve të dëmshme me Serbinë do përshpejtojnë dialogun, vetëm situatat tensionuese dhe qëndrimet e Kurtit kundër kompromiseve do ofrojnë dialogun përfundimtar. Administrata e Shtëpisë së Bardhë e SHBA-se ndaj Kosovës është e qartë dhe ndryshon fare nga një ambasadori i SHBA-së, Hovenier. Duhet thënë edhe këtë se gazetari, Tim Judah, flet në vetën e tretë me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, e jo me gojën e ambasadorit amerikan në vetën e parë. Paralajmërimet e dialogut Kosovë-Serbi vijnë edhe nga binomet evropiane franko-gjermane për njohje reciproke të dy shteteve fqinje Kosovë-Serbi në muajin mars”, përfundon Mehazi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *