Die. Nën 24th, 2024

NGJARJET E DITËS, E PREMTE 06.11.2020

Shtatë komuna në karantinë për vikend, përfshirë Prishtinën

Pos vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndaloi veprimtarinë e shumë bizneseve në vend për vikend, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një vendim tjetër, për shtatë komuna ku gjendja paraqitet më e rëndë me COVID-19.
Qytetarët në komunat Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtimje nuk do të mund të kenë hyrje dalje.
Masa do të vlejë nga ora 20.00 e së premtes deri në orën 05.00 të së hënës.
“Pas vendosjes së masave nga Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 01.11.2020, me vendimin Nr.01/39, me rishikim brenda dyjavësh të situatës epidemiologjike, edhe në këtë javë kemi rritje të përshpejtuar të rasteve pozitive me COVID-19, andaj me qëllim të mbrojtjes së popullatës nga COVID-19 dhe shmangies së lëvizjeve të qytetarëve, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së, vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetimin e MSH-së.
Ministria ka bërë paralajmërim se çdo komunë tjetër që hyn në zonën e kuqe të infeksionit për kokë banori, do të karantinohet.

Mbyllet Kosova për fundjavë si masë anti-COVID

Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në kompetencat e deleguara me Ligjin për luftimin e COVID-19 si dhe Ministri i Shëndetësisë kanë ndërmarrur masa të përgjithshme dhe masat e veçanta anti covid-19.
Masat e përgjithshme janë si në vijim:
1. Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomise (restoranet, kafiterite dhe të ngashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 dt. 06/11/2020 (e Premte ) deri më dt. 09/11/2020 9 (e Hene) në orën 05:00, përveç:
1.1 furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
1.2 institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale;
1.3 për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 të (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë – shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);
1.4 operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit.
2. Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi.
3. Obligohet Policia e Kosovës të bëjë kontroll rigoroz në zbatim të masave, vendimeve dhe ligjit Nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës;
4. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës;
5. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Ministri i Shëndetësisë.
Ndërsa Vendimet për masat e veçanta në shtatë Komuna: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimen janë si në vijim:
Ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020, në Komunën e Prishtinënë , Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit , Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes, përveç:
Personelit shëndetësor dhe personelit të sigurisë;
qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë);
operatorëve ekonomik dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit;
kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike;
Obligohet Policia e Kosovës në çdo hyrje/dalje të bëjë kontroll rigoroz për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19;
Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Çdo komunë tjetër që hynë në zonë në të kuqe të infeksionit për kokë banori (sipas hartës), do të ketë masë të njejtë !.

12 viktima e 728 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Njoftimi nga IKSHPK:
1827 TESTIME, 60 TË SHËRUAR DHE 728 RASTE ME COVID-19!Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.827 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 728 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (80, 74 dhe 57 vjeç), Gjilan 2 raste (81 dhe 73 vjeç), Prishtinë 2 raste (86 dhe 81 vjeç), Fushë Kosovë 1 rast (59 vjeç), Gjakovë 1 rast (85 vjeç), Mitrovicë 1 rast (78 vjeç), Obiliq 1 rast (79 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (67 vjeç).
E gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 60 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.981 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.221.

“Masat e sotme nuk nënkuptojnë ndalim të lëvizjes së qytetarëve, por lëvizje të kontrolluar”

Statusi nga Ministri i shendetesise Armend Zemaj:

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Masat e reja janë për të mirën e secilit prej nesh, janë për të mirën e shëndetit publik dhe për ta ruajtur vendin nga gjendja e jashtëzakonshme. Masat e sotme nuk janë bllokim i shtetit, por lëvizje e kontrolluar me rigorozitet, pra, nuk nënkupton ndalim të lëvizjes së qytetarëve, aty ku është e domosdoshme”, ka shkruar Zemaj.

OVL-UÇK: Nuk do të ketë protesta, për shkak të koronavirusit…

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë vendosur se kur do të organizojnë protestë për të kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe arrestimet e ish-udhëheqësve të UCK-së, e kjo për shkak të rritjes së rasteve pozitive me Covid19. Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj organizate, i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës pezullimin e dialogut me Serbinë.
Faton Klinaku i cili po e drejton Organizatën e Veteranëve të Luftës në mungesë të kryetarit Hysni Gucati, tha se veteranët janë të revoltuar për zhvillimet e fundit nga Specialja, dhe mënyrën e bastisjes.
“Këshilli Drejtues shprehu revoltën lidhur me situatën e krijuar edhe në kohën kur janë arrestuar Gucati dhe Haradinaj por edhe në kohën e arrestimeve të djeshme e pardjeshme, sidomos me spektaklet që po i bëjnë Prokuroria apo Gjykata Speciale, së bashku me Policinë e EULEX-it. Këshilli Drejtues ka dal me disa konkluzione, njëra prej tyre është që protesta do të analizohet sepse ne i pamë sot që gjatë kohës së mbledhjes numri i rasteve me Covid19 ishte mbi 700, kishte edhe 12 të vdekur dhe na autorizuan neve si kryesor që të konsultohemi me IKShP-në që edhe nëse mbahet protesta të mbahet në një kohë më të përshtatshme”, tha ai.
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të OVL-UÇK, Klinaku tha se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë të gjitha aktivitetet që lidhen me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Këshilli Drejtues kërkon nga politika e Kosovës që duke pasur parasysh që pjesëtarët e UÇK-së që ishin gjatë kohës së luftës që ta çlirojnë vendin dhe duke pasur parasysh që ka pasur bisedime me Serbinë, kërkoi që të pezullohen bisedimet sepse, sidomos gjatë kohës së kësaj Gjykate Speciale,. Mund të ndodhin kompromise të dhimbshme për Kosovën, dhe kërkoi që të pezullohen bisedimet Kosovë-Serbi”, tha ai.
E Pren Marashi, anëtar i Këshillit Drejtues tha se Serbia gjithmonë ka bërë propagandë për të ndarë shqiptarët në fe.
“Sa i përket propagandës, asaj të Serbisë e cila është e njohur tani e 100 vite ka bërë propagandë e tendenca për ndarje fetare, në UÇK kjo absolutisht nuk ka qenë asnjëherë prezent, sepse e dëshmon edhe fakti që një numër i madh ka qenë i eprorëve ushtarak të konfesionit katolik, sepse nuk mund të themi që katolik, sepse janë shqiptar, çështja e besimit është çështje personale, ndjenja kombëtare është një dhe unike dhe shqiptarët janë shembull në botë”, tha ai.
Ndërsa lidhur me kërkesën e OVL-UÇK për të dërguar Kushtetuese ligjin për Dhomat e Specializuara, Klinaku tha se deri tani kanë takuar deputetët e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe deputetë nga 6+, ndërsa janë në pritje të takimit edhe me deputetë të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Dhomat e Specializuara: Thaçi del para Gjykatës më 9 nëntor

Specialja ka dhënë detaje për paraqitjen e parë të ish-presidentit të vendit para Tribunalit Special.
Në njoftimin e Speciales, thuhet se Thaci do të dalë para Dhomave të Specializuara me datë 9 nëntor në ora 15:00..Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Një ditë para dorëheqjes, Thaçi fali dy të burgosur në rastin “Bllaca”

Një ditë para dorëheqjes së tij, ish-Presidenti Hashim Thaçi ka nxjerrë dekret për falje të dënimit ndaj pesë të burgosurve.
Thaçi ka falur Shpresim Ukën dhe Bekim Sylën, të dy të akuzuar për rastin “Bllaca”, të parin me 4 vjet e të dytin me 3 vjet e gjashtë muaj.
Uka është dënuar me 15 vjet burg në vitin 2012 për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë, ndërsa u arrestua në vitin 2015 pasi ishte në arrati.
Uka është përmendur fillimisht në një video-incizim të Nazim Bllacës, i cili në nëntor të 2009-s deklaroi publikisht se kishte marrë pjesë në vrasje, keqtrajtim dhe veprime kriminale në rreth 17 raste pas luftës në Kosovë.
E, Bekim Syla është dënuar me 12 vjet burg në po të njëjtin vit, por vetëm në vitin 2017 ka arritur të bie në prangat e Policisë së Kosovës. Syla ishte pjesë e Rastit “Bllaca II”, që ishte vazhdimësi e “Bllaca I”, në të cilin, Fahredin Gashi qe dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Salih Gashit, vrasje që u klasifikua si krim i luftës. “Bllaca II” filloi në shtator të 2011-s për të përfunduar në dhjetor të 2012-s. U mbajtën mbi 40 seanca, nën akuzë ishin 6 persona: Shpresim Uka, Shaban e Bekim Syla, Driton Hajdari, Sadik Abazi dhe Fahredin Gashi.
Bekim Syla, Sadik Abazi e Shpresim Uka më 17 dhjetor 2012 u patën shpallur fajtorë nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, se në bashkëkryerje me dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca kishin vrarë Ibush Kllokoqin.
Veton Gjoshi, i dënuar me 12 vjet burg pasi u shpall fajtor në vitin 2018, është i akuzuar për vrasje të trefishtë në një lokal në Gjakovë në gusht të vitit 2016.
Gjoshi u dënua me 11 vjet burg për vrasje dhe 1 vit për armëmbajtje pa leje.
Më 26 gusht 2016, rreth orës 16:40, në kryqëzimin e rrugës “Sylejman Hadum Aga” dhe “Shefki Shasivari”, saktësisht në lokalin “Deep Bar”, ishin privuar nga jeta Zef Krasniqi, Valon Islamaj dhe Ali Islamaj. Sipas Prokurorisë, kjo vrasje e trefishtë, e cila kishte ndodhur në “Çardhinë e Vjetër” në Gjakovë, ishte motivuar nga hakmarrja. Të dyshuarit kishin qëlluar me dy armë nga vetura e tyre “Skoda” me ngjyrë të zezë dhe të njëjtit ishin dorëzuar pas gjashtë muajsh në Polici.
Safet Haliti është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg për tentim vrasje. Sipas aktakuzës, Safet Haliti, Valbone Zeneli dhe Zelfije Haliti, akuzohen se më 21 shtator 2016, në bashkëkryerje dhe me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin, Faruk Spahiu. Sipas aktakuzës, Haliti pas një konflikti me të dëmtuarin Spahiu, ka shtënë me armë në drejtim të tij duke e goditur në gjoks dhe në disa pjesë të trupit, me ç’rast nga lëndimet e marra i dëmtuari ka rënë në tokë, kurse të akuzuarat Valbone dhe Zelfije Zeneli, ia kanë drejtuar revolen të dëmtuarit dhe e kanë goditur me shqelma në kokë. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në shtator të 2017-s, Safet Haliti e kishte pranuar fajësinë para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Sipas dekretit të nxjerrë, Thaçi ka vendosur t’ia falë dy vjet Veton Gjoshit që vuan dënimin në po këtë qendër, tre vite e gjashtë muaj Bekim Sylës i cili është në Burgun e Sigurisë së Lartë, katër vite Shpresim Ukës në po të njëjtin burg, gjashtë muaj Safet Halitit i cili vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe dy vjet Ilir Morinës i cili vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, e për të cilin nuk janë gjetur informata lidhur me akuzën ndaj tij.

MOTI

Të shtunen parashikohet mot me diell . Temperaturat do të levizin nga 1 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-24 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 22934.Të Shëruar: 15981. Të vdekur:732

www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

***Shtatë komuna në karantinë për vikend, përfshirë Prishtinën***Mbyllet Kosova për fundjavë si masë anti-COVID.***12 viktima , 728 raste të reja me COVID-19 e 60 të sheruar në Kosovë.***“Masat e se premtes nuk nënkuptojnë ndalim të lëvizjes së qytetarëve, por lëvizje të kontrolluar”thotë Ministri Zemaj***OVL-UÇK: Nuk do të ketë protesta, për shkak të koronavirusit.***Dhomat e Specializuara: Thaçi del para Gjykatës më 9 nëntor.***Një ditë para dorëheqjes, Thaçi fali dy të burgosur në rastin “Bllaca”.***Moti:Të premten parashikohet mot me diell. Temperaturat do të levizin nga 1 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-24 gradë celcius***COVID-19 NË KOSOVË:Total raste: 22934.Të Shëruar: 15981. Të vdekur: 732.***www.rtvarberia.com.***Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *