Die. Nën 24th, 2024

Ekonomisti Avdiaj, në 2023 pritet të ketë rënie të inflacionit, Qeveria të rris pagat në sektorin privat

Ekonomisti, Besnik Avdijaj, në një intervistë për IndeksOnline ka folur për ekonominë e vendit dhe çka po e pret Kosovën në vitin 2023.

Ai ndër tjerash theksojë se Kosova nuk po e hap vitin 2023 me një situatë të kënaqshme.

“Ky vit e gjen Kosovën në një situatë jo të kënaqshme, ashtu siç do të kishim të gjithë dëshirë të shohim në çdo fushë, në çdo sferë, veçanërisht në aspektin ekonomik. Viti që lamë pas ka pasur një ndikim tronditës në ekonominë e vendit tonë, për shkak të situatës me krizën ekonomike që është shkaktuar prej shumë faktorëve. Kryesisht faktorët që ndërlidhen me pandeminë dhe situatës së konfliktit të luftës në Ukrianë”, bëri të ditur ai.

Avdijaj ka thënë se për shkak të çmimeve të larta të importit reflekton detyrimisht në çmimin e lartë të shitjes së produkteve.

“Për fatin tonë, deri diku mund të them të keq, ekonomia jonë është bazuar kryesisht në konsum, këtë e dëshmon importi shumë i lartë i produkteve të konsumit që vjen prej vendeve dhe BE-së, dhe si rezultat edhe inflacioni është inflacion i importuar për shkak të çmimeve të larta të furnizimit, detyrimisht reflektojnë në çmimet e larta të shitjes. Shto këtu shpenzimet e transportit dhe shpenzimet e tjera që dërgon deri tek një çmim vazhdimisht në rritje”, tha ai.

“Është mjaftueshëm 12-24 muaj që ekonomia të fillojë të marrë veten për shkak se shumë prej palëve të afarizmit arrijnë që brenda kësaj periudhe t’i ndryshojnë zingjirët e tyre të furnizimit, kur them që zingjirët e furnizimit nënkupton që kemi rastin si në Gjermani që deri vonë ka pasur një varshmëri të gazit, të naftës nga Rusia ka arritur të ndërmarrë vendime drastike duke i ndaluar ato”, shtoi ai.

Avdijaj për fund tha se vitin 2023 pritet të ketë një rënie të vogël të inflacionit. Sipas tij, qeveria duhet të rris pagat e sidomos në sektorin privat, që në këtë mënyre qytetarët e Kosovës mos të ndikohen nga inflacioni.

“Edhe ky vit do të paraqitet më sfidë për shumë qytetarët dhe shumë biznese në gjysmën e parë të këtij viti, por veç sa ka filluar krijimi i një qëndrueshmërie nga situata e krizës nga fundi i vitit që lamë pas. Çmimet e derivateve kanë pasur një rënie të konsiderueshme, por në vijimësi pritet që të ketë një rënie, nuk po them rënie e madhe e produkteve të konsumit por gradualisht do të këtë një lloj balancimi, po shpresoj që krahas këtij balancimi të presim edhe një rritje të pagave, sidomos në sektorin privat”, tha Avdijaj.

Bëjmë të ditur se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth 96 biznese janë mbyllur në vitin 2022, por për shkak të procedurave të ndërlikuara dhe të tej zgjatura për shuarjen e biznesit ka edhe prej tyre që janë mbyllur por zyrtarisht nuk janë të deklaruara si të tilla

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *