Biden zgjidhet president i ri i SHBA-së
Joe Biden është presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas projeksioneve kryesore të zgjedhjeve në SHBA nga Associated Press dhe CNN.
77-vjeçari ka fituar në Pennsylvania 20 vota elektorale të shtunën për të kaluar pragun fitues prej 270 votash, për t’u bërë presidenti i ri i SHBA-së.
Ende pa përfunduar numërimi në disa shtete, Bideni ka arritur në vlerën e 284 votave elektorale, sipas AP-së. Trumpi ende është në 214.
Kandidati demokrat ka mposhtur presidentin Donald Trump, i cili që nga dita e zgjedhjeve është ankuar për “mashtrime”.
Bideni kishte shërbyer si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamas..
Trumpi refuzon të pranojë humbjen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se të hënën do t’i drejtohet Gjykatës lidhur me humbjen e tij në këto zgjedhje.
Ky hap i tij vjen pas rezultateve të së shtunës që thonë se kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar garën për president të SHBA-së.
12 të vdekur e 491 raste të reja me COVID-19 në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se në 24 orët e fundit në Kosovë 12 persona me COVID-19 kanë vdekur.
Derisa janë regjistruar 491 raste të reja me COVID-19 nga 1,137 testime të bëra, transmeton .
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (72, 69 dhe 64 vjeç), Gjilan 3 raste (69, 66 dhe 65 vjeç), Prishtinë 2 raste (të dytë 79 vjeç), Drenas 1 rast (64 vjeç), Ferizaj 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (78 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (67 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 23.425 raste nga 104.976 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 744 raste të vdekjes.
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 66 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.047 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.634”, thuhet në njoftim.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 215 raste, komuna Gjilan 57 raste, komuna Pejë 31 raste, komuna Fushë Kosovë 25 raste, komuna Gjakovë 23 raste, komuna Podujevë 21 raste, komuna Mitrovicë 17 raste, komuna Prizren 17 raste, komuna Vushtrri 12 raste, komuna Viti 11 raste, komuna Deçan 8 raste, komuna Lipjan 8 raste, komuna Skenderaj 8 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Kamenicë 7 raste, komuna Obiliq 7 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Istog 5 raste, komuna Rahovec 3 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Ferizaj dhe Shtime.
Tetë vdekje nga COVID-19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit
Tetë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 495 raste të reja të infektimit me COVID-19, ku janë kryer 1927 testime.
MSH-ja njofton se janë shëruar edhe 141 pacientë, ndërsa që nga fillimi i pandemisë, Shqipëria ka regjistruar 23 mijë e 705 infektime.
Mbyllja bizneseve u shkakton dëme 10-15 milionë euro në ditë
Mbyllja e veprimtarive të bizneseve për dy ditë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ekonomisë së vendit i kushton nga 10 deri 15 milionë euro në ditë, sipas komunitetit të biznesit në Kosovë.
Pas një takimi me përfaqësues të bizneseve, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se masat e marra nga Qeveria i konsiderojnë si të domosdoshme, por është ankuar se për to s’janë konsultuar fare.
“Masat janë të domosdoshme, por kemi një problem me masat e fundit që ishin të pakoordinuara dhe pakonsultuara me komunitetin e biznesit, edhe pse në masë të madhe e prekin këtë komunitet. Janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në vend. Nga këto masa janë prekur këto biznese. Do të kenë dëme në shifra që mund të mbërrijnë deri në 10-15 milionë brenda një dite”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Rukiqi është ankuar po ashtu se këto mjete nuk do të shpenzohen më në Kosovë as në ditët në vijim për shkak se shumë qytetarë kanë dalë në shtetet e rajonit për të kaluar fundjavën.
Si problem të dytë ka thënë se e shohin lajmërimin e vonshëm të masave. Qeveria të premten pasdite njoftoi se bizneset do të mbyllen nga e premtja në mbrëmje deri të hënën në mëngjes. Po ashtu futi në karantinë shtatë qytete.
Komuniteti i biznesit e ka vlerësuar të vështirë implementimin e këtyre masave, pasi sipas tyre s’ka pasur asnjë interpretim nga autoritetet se cilat janë markete të vogla, që sipas vendimit, lejohet të punojnë. Rukiqi është ankuar për produktet që rrezikojnë të mbesin pa afat e për ato që nuk është e lehtë të ruhen në stok.
Për problem të katërt ka thënë se Kosova s’po ndjek shembujt e shteteve të tjera të botës ku për çdo masë që mund të dëmtojë ekonominë, merret në të njëjtën kohë një masë e stimulimit financiar.
E premtja ishte dita më e rëndë sa i përket rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë. Për 24 orë në vend ishin regjistruar 728 raste të reja. Të premten vdiqën 12 persona si pasojë e COVID-19, me të njëjtën shifër të të vdekurve edhe të shtunën. Me 491 rastet e reja të së shtunës, në vend aktualisht janë 6634 raste aktive.
Si pasojë e koronavirusit, në Kosovë kanë vdekur 744 persona.
“Tepër të papjekur” Hoti e Mustafa nuk flasin për cilësimet e Ramush Haradinajt
Mbrëmë Ramush Haradinaj i quajti si tepër të papjekur kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetarin e LDK’së Isa Mustafa pse këta dy kundërshtuan kërkesën e tij për pezullim të dialogut shkaku i konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin dhe zhvillimeve nga Specialja, shkruan Gazeta Express.
Haradinaj në KlanKosova tha se Avdullah Hoti duhet të pezullojë dialogun deri në një rivlerësim të gjendjes.
“Mundesh me pezullu dialogun deri në një kohë të caktuar, deri në një vlerësim të gjendjes tënde, gjendjes me aleatët, deri në në plotësim të disa kërkesave që mund t’i kesh, ndoshta mundesh me marrë njohjen e pesë vendeve të BE’së. Një sjellje e tillë nuk është në rregull as e Hotit e as e Mustafës, duhet me u sjellë si shtet”, ka thënë Haradinaj.
Hoti dhe Mustafa që para disa javesh kishin pasur përplasje virtuale me kreun e AAK’së për tema të tjera kësaj radhe kanë vendosur të heshtin përballë cilësimeve te Haradinajt.
Dje edhe ministri i AAK’së, Selim Selimi në mbledhjen e qeverisë kërkoi që të ndërpritet dialogu me Serbinë menjëherë, por shefi i tij Avdullah Hoti kundërrshtoi kërkesën e Selimit duke i thënë se dialogu nuk mund të ndërpritet.
“Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej juve duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, ka thënë Hoti.
BE-ja pret vazhdim të dialogut, në Kosovë me qëndrime të kundërta
Aktakuzat e fundit nga Gjykata Speciale dhe kundërshtitë për themelimin e Asociacionit nuk pritet të pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi.
Pavarësisht dallimeve brenda koalicionit, Qeveria Hoti nuk sheh asnjë arsye të mos e vazhdojë bashkëpunimin me BE-në për zhvillimin e dialogut me shtetin fqinj. E qasje të tillë nga ekzekutivi për vazhdimin e dialogut po pret edhe vet Brukseli zyrtar.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqëria civile e shohin si të paqartë vazhdimësinë e dialogut me Serbinë. Madje në partinë e Albin Kurtit thonë se në këto rrethana politike procesi i dialogut nuk guxon të udhëhiqet nga kryeministri Hoti.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për KP thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vend.
“Dialogu, pas rinisjes së tij në muajin korrik, përsëri po vazhdon dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Udhëheqësit e të dyja palëve – presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti konfirmuan (në një̈ deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësinë më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga BE. Duke e pasur të qartë këtë angazhim të përbashkët dhe kuptimi i përparësive, është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën evropiane”, u shpreh Stano.
Në linjë të njëjtë me këtë të fundit është edhe Qeveria e Kosovës që përmes zëdhënëses së saj, Antigona Baxhaku, thotë se nuk ka arsye për pezullim të dialogut.
“Në dialogun Kosovë – Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosova merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë. Kryeministri Avdullah Hoti vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ajo.
Por pezullim të menjëhershëm të dialogut po kërkon partneri qeverisës i kryeministrit Avdullah Hoti.
Ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se dialogu duhet të ndërpritet deri në një rrethanë tjetër politike.
“Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Për më shumë, Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet dhe dëshmitë e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit që u pa edhe në media dhe përderisa nuk bën të qartë që UÇK nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale e Republikës së Kosovës është e shprehur”, tha Selimi.
E mos vazhdim të dialogut nga kryeministri Hoti po kërkon deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili thotë për KosovaPress, se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga një qeveri që del nga vota qytetare pas zgjedhjeve të reja.
“Hoti nuk është person kredibil për të udhëhequr një proces të tillë. Kjo për shkak të faktit se ajo që përfaqëson ai, është një qeveri jostabile që nuk ka unitet përbrenda. Plus i mungon kredibiliteti dhe fuqia politike për të drejtuar Kosovën në një ballafaqim të rëndësishëm sikur ky i dialogut me Serbinë. Sido që të vazhdojë ky proces ne mendojmë që ai nuk guxon të drejtohet nga një person që i mungon legjitimiteti, i mungon kredibiliteti politik dhe se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë një qeveri legjitime e dalë nga një votë qytetare”, thotë ai.
Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se pala kosovare duhet të ketë pozicion të qartë se pa njohje reciproke me Serbinë nuk do të ketë dialog.
“E ardhmja e dialogut është goxha e paqartë duke pasur parasysh se objektivat për Kosovën dhe Serbinë nga ana e BE-së janë të paqarta. Nuk është e sqaruar mirë se çka nënkupton normalizimi, nuk është sqaruar mirë se cila do të jetë përfundimtarja e dialogut. Pasi nga ana jonë është thënë se duhet njohje reciproke, në anën tjetër Serbia e ka referuar këtë duke futur asociacionin si temë kryesore dhe e dala kryesore nga ky proces që ata dëshirojnë të marrin më shumë. Në kontekstin kosovar këto kritika që i bëhen BE-së besoj që duhet t’i faturohen edhe vetë koalicionit qeverisës, duke marrë parasysh se ka munguar një platformë e qartë se ku dëshiron të mbërrihet me dialogun. Cilat janë temat që duhet të preken, apo jo dhe cila është ajo minimalja dhe maksimalja që pritet nga dialogu. Nuk duhet të amnistohet dhe roli i BE-së dhe paqartësitë e saj në këtë proces. Qeveria e Kosovës është dashur të ketë një pozicion të atillë ku duhet të bëjë një lloj lobimi dhe presioni tek Gjermania dhe Franca ndër të tjera. Të tregohej pozicioni ynë se pa njohje reciproke ky dialog nuk mund të vazhdohet më tej”, thotë Fetahu.
Gjykata Speciale të enjten konfirmoi aktakuzën për disa prej ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ndërsa, një ditë më parë u arrestua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Krahas kësaj, dialogu me Serbinë ka hasur vështirësi edhe në themelimin ose jo të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Derisa pala serbe ka tentuar të kushtëzojë vazhdimin e dialogut në zbatimin e kësaj teme, qeveria kosovare ka insistuar se asociacioni nuk do të hapet në kuadër të dialogut, por vetëm do të zbatohen në marrëveshjen finale me Serbinë..
MOTI
Të dielen parashikohet mot me diell . Temperaturat do të levizin nga 0 deri 15 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-23 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 23425.Të Shëruar: 16047. Të vdekur:744
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com