Mër. Nën 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MARTË 10.11.2020

Veseli deklarohet i pafajshëm

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, është vetëdeklaruar i pafajshëm në Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se i ka lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, duke shtuar se deklarohet tërësisht i pafajshëm.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat. Më lejoni të deklarohem se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë ai.
Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit, ka kërkuar që Veseli të presupozohet i pafajshëm
Ka njoftuar se Veseli është dorëzuar dhe me këtë rast, ai ka paraqitur edhe një letër.
“Z.Veseli duhet të presupozohet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Duke vijuar nga kjo, gjykata do të marrë parashtrim ose kërkesë që Veseli të lirohet deri në pritje të fillimit të gjykimit. Desha të shënohet në proces verbal, fakti se z.Veseli është arrestuar, ju si gjykatës duhet të dini se Veseli erdhi në gjykatë në bazë të një marrëveshjeje paraprake, vullnetarisht. Dorëzimi i tij vullnetar u bë me kërkesë të avokatit. Është e drejtë ta theksoj se ditën që u dorëzua ai ka dorëzuar deklaratë të cilën dua ta lexoj”, tha Emmerson.
Më pas, Emmerson lexoi letrën e Veselit.
“Pres që gjykatësit do të japin vendim të drejtë në fund. Kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë, nuk duhet të kemi mëri ndaj gjykatësve që punojnë në këtë Tribunal. Tribunali është pjesë e krijimit të Kosovës, do ta çojmë këtë kërkesë deri në fund”, thuhet ndër tjera në letrën e Veseli.
Pas kësaj, ish-kryeparlamentari i Kosovës ka thënë se s’ka asgjë për të shtuar për këtë deklaratë.
Veseli do të mbetet në paraburgim.

Pesë të vdekur e 596 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi ka thënë se që nga 4 nëntori kur edhe u arrestua, është trajtuar si kriminel nga Dhomat e Specializuara.
Ai tutje ka shtuar se krijimi i një tribunali etnik ndaj shqiptarëve ishte qëllim i Akademisë së Shkencave të Serbisë, duke shtuar se ajo u realizua.
“Unë mendoj që megjithëse akuza që ka të bëjë me mua, mendoj që ndoshta janë procedurat e dhomave të specializuara por këto procedura që janë ndjek nga mëngjesi i 4 nëntorit e deri sot, konsideroj që janë të papërshtatshme për mua, për faktin se unë ndjehem krejt i pafajshëm dhe asnjë arsye nuk ka pasur që të jem këtu.
“Ju e dini që për ish-Jugosllavinë ka qenë një tribunal dhe ka pasur të akuzuar nga Kosova, unë kam qenë dy herë dëshmitarë, e kam thënë krejt atë që kam pasur ta them, dhe po të kishte një dëshmi apo fakt unë jam i bindur se Tribunali i Hagës do të më dënonte, unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Në vitin 2006 Akademia e Shkencave të Serbisë e ka bërë këtë përpjekje, të ndërtojë një Tribunal për Kosovën dhe ia arriti qëllimit duke krijuar një tribunal etnik. Mua më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe. Unë po i kuptoj ata njerëz që sillen kështu me mua sepse mendojnë që jam kriminel, unë jam intelektual por jam detyruar të luftojë kundër Serbisë”, ka thënë ai…
13 të vdekur dhe 637 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë
Pesë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa janë regjistruar edhe 596 raste të reja, nga testimi i 1559 mostrave.
Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, rastet e vdekjes janë nga Gjilani (72 dhe 50 vjeç), Prizreni (70 dhe 67 vjeç) dhe Suhareka (58-vjeç).
Sa i përket rasteve të reja, sërish prin dukshëm Prishtina me 295 raste. Pasojnë Gjilani me 51 raste, komuna Gjakovë 39 raste, komuna Fushë Kosovë 38 raste, komuna Prizren 26 raste, komuna Lipjan 17 raste, komuna Viti 14 raste, komuna Deçan 13 raste, komuna Drenas 13 raste, komuna Kamenicë 13 raste, komuna Pejë 11 raste, komuna Rahovec 10 raste, komuna Suharekë 8 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Podujevë 6 raste, komuna Kaçanik 5 raste, komuna Malishevë 5 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Ferizaj 4 raste, komuna Mitrovicë 4 raste, komuna Obiliq 4 raste, komuna Istog 2 raste, komuna Junik 2 raste, komuna Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Novobërdë dhe Skenderaj.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 136 të shëruar duke e çuar totalin e të shëruarve në 16362. Deri tash në Kosovë janë regjistruar 25 mijë e 388 raste pozitive me COVID-19 nga testimi i 110 mijë e 41 personave. 773 persona kanë vdekur, ndërsa numri i rasteve aktive është 8253…

Hoti merr pjesë “live” në Samitin e Sofjes, nënshkruhen 2 deklarata

Për shkak të pandemisë me Covid- 19, takimi ishte virtual. Në këtë takim përpos përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe burra shtetesh të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.
Në vazhdim ju sjellim të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti në Samitin e Sofjes – Vendet e Ballkanit Perëndimor 6
Të dashur kryesues, kryeministër Zaev dhe kryeministër Borisov, shkëlqesi dhe kolegë,
Është nder dhe kënaqësi t’u bashkohem liderëve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët e tjerë, në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim të bashkëpunimit rajonal, duke ndërmarrë hapa konkretë që të afrohemi me Bashkimin Evropian.
Mendoj se të gjithë pajtohemi se është bërë përparim i konsiderueshëm që nga fillimi i Procesit të Berlinit. Dhe, natyrisht që kjo është bërë e mundur falë lidershipit të fuqishëm të themeluesve dhe mbështetësve të këtij procesi.
Besoj që sot jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.
Është e qartë se Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal stimulon rritjen, shton konkurrencën dhe investimet e huaja në rajon, duke shpejtuar konvergjencën tonë në drejtim të Bashkimit Evropian.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë.
Ajo që na pengon neve për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundoj me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit.
Duhet theksuar se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në të njëjtën shkallë të integrimeve evropiane. Për më tepër, disa vende të rajonit, kanë marrëveshje të tregut të lirë me vendet e treta të Lindjes dhe Lindjes së Largët, që ju mundësojnë atyre, qasje në tregjet tona pa kontribut të domosdoshëm në infrastrukturën sociale dhe fizike të rajonit.
Prandaj, unë besoj që ne duhet të pajtohemi të krijojmë një mekanizëm, i cili siguron një proces të koordinuar të vendimmarrjes të çdo vendi të rajonit tonë për çështje që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët rajonal.
Në fund, më lejoni të theksoj se Zona Ekonomike Rajonale, në asnjë mënyrë nuk është alternativë për Integrimin Evropian.
Kjo duhet të na ndihmoj në ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme, për përshpejtim të anëtarësimit të plotë dhe të përbashkët të vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Pikërisht për këtë, e mirëpres dhe e mbështes plotësisht këtë proces. Kosova do të ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për ngritje të kapaciteteve, gjithnjë në baza të barabarta.

Vjosa Osmani flet për dialogun: Nuk i marr përsipër marrëveshjet që i kanë negociuar të tjerët

U.D Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur sot nga IndeksOnline rreth mundësisë së përfshirjes së saj në dialogun e nisur në Bruksel me palën serbe.
Osmani ka thënë se nuk do të ishte racionale që ajo të përfshihej në një proces ku nuk ka qenë prej fillimi.
“Nuk besoj që do të ishte racionale të futëm në një proces në të cilin nuk kam qenë nga fillimi ose të marr përsipër marrëveshjet që i kanë negociuar të tjerët”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se deri tani askush nuk ka kërkuar të përfshihet ajo në dialogun me Serbinë.
“Unë do të kërkoj nga pozita e kryetares së Kuvendit që të gjitha forcat politike në Kuvend të jenë të përfshira në këtë proces sepse ajo marrëveshje do të vij në Kuvend. Mendoj që përtej rolit tim personal, është me rëndësi që të gjitha forcat politike ti bashkojnë forcat që Kosova të jetë sa më e mirë e përfaqësuar”, ka thënë ajo.

MOTI

Të mërkurën parashikohet mot me diell . Temperaturat do të levizin nga -1 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-22 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 25388.Të Shëruar: 16362. Të vdekur:773
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *