Amerikanët kanë nisur ftesat për diskutime rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Një nga ta që e ka marrë ftesën është ministri i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se është ftuar nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë disa herë që Asoaciacioni gjithsesi se do të formohet. Ai ka thënë në dhjetor se nëse Qeveria Kurti s’do ta bëjë atë, atëherë do të gjenden aleatë alternativë.
Ai u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.
Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Për krijimin e këtij asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.