Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku, kryetari i Komisionit për organizimin e PDK-së në Mërgatë, Elmi Reçica dhe nënkryetari i Kuvendit Enver Hoxhaj janë pritur sot në takim nga kryetari i qytetit të Trevisos, z.Mario Conte.
Deputeti Elmi Reçica ka bërë të ditur se në këtë takim kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunave tona, për kontributin e mërgatës dhe integrimin në shoqërinë italiane.
“Shprehëm falënderimin tonë ndaj Italisë, për mbështetjen e përhershme që i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe të integrimit evropian”, tha Reçica.
Zyrtarët e PDK-së po qëndrojnë në Itali për të marrë pjesë në formimin e nëndegëve të PDK-së në shtetin italian.
Sipas njoftimit të PDK-së, nesër nga ora 14:30 në Padova dhe në ora 18:30 në Treviso, do të mbahen kuvendet zgjedhore për formimin e dy nëndegëve.