Avokatët e Thaçit dhe Veselit: Redaktime të panevojshme në aktakuzë, bëhet e vështirë për t’i kuptuar detajet
Avokatët e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit kanë shprehur shqetësime në konferencën statutore lidhur me redaktimet në aktakuzë, raporton Gazeta Express.
David Hooper, avokat i Thaçit, ka thënë se ka redaktime të panevojshme në aktakuzë.
“I vetmi shqetësim… Nuk e di nëse Prokuroria e ka vënë në praktikë këtë regjim apo jo… Ka redaktime të panevojshme në një pjesë të mirë të atyre që kemi marrë”, ka thënë Hooper.
Ben Emmerson, avokat i Veselit, ka thënë se pjesët e shumta të redaktuara e bëjnë të vështirë që mbrojtja t’i kuptojë të gjitha detajet.
“Dosja e paragjykimit do të duhej të rishikohej. Një informacion i redaktuar më shumë se që duhet e bën të vështirë për ne për t’i kuptuar detajet”, ka thënë Emmerson..
11 viktima e 720 raste të reja me COVID-19 në Kosovë
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë shënuar edhe 720 raste të reja me infeksionin COVID-19. Ndërkohë edhe 11 kosovarë raportohet se kanë humbur betejën me këtë virus brenda një dite në gjithë territorin e Kosovës.
Këto të dhëna u bënë të ditura sot nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në raporton 24-orësh.
Ndërsa, në vend raportohet të jenë shëruar edhe 469 kosovarë.
Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 4 raste (81, 79, 72, 72 vjeç), Istog 1 rast (51 vjeç), Klinë 1 rast (63 vjeç), Mamushë 1 rast (31 vjeç), Mitrovicë 1 rast (84 vjeç), Pejë 1 rast (70 vjeç), Prishtinë 1 rast (76 vjeç), Viti 1 rast (74 vjeç).
Takimi i liderëve nuk është caktuar, bëhet thirrje të mbahet sa më parë
Kryeministri Avdullah Hoti ende nuk ka vendosur se kur do të provojë t`i ulë në një tavolinë subjektet politike në vend.
Një takim të tillë Hoti e ka paralajmëruar javën e kaluar, siç ka thënë ai, për të diskutuar pas zhvillimeve nga konfirmimi i aktakuzave të Speciales.
Sipas kreut të Qeverisë, partitë duhet të dakordohen për zgjedhjen e presidentit apo zgjedhjet e reja.
Antigona Baxhaku, drejtoreshë e Zyrës për komunikim me publikun, përmes një përgjigjeje të shkurtër me email ka thënë se “ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për një takim të tillë”.
Por Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se takimi mes partive politike duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Nuk e kemi lluksin me prit në pafundësi, me prit deri më prill kur zyrtarisht përfundon mandati tash i ushtrueses së detyrës së presidentes. Konsideroj që partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë shumë shpejt e qartë se cilat hapa duhet t`i ndërmarrin”, ka deklaruar Spahija.
Ndonëse i mirëpresin diskutimet rreth presidentit e zgjedhjeve të reja, sipas deputetit të AAK-së, Gazmend Syla, më me prioritet duhet të jetë situata me pandeminë.
“AAK-ja e të gjithë anëtarët e saj nuk e kanë pritur mirë ndjekjen speciale që po u bëhet luftëtarëve të lirisë. Ashtu siç e dini, AAK-ja ka qenë kundër themelimit të kësaj trupe dhe qysh atëherë e ka parashikuar një maskaradë të tillë. Aleanca është e hapur për çfarëdo zgjidhjeje dhe sot po qe nevoja për të dialoguar do të marrë pjesë. Situata është e rëndë dhe prioritet aktualisht duhet t’u jepet qytetarëve të vendit. Duke marrë parasysh shifrat e mëdha të të infektuarve me COVID-19, zgjedhjet apo zgjedhja e presidentit mund të presë edhe pak”, tha Syla.
Takimet mes partive politike i sheh ndryshe Vetëvendosje, që diskutimet eventuale për postin e presidentit i konsideron pazare.
“Çdo diskutim për një president apo presidente në këtë konstelacion politik vetëm se e tregon se edhe një herë po tentohet që të bëhen pazare në favor të personave të caktuar apo grupeve të ngushta të interesit, gjegjësisht partive politike, gjë që nuk do të ishte e mirë për vendin, sidomos në këto kohë në të cilat jemi”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci për Interaktivin e KTV-së.
Lidhur me këto çështje KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga partitë e tjera. Por zyrtarët e PDK-së e të Nismës kanë qenë të paqasshëm gjatë të mërkurës.
Shtohen kërkesat e të diplomuarve për t’u larguar nga vendi
700 persona kanë aplikuar vetëm në muajin tetor të këtij viti në Qendrën Kombëtare për njohje dhe informim akademik e njohur si “NARIC Kosova” për ta validuar diplomën e fituar në Kosovë, me qëllim të përdorimit jashtë vendit. Rreth 70 për qind e aplikuesve i kanë nisur këto procedura për të kërkuar punë jashtë Kosovës dhe vetëm 30 për qind për vazhdim të studimeve.
Kjo e dhënë ka dalë në raportin e “Monitorimit të NARIC Kosova”, të cilin e ka publikuar organizata ORCA. Sipas raportit, numri i aplikimeve për validim në këtë qendër është 70 për qind më i lartë se vitet e kaluara.
Drejtori i Organizatës ORCA, Rron Gjinovci, ka përmendur sfidat me të cilat po ballafaqohet NARIC, siç është humbja e rasteve në gjykatë. Kohë më parë një kandidati të diplomuar në Swiss Menagment Center në Zvicër nuk i ishte njohur diploma nga NARIC, por pasi kishte bërë padi, Gjykata e kishte obliguar Ministrinë e Arsimit t’ia njohë atë.
Kjo, sipas Gjinovcit, ka krijuar precedent për njohje të gradës së doktoratës edhe të 7 personave të tjerë.
“Kjo mundet me ndodhë për shkak të sistemit të korruptuar gjyqësor, por për më tepër edhe për shkak se avokatura e shtetit me ose pa vetëdije e ka sabotuar qendrën NARIC duke mos marrë pjesë avokati që është dashur ta mbrojë qendrën NARIC. Si rrjedhojë, vendimet e dobëta të zyrës ligjore të Ministrisë kanë qenë lehtë të sfidueshme nga avokatët e palës tjetër, që kanë arritur me marrë një vendim që gjykata me u lëshuar në ekspertizë akademike dhe me njohur një diplomë”, ka thënë ai.
Sipas tij, NARIC përballet edhe me probleme të tjera, si mungesa e një databaze digjitale që do të mundësonte ruajtjen e të dhënave për njohje dhe barasvlerë të diplomave. Po ashtu, mungesa e një ligji që e rregullon punën e NARIC, si dhe mungesa e stafit në këtë institucion.
Në raportin e ORCA-s bëhet e ditur se nga janari deri në tetor, NARIC ka njohur 663 diploma. Ndërkaq, edhe 194 diploma mbeten në proces për të cilat ende nuk kanë dhënë përgjigje institucionet jashtë Kosovës, ku palët i kanë përfunduar studimet. Prej tyre, në pritje janë 68 diploma nga Shqipëria, 47 nga Maqedonia e Veriut dhe 79 nga vende të tjera…
Nëntë të vdekur dhe 711 raste të reja me COVID-19 sot në Shqipëri
Nëntë persona kanë vdekur dhe 711 raste të reja të infektimit janë konfirmuar në 24 orët e fundit në Shqipëri.
Siç njoftohet në 24 orët e fundit, në Shqipëri janë kryer 2574 testime, prej të cilave 457 janë testime janë kryer për arsye depistimi.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 412 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 14,216 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 420 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 të intubuar.. ..
Vjosa Osmani ka mbajtur takim virtual me Ambasadorin amerikan Philip Kosnett
Në vazhdën e takimeve të rregullta, sot u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani-Sadriu, ka biseduar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, z.Philip Kosnett.
Ata kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
Duke parë situatën me pandemi, në takim u diskutua në veçanti kjo temë.
Me këtë rast, u theksua rëndësia e unitetit në luftën me pandeminë Covid-19, si dhe rëndësia e bashkëpunimit konstruktiv me të gjithë spektrin politik..
MOTI
Mot i ndryshueshëm në Kosovë në pesë ditët e ardhshme
Në Kosovë në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, ndërsa në mëngjes dhe gjatë natës pritet të ketë mjegull.
Të merkuren pritet të ketë mot me diell dhe pak vranësira, ndërsa nga e marta do të ketë kushte tjera atmosferike, vranësira të dendura të përcjella me reshje shiu, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Temperaturat minimale pritet të sillen nga 0 deri në minus 1 gradë Celsius. Reshjet e shiut në viset e larta malore mund të shoqëroren edhe me fjolla të borës.
Temperaturat maksimale pritet të sillen nga 5 deri 14 gradë Celsius.
Të enjten parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga -1 deri 10 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 7-21 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 31215. Të Shëruar: 18347. Të vdekur:860
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com