Mër. Tet 30th, 2024

Mbrojtja kërkon lirimin e Salih Mustafës nga akuzat, rigjykim ose ulje të dënimeve

Në njoftimin për apel drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, mbrojtja e Salih Mustafës, ka kërkuar prishjen e dënimeve për pikat 1, 3 dhe 4 dhe zëvendësimin e tyre me lirime për secilën pikë, ose një urdhër për kthimin e çështjes te trupi gjykues apo nëse vërtetohen një/të gjitha dënimet, ulje dënimi.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë shpallur fajtor Salih Mustafën për krime lufte, duke e dënuar me 26 vjet burgim.

Në njoftimin për apel, mbrojtja ka listuar të gjitha gabimet që pretendon se i ka bërë trupi gjykues i shkallës së parë.

Ndër të tjera, është thënë se lidhur me politikën e dënimit të aplikuar në këtë rast, paneli ka refuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zbatimin e njërit prej parimeve më të qëndrueshme të ligjit penal të botës perëndimore – parimit të “lex mitior”.

Trupi gjykues, sipas mbrojtjes nuk e ka zbatuar dhe/ose gabimisht/zbatuar parimin “lex mitior”, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese të ankuesit.

“Trupi gjykues ka gabuar në zbatimin e nenit 44 të ligjit, duke çuar në shkeljen e garancive kushtetuese nga neni 33 (2) të Kushtetutës së Kosovës, trupi gjykues gaboi duke e interpretuar dispozitën e nenit 44 të ligjit në mënyrë të tillë duke injoruar natyrën e saj antikushtetuese në kundërshtim me nenin 33 (2) të Kushtetutës. Për këtë, mbrojtja propozon që Gjykata e Apelit t’i referohet për vlerësim kushtetues, nën kontrollin rastësor të kushtetutshmërisë, siç përcaktohet në nenin 113.8 të Kushtetutës së Kosovës, dispozitat e nenit 44 të Ligjit”, është thënë në njoftimin për apel.

Po ashtu, është thënë se trupi gjykues ka gabuar duke mos marrë parasysh në çdo rast praktikën e përgjithshme të dënimit të ish-Jugosllavisë në kohën e kryerjes së dënimit (jo vetëm dispozitat e KKSFJ-së) dhe duke mos dhënë arsye për largimin nga dispozitat e KPRSFJ-së dhe nga praktika e përgjithshme e dënimit të ish-Jugosllavisë në kohën e kryerjes.

Gjithashtu, është theksuar se trupi gjykues bëri gabim duke mos marrë parasysh gamën e dënimeve të shqiptuara ndaj personave të dënuar për vepra të ngjashme në gjykatat/tribunalet tjera të Kosovës dhe ndërkombëtare.

“Kur e dënoi apeluesin në lidhje me pikën 3 mbi bazën se të paktën gjashtë persona u torturuan, kur sipas gjetjeve të trupi gjykues, ankuesi kishte marrë pjesë vetëm në torturimin e dy personave dhe kishte mjetet e nevojshme për torturë në lidhje me ata dy persona”, është thënë në apelin e mbrojtjes së Mustafës.

Sipas mbrojtjes, vetë trupi gjykues zgjodhi të veprojë sipas rrethanave lehtësuese, por ka marrë parasysh vetëm faktorët rëndues kur vendosi për dënimin e të akuzuarit; ka refuzuar çdo rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarit dhe duke dhënë një dënim prej 26 vitesh burgim i cili sipas tyre ishte sa kapriçioz dhe haptazi i tepruar në të gjitha rrethanat. /Betimiperdrejtesi/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *