Kryeministri Albin Kurti priti në takim kandidatin për president të Serbisë nga Partia Republikane e Serbisë, Nikolla Sandulloviq, i cili tha që pavarësia e Kosovës është histori e përfunduar në vitin 1999.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim u bisedua për ngjashmëritë e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinës dhe mundësitë e rritjes së ndikimit të Rusisë në Serbi.
“U bisedua për temat aktuale, me fokus ngjashmëritë mes Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Duke folur për situatën aktuale në Serbi, u veçua mungesa e demokracisë, rreziku nga rritja e nacionalizmit dhe ndikimi i madh i Rusisë”- thuhet në njoftim.
Në komunikatë bëhet e ditur se iu kushtua rëndësi pozicionimit të politikanëve në të dy vendet.
“Në takim u theksua rëndësia e pozicionimit të politikanëve të rinj në Kosovë dhe Serbi, si dy shtete aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si anëtare te Bashkimit Evropian dhe NATO-s në të ardhmen”- pohohet në komunikatë.
Gjithashtu bëhet e ditur se Sanduloviq ia ka uruar kryeministrit Kurti Ditën e Pavarësisë, duke thënë se pavarësia e Kosovës është histori e përfunduar në vitin 1999.