Die. Nën 24th, 2024

Krasniqi thotë se ka mungesë të përspektives: Pushteti i paaftë është duke e zbrazur Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pasur një sërë aktivitetesh për nder të Javës së Pavarësisë.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i PDK-së ka përmbledhur takimet e tij me personalitete dhe figura të rëndësishme që kontribuan për lirinë.

“Pas nderimit të qëndrimit të pathyeshëm të Adem Demaçit, pata një seri takimesh me ish të burgosurit politik dhe të persekutuarit politikisht nga Jugosllavia, për të vazhduar me ish luftëtarë të lirisë, bashkërrugëtarë të Adem Jasharit, mjekë që shëruan plagët e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës, familjet e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me kolegët deputetë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, me të cilët, evokuam kujtime nga rruga e gjatë e sakrificës për ta bërë Kosovën të lirë, të pavarur e sovrane” ka shkruar Krasniqi.

Ai thotë se Kosova nuk ka përspektivë për aq kohë sa do të menagjohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën” ka thënë mes të tjerash Krasniqi.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Për të shënuar Javën e Pavarësisë, ditëve të fundit kam takuar e vizituar shumë personalitete, mbi supet e të cilëve ka qëndruar përpjekja e vazhdueshme për liri dhe shtet të pavarur e sovran. Pas nderimit të qëndrimit të pathyeshëm të Adem Demaçit, pata një seri takimesh me ish të burgosurit politik dhe të persekutuarit politikisht nga Jugosllavia, për të vazhduar me ish luftëtarë të lirisë, bashkërrugëtarë të Adem Jasharit, mjekë që shëruan plagët e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës, familjet e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me kolegët deputetë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, me të cilët, evokuam kujtime nga rruga e gjatë e sakrificës për ta bërë Kosovën të lirë, të pavarur e sovrane.

Por, ajo çfarë ishte jashtëzakonisht motivuese e njëkohësisht edhe ndërgjegjësuese për mua gjatë kësaj jave, ishte takimi me nxënësit filloristë në Velezhë të Prizrenit, prej të cilëve kuptova se pritjet e tyre për një atdhe që i mirëpret të rriten e të realizojnë ëndrrat, janë ato që me të vërtetë kanë rëndësi. Ngjashëm, si edhe takimi me studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku njeriu kupton se të rinjtë e Kosovës kanë potencial e vullnet për t’u edukuar, edhe si qytetarë, edhe si profesionistë.

Ndonëse dje shënuam Ditën e Pavarësisë me ceremoni solemne e me ftesë për reflektim e unitet në të cilin besojmë, përballë këtyre kërkesave të drejta e të duhura të të rinjve e të rejave të Kosovës, duhet diçka shumë më shumë sesa reflektimi.

Shteti ynë nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre. Fatkeqësisht, nën qeverisjen e Albin Kurtit, jo vetëm që po shohim abstenim për adresimin e këtyre nevoja, por nuk po shohim as përpjekje. Krejt përkundrazi.

Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një Ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti. Kosova, nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze.

Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa inflacioni ju bie si barrë e papërballueshme familjeve kosovare, ndërsa qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë. Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon. Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën.

E kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e duan për atdheun e tyre dhe as e ardhmja për të cilën ata kanë sakrifikuar. E ardhmja e Kosovës duhet të jetë një tregim krejtësisht ndryshe. Jetësimin e asaj të ardhmeje duhet ta nisim tani dhe pa vonesë, së bashku, me dashuri e përkushtim për Kosovën e fëmijëve tanë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *