Die. Nën 24th, 2024

Rritet numri i azilkërkuesve në BE nga Ballkani Perëndimor, ku qëndron Kosova

Afër 966.000 persona kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në Bashkimin Evropian më 2022, që janë 50 për qind më shumë se më 2021. Kjo është shifra më e lartë e azilkërkuesve që nga kriza me refugjatë më 2013, tha Agjencia për Azil e BE-së (EUAA) më 22 shkurt.

Në këtë shifër nuk janë përfshirë mbi 4 milionë refugjatë ukrainas që kanë marrë status të posaçëm të mbrojtjes së përkohshme nga BE-ja në marsin e vitit të kaluar.

Shumica e kërkesave për azil u bënë nga sirianët, afganët dhe turqit, por numri i aplikimeve nga Ballkani Perëndimor, veçmas nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po ashtu u rrit, tha EUAA.
Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 3.197 banorë të Kosovës aplikuan për azil dhe kjo e drejt iu njoh 8 për qind prej tyre. Prej numrit të përgjithshëm të aplikimeve, 727 ishin kërkesa të përsëritura për azil.

Numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës ka shënuar rritje më 2022, pasi në vitin paraprak për azil në BE kishin aplikuar 2.360 persona.

Ndërkaq, më 2019, një vit para pandemisë së COVID-19, 3.818 shtetas të Kosovës kishin aplikuar për azil në bllokun evropian.

Më së shumti aplikime për azil ishin regjistruar më 2015, kur afër 73.000 shtetas të Kosovës kishin kërkuar azil në bllokun evropian.

Ndërkaq, 4.172 shtetas të Serbisë aplikuan për azil, apo 900 më shumë se në vitin 2021. Sipas të dhënave, vetëm 3 për qind e aplikimeve për azil u pranuan.

Shqipëria ka numrin më të lartë të azilkërkuesve, përkatësisht 13.043. Prej këtij numri, 2.349 ishin kërkesa të përsëritura, ndërkaq vetëm 6 për qind e aplikimeve u pranuan.

Në Maqedoninë e Veriut, 6.476 persona aplikuan për azil dhe afër 3.000 prej këtyre ishin kërkesa të përsëritura, ndërkaq përqindja e pranimit të kërkesave për azil ishte 1 për qind. Më 2021, numri i shtetasve maqedonas që kishin aplikuar për azil në BE ishte 11.210.

Sipas raportit, rreth 4 për qind e azilkërkuesve (43.000) ishin persona nën moshën madhore, që nuk kishin një shoqërues. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 2015.

Agjencia e BE-së e lidhi rritjen e numrit të kërkesave për azil me lehtësimin e masave kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit, rritjes së pasigurisë ushqimore dhe konflikteve në shumë pjesë të botës.

Pas më shumë se 10 vjet luftë dhe krizë ekonomike, Siria vazhdon të jetë shteti me më së shumti azilkërkues, përkatësisht janë regjistruar 132.000 aplikime për azil.

Pas sirianëve, janë afganët që po ikin për shkak të problemeve të sigurisë, gjendjes humanitare dhe financiare, që kur talibanët u kthyen në pushtet në gushtin e vitit 2021. Gjatë vitit të kaluar, 129.000 afganë kanë aplikuar për azil në BE.

Në vendin e tretë është Turqia me 55.000 aplikime, shifër dyfish më e lartë se në vitin 2021. Rritja e inflacionit, “kthimi prapa i demokracisë” dhe për disa faktorë të tjerë që besohet se kanë çuar në rritjen e numrit të aplikimeve, tha agjencia e BE-së.

“Lëvizja pa viza në shtetet joanëtare të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka të ngjarë të ketë kontribuar po ashtu në rritjen e numrit të kërkesave nga Turqia dhe Tunizia”, tha EUAA.

Kjo agjenci e BE-së nuk tregoi se cilat shtete kanë pranuar më së shumti kërkesa për azil vitin e kaluar, por sipas një raporti të brendshëm të BE-së për migrim, që AP ka pasur qasje në të, Gjermani, Franca, Spanja, Austria dhe Italia janë shtetet që kanë pranuar më së shumti kërkesa për azil. /REL/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *