Kryesia e Kuvendit vendos që të premten dhe të hënën të mbahen seancat e radhës
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga dr. Vjosa Osmani, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në platformën virtuale.
Kryesia vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të premten, më 27 nëntor 2020, në orën 10:00, për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Të hënën, ndërkaq, më 30 nëntor, do të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera.
Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007.
Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në këtë seancë është paraparë të bëhet edhe emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyertues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Më 3 dhjetor 2020, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.
Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj..
Trembëdhjetë të vdekur e 609 raste të reja me koronavirus në Kosovë
13 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. Të martën, janë regjistruar edhe 609 raste të reja.
Në 24 orët e fundit janë kryer 1590 testime. IKSHPK-ja njofton se janë shëruar gjithashtu 350 persona.
Sa i përket vdekjeve në 24 orët e fundit, në Suharekë janë shënuar 3 raste (83,76, 68 vjeç), Prizren 2 raste (62, 57 vjeç), Deçan 1 rast ( 70 vjeç), Kamenicë 1 rast ( 63 vjeç), Junik 1 rast (56 vjeç), Mitrovicë 1 rast ( 83 vjeç), Obiliq 1 rast (75 vjeç), Pejë 1 rast ( 66 vjeç), Prishtinë 1 rast (69 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (67 vjeç).
Në total i rasteve pozitive është 35.549 raste nga 134.318 persona të dyshimtë me virus dhe 939 raste të vdekjes.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 21.746 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.864.
Rastet pozitive janë nga Prishtinë 276 raste, Mitrovicë 53 raste, Gjilan 35 raste, Podujevë 30 raste, Vushtrri 27 raste, Fushë-Kosovë 25 raste, Pejë 23 raste, Skenderaj 19 raste, Ferizaj 17 raste, Drenas 13 raste, Obiliq 12 raste, Prizren 11 raste, Lipjan 10 raste, Klinë 9 raste, Viti 8 raste, Deçan 7 raste, Istog 7 raste, Suharekë 7 raste, Gjakovë 5 raste, Kamenicë 4 raste, Rahovec 3 raste, Shtime 3 raste, Junik 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Graçanicë, Kaçanik dhe Mamushë..
ZPS-ja e përdor deklaratën e Thaçit për të kërkuar nisjen e shpejtë të gjykimit
31 maji i vitit 2021 është afati i fundit, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes së katër ish-eprorëve të UÇK-së, secilën provë që e posedojnë e ku e kanë mbështetur aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nikolas Giju, të hënën mbrëma ka nxjerrë vendimin kornizë për nxjerrjen graduale të provave, kundër katër ish-eprorëve që po mbahen për krime lufte, në paraburgim në Hagë.
Deri të hënën, 14 qershor 2021, ose çdo herë më parë, bazuar në nenet, ndër ato të renditura në njoftimin e hollësishëm referuar nën pikën (f), ata mund të kërkojnë të kenë qasje përmes zbulimit ose inspektimit.
Nuk janë dhënë afate se sa muaj do të këtë në dispozicion mbrojtja që t’i kryejë inspektimet, për t’i kundërshtuar provat.
Megjithatë, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtese me shkrim, pas seancës së fundit ku janë paraqitur katërshja e akuzuar, ka kundërshtuar kërkesën e tyre që t’u vihen në dispozicion vite, për të mbledhur prova shfajësuese, e kundërprova.
Disa muaj, sipas ZPS-së, mjaftojnë që një gjë e tillë të bëhet.
Kryeprokurori Jack Smith ka përdorur si argument, intervistat e Hashim Thaçit dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas këtij dokumenti, Thaçi kishte thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në vitet për të cilat akuzohet ai nuk ka pasur ndonjë autoritet.
Grafika: Në mënyrë të ngjashme, në intervistat e tij me ZPS-në, z. Thaçi hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, duke pohuar në mënyrë të përsëritur se në asnjë moment më 1998 ose 1999 ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në. Siç u përmend në konferencën e statusit, këto pohime më tej hedhin poshtë pretendimet nga mbrojtja se përgatitja dhe hetimi nuk mund të fillojnë deri diku pas përfundimit të zbulimit të të gjitha provave.
Deri tani deklarata e Thaçit në Prokurorinë e Specializuar nuk është bërë publike.
Thaçi është një nga të paktët që në fazën e hetimeve ka pranuar të japë deklaratë në Hagë.
Jakup Krasniqi e Kadri Veseli janë mbrojtur në heshtje.
Në heshtje ishin mbrojtur edhe Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Sokol Bashota dhe Blerim Kuçi.
Në anën tjetër, Rexhep Selimi kishte dhënë deklaratë në Hagë, por pas kthimit të tij publikisht pati thënë që Thaçi përmes disa njerëzve e kishte këshilluar që të mbrohet në heshtje
Qytetarët frikësohen se këtë dimër mund të mos ketë energji elektrike
Problemet me energji elektrike në disa lagje të kryeqytetit kanë vazhduar edhe të martën. Në lagjen “Mati 1” ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike gjatë tërë ditës. Në mëngjes ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur për disa orë edhe në lagjen “Bregu i Diellit”.
Gani Bardheci, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, dyshon se reduktimet e energjisë, mund të jenë pikënisje për dimër të vështirë pa rrymë. “Nuk e di ku është problemi, por unë jam pagues i rregullt i energjisë elektrike dhe nuk kam borxhe. Mendoj se ka edhe reduktime shkaku i mosfurnizimit me energji të mjaftueshme të energjisë elektrike”, ka thënë Gani Bardheci.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KEDS, ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë, përveç Prishtinës, në komunat e tjera të Kosovës nuk ka pasur reduktime të energjisë elektrike. Ka njoftuar vetëm për një prishje në qytetin e Kaçanikut, e që është rregulluar.
Por, KEDS nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHË-s se a do të jetë ky një fundvit i vështirë për sigurimin e energjisë dhe se a është duke blerë Kosova mjaftueshëm energji elektrike që qytetarët të mos mbesin pa drita e ngrohje gjatë këtij dimri.
Ndërkaq, në Korporatën Energjetike të Kosovës – KEK kanë thënë se për aq sa i takon kësaj korporate, qytetarët nuk do të mbesin pa energji elektrike, meqë kapaciteti i KEK-ut aktualisht është 800 megavat orë të energjisë elektrike.
“Janë bërë edhe përgatitjet e pajisjeve për dimër dhe ka edhe thëngjill të mjaftueshëm. Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, KEK i siguron të gjithë qytetarët që nuk do të ketë problem edhe gjatë sezonit dimëror”, ka deklaruar Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.
Bucolli ka shtuar se vetëm në 3-mujorin e fundit TC Kosova A, ka realizuar planin konform bilancit energjetik me 107 %, ndërsa Kosova B me 116 %..
Djali i deputetit Haxhi Shala emërohet konsull i përgjithshëm në Pragë
Është zbardhur pazari i mesnatës së 3 qershorit mes presidentit Thaçi, kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj, dhe deputetit Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim duke dhënë votën vendimtare për Qeverinë Hoti. Shalës ia kanë shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahet fshehtë.
Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala është emëruar konsull i përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.
Mbështetur në dokumentet që ka siguruar KOHA, emërimi është bërë me dekret të presidentit Thaçi pas rekomandimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, tani bashkëpartiake me Shalën.
Në shkresën dërguar presidentit me datë 28 shtator, Haradinaj i rekomandon presidentit ta dekretojë djalin e deputetit.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ju drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, shkruan në letrën e Haradinajt dërguar Thaçit.
Ndërkaq me datën 20 tetor, ish-presidenti Thaçi e firmosi dekretin nëpërmjet të cilit obligon Ministrinë t’i ndërmarrë veprimet për zbatimin e tij.
MPJD-ja nuk ofron sqarime, Shala nuk lajmërohet
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime për bazën ligjore të këtij emërimi, as nëse ky ka qenë favori për Shalën, në këmbim të votës. Por një burim brenda këtij institucioni, ka thënë se “ky ka qenë pazari në këmbim të votës për Qeverinë”.
Mbështetur në informatat e listuara në profilin e tij në “Facebook”, Shala është duke ndjekur studimet e doktoratës pikërisht në qytetin, ku u emërua konsull i përgjithshëm. Në mesin e punëve të mëhershme në sektorin privat figuron edhe si pronar në firmën “Xhela Shpk” me seli në Malishevë.
Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim edhe prej Haxhi Shalës dhe djalit të tij, tani konsull.
Në numrin e Haxhi Shalës është lajmëruar këshilltari i tij, i cili ka thënë se deputeti është i zënë në takim. Me gjithë premtimin se do ta njoftojë me çështjen dhe do të lajmërohen sërish, kjo nuk ka ndodhur.
Presidenca do ta rishqyrtojë dekretin
Në Presidencë, që tani udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani, kanë thënë se do të shqyrtohet ky emërim nëse janë përfillur procedurat ligjore.
“Të gjitha emërimet do të shqyrtohen për të parë nëse janë përfillur procedurat ligjore. Asnjë dokument nuk i është sjellë deri tash u.d. të presidentes, dr.Vjosa Osmani nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i u.d. së presidentes.
Zyra e kryeministrit Hoti nuk ka treguar specifikisht nëse ndërmarrja Haradinaj-Thaçi ka pasur edhe aprovimin e tyre. Drejtoresha e Zyrës për Informim, Antigona Baxhaku, ka thënë se aktualisht po bëhet rishikimi funksional i stafit diplomatik.
“Aktualisht është duke u bërë rishikimi funksional i gjithë stafit diplomatik dhe në momentin që të përfundojë ky proces, Zyra e kryeministrit do t’i dërgojë propozimet konkrete në Zyrën e presidentit”, ka theksuar ajo.
Kriteret
Kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe konsujve, si dhe shefave të tjerë të misioneve rregullohen me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe me aktet nënligjore në zbatim të tij.
Mes të tjerash, anëtarët e personelit të shërbimit të jashtëm duhet t’i plotësojnë kërkesat si në vijim:
“2.6. kanë përgatitje të duhur profesionale; 2.8. kanë kaluar provimin pranues të organizuar në bazë të procedurave të përcaktuara me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit.
Elementet kryesore në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.
“2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë Ligji për shërbimin e jashtëm.
Vota e Shalës në Kushtetuese
Ngritja e dorës së Shalës ka qenë vendimtare për krijimin e Qeverisë Hoti, e cila arriti vetëm minimumin e kërkuar prej 61 votash. Një ditë para seancës, Shala kishte deklaruar se nuk e voton Qeverinë Hoti. Por, mendjen e ndërroi pas mesnatës së 3 qershorit, kur në konak i kishin shkuar presidenti Thaçi e ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
“Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve dhe sidomos deri sot në votimin e qeverisë së re. Para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votoj Qeverinë Hoti për shkak të politizimit të partisë nga dy persona. Por mbrëmë, nga vizita që kam pasur nga presidenti dhe ish-kryeministri Haradinaj, unë do të votoj pro Qeverisë Hoti”, kishte deklaruar Shala më 3 qershor.
Por, vota e tij ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese pasi Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpretim të veprimeve të presidentit Thaçi, për siç thuhet detyrimin e Shalës që ta ndryshojë votën ndaj Qeverisë. Kushtetuesja ende nuk e ka dhënë verdiktin për këtë rast./koha
Familjeve me asistencë sociale dhe personave me aftësi të kufizuar komuna e Prishtinës do ua ndajë nga 80 euro
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se kategoritë e radhës që do të jenë përfitues së ndihamve janë familjet në asistencë sociale dhe personat më aftësi të kufizuar që janë banorë rezidentë në Prishtinë, shkruan IndeksOnline.
Ai tha se këtyre dy kategorive do iu shpërndahen nga 80 euro në muajin dhjetor.
Postimi:
Kategoritë e radhës për ndihma:
Me propozim të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale dhe drejtorit Dren Kukaj, Komuna e Prishtinës do të ndajë nga një subvencion prej 80 Euro për secilen familje në asistencë sociale, në dy kategoritë e varfërisë si dhe subvencion prej 80 euro për secilin person me aftësi të kufizuar në komunën tonë. Pagesat do të bëhen në dhjetor!..
MOTI
Të mërkuren parashikohet mot me diell , temperaturat do të levizin nga -2 deri 7 gradë Celsius. Mot mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 7-20 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 35549. Të Shëruar: 21746. Të vdekur: 939
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com