Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E PREMTË, 27.11.2020

Hoti thotë se të hënën s’ka festë, por është ditë pune!

Qeveria e Republikës së Kosovës, sqaron opinion publik se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.
Në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti Covid të ndërmarra nga Qeveria.
Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë Covid- 19, punëtorët shëndetësor, stafin mbështetës në institucionet shëndetësore, polici dhe inspektorat, të cilët janë duke punuar për disa muaj me radhë pa asnjë ditë pushimi.
Për shkak të masave në kuadër të menaxhimit të situatës me pandeminë Covid-19, institucionet janë duke punuar me staf të përgjysmuar. Ndërsa të gjitha aktivitetet për shënimin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, do të zhvillohen nesër, poashtu në përputhje me masat e vendosura nga Qeveria…

12 të vdekur,584 te sheruar dhe 764 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 764 raste të reja dhe 12 viktima nga koronavirusi, shkruan Gazeta Express.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se janë shëruar edhe 584 persona nga COVID-19.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.827 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 764 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv“, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Rritet në 21 numri i komunave të Zonës së kuqe, në Kosovë

Raportohet se është rritur numri i komunave me rrezik të lartë për COVID-19.
Kështu, Ministria e Shëndetësisë njofton se nga sonte hyn në fuqi kategorizimi i ri i komunave lidhur me COVIDin-19, sipas numrit të infektuarve në 100.000 banorë brenda një jave.
Kategorizimi do të rishikohet më 4 dhjetor 2020, varësisht nga numri i rasteve pozitive në 100. 000 banorë.
Ndërsa, në “Zonën e kuqe” bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë apo komunat me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në këtë zonë janë 21 komuna. Prej tyre janë Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin- Potoku, Kamenica, Skenderaj, Kllokoti dhe Graçanica.
Në “Zonën e verdhë” bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 15 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malisheva, Suhareka, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Rahoveci, Juniku, Istrogu, Mamusha dhe Hani i Elezit.
Në “Zonën e gjelbër” bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 2 komuna: Dragashi dhe Novobërda.
Javën e kaluar ishin 18 komuna me rrezik të lartë..

Shtatorja e heroit legjendar, Skënderbeu ka arritur në qytetin e Prizrenit.

Kjo shtatore do të zbulohet pikërisht në ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor, transmeton Indeksonline.
Indeksonline ka arritur të siguroj pamje nga momenti kur shtatorja e heroit legjendar arrin në qytetin e Prizrenit.
Në këtë qytet së shpejti do të vendoset edhe shtatorja e heroit kombëtar, Adem Jashari.

Rudari reagon për incidentin në Podujevë, fajëson Bulliqin dhe Kurtin: “Nxiten e promovuan dhunën dhe vëllavrasjen”

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari ka reaguar për incidentin mes mbështetësve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje sot në qytetin e Podujevës.
Rudari ka fajësuar kundër kandidatin e tij nga radhët e LVV-së, Shpejtim Bulliqi dhe kryetarin e këtij subjekti, Albin Kurti, transmeton Indeksonline.
Sipas Rudarit, Kurti dhe Bulliqi ditët e fundit kanë nxitur e promovuar dhunën e vëllavrasjen.
Postimi i plotë:
Nuk i fajësoj qytetarët, të cilët sot reaguan në atë mënyrë duke provokuar incident dhe duke penguar aktivitetin tonë.
Fajin e ka kandidati dhe shefi i tij nga Prishtina, të cilët gjatë gjithë këtyre ditëve nxitën e promovuan dhunë, vëllavrasje dhe bishta të sakicës.
Të tillët përherë dhunën e kishin mjetin e vetëm të veprimit politik, prandaj Llapi ndaj tyre është dhe do të mbetet refuzues..

Në kufi Kosovë-Shqipëri vendosen 41 flamuj në nder të 41 dëshmorëve të rënë

Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, bashkë me disa nga ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së, në prag të 28 nëntorit, kanë vendosur 41 flamuj në kufirin Kosovë-Shqipëri për 41 dëshmorët e rënë në këtë vend.
“Sot me bashkëluftëtarë i vendosëm 41 flamuj kombëtar në shenjë nderimi për 41 dëshmorët e rënë në kufirin shqiptaro-shqiptar”, shkroi Qeriqi, shkruan Gazeta Express..
Ai ka publikuar edhe videot derisa vendosen flamujt për nderimin e bashkëluftëtarëve.

MOTI

Të shtunën parashikohet mot me diell , temperaturat do të levizin nga -1 deri 9 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 37792. Të Shëruar: 23274. Të vdekur: 975
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *