VV-ja fiton Podujevën, Shpejtim Bulliqi kryetar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sipas rezultateve preliminare në Komunën e Podujevës, është duke kryesuar Lëvizja Vetëvendosje me 51.64 për qind të votave.
Pas saj është Lidhja Demokratike e Kosovës me 35.97 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës me 12.40 për qind.
Ndërsa në Komunën Mitrovicën Veriore është duke udhëhequr Lista Serbe me 89.86 për qind të votave.
VV-ja me kandidatin Erden Atiq ka 3.68 për qind, PDK-ja me Florent Azemin ka 3.54 për qind dhe një kandidat i pavarur ka arritur 2.92 për qind.
Në Podujevë votuan 29.76 % e votuesve deri në orën 15:00, në veri të Mitrovicës 30.3 %
Deri në orën 15:00 në Komunën e Podujevës kanë votuar 29.76 për qind e votuesve në zgjedhjet lokale për kryetar komune, ndërsa në atë të Mitrovicës së veriut, 30.3 për qind.
Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se procesi zgjedhor në të dyja komunat po zhvillohet qetë dhe se nuk kanë pranuar asnjë informacion për ndonjë parregullsi.
“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%”, tha ajo.
“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%”.
Konferenca e katërt për ditën e sotme është në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
16 të vdekur nga Covid-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, 626 raste të reja
Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë vdekur 16 persona si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 626 raste të reja të infeksionit.
Tre të vdekur janë nga Prizreni (84, 79 dhe 53 vjeç), nga dy janë në Ferizaj (77, 47 vjeç), Gjakovë (80, 77 vjeç), Kamenicë (62, 54 vjeç), Malishevë (79, 67 vjeç) e Suharekë (76, 70 vjeç), e nga një në Fushë-Kosovë (77 vjeç), Lipjan (70 vjeç) e Podujevë (83 vjeç).
Shifra totale e të vdekurve ka kaluar atë 1000. Që nga fillimi i pandemisë 1005 persona në Kosovë kanë humbur betejën me COVID-19.
Ndërkohë janë regjistruar 39.057 raste të infeksionit. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 626 të infektuar të rinj nga testimi i 1505 mostrave.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 237 raste, Mitrovicë 52 raste, Ferizaj 33 raste, Gjilan 32 raste, Prizren 29 raste, Podujevë 28 raste, Vushtrri 27 raste, Lipjan 25 raste, Fushë-Kosovë 24 raste, Suharekë 19 raste, Skenderaj 17 raste, Gjakovë 15 raste, Kamenicë 13 raste, Shtime 13 raste, Drenas 12 raste, Rahovec 9 raste, Obiliq 8 raste, Viti 7 raste, Kaçanik 4 raste, Malishevë 4 raste, Graçanicë 3 raste, Klinë 3 raste, Pejë 3 raste, Dragash 2 raste, Shtërpcë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Deçan, Hani i Elezit, Istog dhe Novobërdë.
Numri i të infektuarve ka qenë më i ulët se i të shëruarve në 24 orët e fundit. Sipas IKSHPK-së në 24 orët e fundit janë shëruar 673 pacientë, duke çuar shifrën totale të shëruarve në 24.427. Aktualisht janë 13.625 raste aktive.
Zemaj thotë se janë ndëshkuar personat që nuk kanë respektuar masat anti-COVID në qendrat e votimit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas vizitës në Podujevë ku pa sa po respektohen masat anti-COVID gjatë procesit zgjedhor, ka thënë se ka pasur ndëshkime për personat të cilët nuk kanë respektuar masat.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rekomandimet e dhëna nga institucionet shëndetësore.
Zemaj tha se personat që mbesin në qendrat e votimit mund të qarkullojnë, teksa shtoi se nuk janë për të penguar zgjedhjet në asnjërën nga dy komunat ku sot po votohet për zgjedhje të kryetarit.
Gjatë ditës së sotme, KOHA ka raportuar se në qendrën “Isa Boletini” në Podujevë, nuk po respektohej distanca sociale mes votuesve, ku grumbull i tyre është parë brenda ambientit…
S’ka datë për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, nga Qeveria thonë se pengesa e vetme është pandemia.
Ende nuk është caktuar një datë për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi. Nga Brukseli thuhet se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret sa më shpejtë që të krijohen kushtet, ndërsa një gjë të tillë e konfirmojnë edhe nga Qeveria e Kosovës.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se arsyeja që nuk është caktuar datë për takimin e radhës është pandemia COVID-19 e jo ndonjë pengesë tjetër.
“Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet e radhës, sepse gjith[ka po diktohet nga situata me pandeminë Covid-19. Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër”, ka thënë këshilltarja politike e kryeministrit Avdullah Hoti, Antigona Baxhaku, për KosovaPress.
E zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se së shpejti do të caktohet data dhe agjenda për takimet e radhës.
“Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, po vazhdon dhe po avancon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Takimi i radhës i dialogut të nivelit të lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur, varësisht kur lejojnë kushtet. Kur bëhet fjalë për takime në nivel ekspertësh, ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm kurdo që është situata e përshtatshme”, thotë ai.
Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi , zgjidhja më e mirë është që vetëm pas zgjedhjeve të reja të rifillojë dialogu me Serbinë.
“Zgjidhja më e mirë në këto rrethana është që të stopohet ky dialog. Të kemi një qeveri e cila është e fortë, ka legjitimitet dhe buron drejtpërdrejtë nga vullneti i qytetarëve. Përndryshe qeveria Hoti nuk e ka as mundësitë, as numrat, as dijen e asgjë për të mbrojtur interesin e Kosovës në këtë proces”, thotë ai.
SBASHK-u jep arsyet pse nesër duhet të jetë ditë pushimi për mësimdhënësit e nxënësit
Përkundër vendimet të Qeverisë së Kosovës, që dita e hëne të jetë ditë pune, Sindikata e Arsimit (SBASHK) po vazhdon të bëjë thirrje që personeli arsimor të mos dalë në punë nesër. Këtë e bazon në kalendarin për vitin shkollor.
Kryetari i kësaj SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se bazuar në kalendarin e vitit shkollor, dita e hëne do të jetë pushim dedikuar festës së 28 nëntorit.
Ndërsa, sa i përket deklaratës së kryeministrit Hoti se duhet të solidarizohemi me mantel bardhët, Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit janë solidarizuar deri në shtator që të zhvillohet sa më mirë procesi mësimor.
“SBASHK-u duke u bazuar në kalendarin për vitin shkollor që jemi, ku thuhet qartë që 28 nëntori është ditën e shtunë, por e hëna është ditë pushimi dedikuar kësaj feste të madhe, i është përgjigjur anëtarësisë, duke theksuar se bazuar në këtë kalendar, e hëna është pushim dhe kështu duhet të jetë. Sa i përket deklaratës së kryeministrit se duhet të punohet të hënën për t’u solidarizuar me mantel bardhët, po e deklaroj se mësimdhënësit e Republikës së Kosovës janë solidarizuar me mantel bardhët dhe Policinë. Jemi solidarizuar ngase kategorik kemi qenë dhe pas përgatitjes shtesë, deri më 14 shtator, se mësimdhënësit e Kosovës kanë shprehur vullnetin të punohet në institucionet e Kosovës, duke e ditur vlerën e madhe që kanë shkollat për të zhvilluar sa më mirë procesin mësimorë”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se procesi mësimor nuk dëmtohet nga ky pushim, pasi që edhe mësimdhënësit nuk kanë planifikuar as një njësi mësimore për ta zhvilluar të hënën.
Ka shtuar se nuk është bërë asgjë në kundërshtim të kalendarit të MASHT-it dhe e hëna do të jetë pushim për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet.
“Procesi mësimor dhe kalendari mësimor nuk dëmtohen, por mësimdhënësit, nxënësit e meritojnë këtë pushim për hir të festës së nëntorit dhe për hir të asaj që është në kalendarin e vitit shkollor, dhe të martën mësimdhënësit e Kosovës, bashkë me nxënësit e tyre do të rifillojnë angazhimet në mënyrë që edhe përkundër kushteve që janë nga Covidi, ta përfundojnë sa më mirë që munden gjysmë vjetorin e parë, për t’u përgatitur pastaj për gjysmë vjetorin e dytë. Pra, asgjë nuk kemi bërë në kundërshtim me dokumentet që ekzistojnë, respektojnë kalendarin e MASHT-it dhe e hëna duhet të jetë ditë pushimi për sistemin arsimor, për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet”, ka thënë Jashari.
Jasharaj ka thënë se sindikata nuk merret me institucionet, por të gjithë janë të obliguar që ta respektojnë statutin dhe vullnetin e mësimdhënësve.
“Mësimdhënësit e Kosovës i besojnë SBASHK-ut, e konsiderojnë si sindikatë të tyre, janë unik dhe ne nuk merremi me çka thonë institucionet, ato kryejnë punën e tyre, ndërsa unë si kryetar, stafi qendror, kryetaret e niveleve komunale, kryetarët e niveleve të shkollave janë të obliguar edhe me statut që ta respektojnë zërin dhe vullnetin e mësimdhënësve të Kosovës.”, ka thënë ai.
E sa i përket atyre mësimdhënësve që nuk do ta respektojnë vendimin e SBASHK-ut, ai ka thënë se është në vullnetin e tyre që të dalin apo jo në punë./KSP
Çeku kërkon shkarkimin e Rakiqit për thyerjen e heshtjes zgjedhore
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Goran Rakiq për thyerje të rregullave të heshtjes zgjedhore.
Çeku në Facebook ka shkruar se thirrja e Rakiqit për të votuar subjektin të cilit i përket, për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e veriut, “është shkelje e Ligjit për zgjedhjet”, duke shtuar se “nga ky moment as vota nuk është e lirë dhe as procesi nuk mund të jetë demokratik”.
Ai shkruan se ndaj Rakiqit duhet të iniciohen masat e domosdoshme, “duke filluar nga shkarkimi i tij”, shkruan ai.
Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, kanë thyer heshtjen zgjedhore duke kërkuar nga qytetarët e veriut të Mitrovicës që të dalin masivisht në zgjedhje e ta votojnë kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.
MOTI
Të henen parashikohet mot me pjeserisht me vranesira , temperaturat do të levizin nga -8 deri 1 gradë Celsius. Mot me vranesira në Tiranë, me temperatura nga 3-18 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 39057. Të Shëruar: 24427. Të vdekur: 1005
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com