Studimi i bërë për Parlamentin Evropian: Dezinformatat rrëzuan qeverinë e Kurtit
Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.
“Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).
Ky studim tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020.
Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, raporton REL.
“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.
Më 20 prill, teksa ishte kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference online për mediat ndërkombëtare deklaroi se mocionin e mosbesimit LDK-ja e kishte bërë në koordinim me Grenellin, duke argumentuar se qeveria e tij u rrëzua vetëm pse Grenellit po i ngutet “që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”.
Sipas pretendimeve në këtë dokument, të cilat janë bërë sipas analizës së mediave sociale, si mediat ashtu edhe politikanët u përfshin në këtë fushatë, të cilën studimi i identifikon si “kanale kryesore të dezinformimit në Kosovë”. Në dokument përmenden media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe (tani ish) kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell”, thuhet në dokument.
Autorët e studimit pretendojnë se çështja e Kosovës ilustron më së miri kompleksitetin e fenomenit lajmeve të rreme dhe se ky është një rast i rrallë ku ky “rezultat politik mund të atribuohet drejtpërdrejt keqinformim”.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
LDK-ja argumentoi se deri te mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së.
Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt.
Dezinformimi, “epidemi në Ballkanin Perëndimor”
Në studim thuhet se dezinformimi është pjesë epidemike në politikën në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, “pa përjashtim”. Megjithatë, ky dezinformim, sipas studimit, diskutohet shpesh në kontekstin e kërcënimeve nga jashtë karshi funksionimit të qeverisjeve dhe demokracisë. Ky studim tregon se megjithatë, për këtë, aktorët e huaj nuk janë fajtorët kryesorë për këtë gjë. Shumica e njerëzve dhe organizatave që prodhojnë dhe shpërndajnë lajme të rreme janë brenda vetë shteteve të Ballkanit.
Në shtetet – siç është Serbia dhe Mali i Zi – ku politika dominohet nga një grup i vetëm, dezinformimi ka të ngjarë të ndjekë “linjën e partisë”, duke i shërbyer interesave të të pushtetshmëve dhe duke minuar opozitën.
Në mjedise më garuese politike – siç është Kosova, Shqipëria dhe deri diku edhe Maqedonia e Veriut – studimi thotë se dezinformimi tenton të përdoret në mënyrë oportuniste nga të gjitha palët, duke ndjekur qëllime afatshkurtra dhe afatgjate.
Në Shqipëri, dezinformimi gjendet kudo në garën e brendshme politike, por përpjekjet janë përgjithësisht oportuniste dhe fushatat dezinformuese janë afatshkurtra. Studimi nxjerr në pah se ka pak prova që dëshmojë se ka pasur përpjekje të aktorëve të jashtëm që të ndikojnë në politikën e brendshme shqiptare.
Ndasitë e thella etnike ose sektare – si në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut – kanë nxitur fushata të dezinformimit dhe ksenofobisë nga aktorë vendas dhe të huaj, theksohet në studim.
Në Maqedoninë e Veriut, ndryshimi i qeverisë së fundmi, ka bërë që dezinformimi të largohet nga mediat kryesore dhe shtetit, por megjithatë dezinformimi mbetet forcë e fuqishme që shtrembëron politikën e brendshme. Dezinformimi ka qenë krucial sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në referendumin e mbajtur për ndryshimin e emrit të shtetit.
Kur sovraniteti i qeverisë është i ri apo është i sfiduar – siç është në rastin e Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe deri diku në Mal të Zi – politikat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të motivuara nga gjeopolitika.
Si aktorët e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm kanë përdorur dezinformimin për të minuar kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke amplifikuar dhe manipuluar ndarjet ekzistuese ndërmjet “idealistëve të BE-së (të cilët janë të përkushtuar për identitetin evropian të shtetit të tyre) dhe “realistëve të BE-së” (të cilët mund të mos e kundërshtojnë integrimin në BE, por nuk besojnë se kjo gjë mund të ndodhë). Përderisa Kina dhe Turqia, që të dyja këto shtete janë aktive në këtë fushë, përpjekjet për të diskredituar BE-në donimohen nga Rusia, që ka një infrastrukturë të madhe në manipulimin media në gjithë rajonin.
Pandemia COVID-19 ka siguruar një terren për dezinformatat. Qeveritë në mbarë Ballkanin Perëndimor janë përpjekur që të falsifikojnë rastet me koronavirus apo mënyrën se si po e menaxhojnë pandeminë, ndërsa të tjerët kanë injektuar në opinion lajme të rreme që i kanë dëgjuar. Përveç kësaj, Kina dhe një masë më të vogël edhe Rusia, e kanë përdorur pandeminë si një mundësi për të rritur ndikimin e tyre në rajon, në kurriz të BE-së, thuhet në studim.
Isa Mustafa e quan manipulim studimin se dezinformatat rrëzuan Kurtin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar manipulim një studim që ishte prezantuar në Parlamentin Evropian, e që thoshte se fenomeni i dezinformimit në Kosovë kishte pasur ndikime të drejtpërdrejta që çuan edhe në rënien e Qeverisë së Albin Kurtit.
Në një reagim për këtë studim, Mustafa ka thënë se do të kërkojë nga Partitë Popullore Evropiane sqarimet e nevojshme “për ta hedhur poshtë këtë ‘studim’ tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së”.
“‘Studimi’ i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim! Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një ‘studim’ që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së!” ka shkruar ai në Facebook.
Mustafa ka thënë se LDK-ja i kishte dhënë “shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës”. Megjithatë, sipas Mustafës, LDK-ja s’mund të duronte nëpërkëmbjen e saj “e duke soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të”.
“Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe konstruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të! Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit. Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova”, ka vazhduar ai.
Në fund Mustafa ka thënë se pret që ky studim “do të përfundojë si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës”.
Në studimin e publikuar nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET), theksohet se i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte nxitur deklarime në Twitter që sugjeronin se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova.
“Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.
Sipas pretendimeve në këtë dokument, të cilat janë bërë sipas analizës së mediave sociale, si mediat ashtu edhe politikanët u përfshin në këtë fushatë, të cilën studimi i identifikon si “kanale kryesore të dezinformimit në Kosovë”. Në dokument përmenden media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe (tani ish) kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja argumentoi se deri te mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së. Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt….
14 të vdekur,678 te sheruar e 560 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit
14 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë. Të shtunën, janë regjistruar edhe 560 raste të reja.
Në nivel vendi, që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 1087 persona si pasojë e virusit. 14 rastet e vdekjes, të regjistruara të shtunën, janë nga Prishtina 6 raste (75, 74, 68, 66, 61, 48 vjeç), Ferizaj 2 raste (71, 62 vjeç), Gjakova 2 raste (76, 60 vjeç), Peja 2 raste (71, 72 vjeç), Gjilani 1 rast (56 vjeç), Istogu 1 rast (64 vjeç).
Sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë testuar 1620 mostra. 678 persona janë shëruar duke e çuar totalin e të shëruarve në 27 mijë e 821, nga 42 mijë e 377 raste të regjistruara në total deri tash. Raste aktive janë 13 mijë e 469.
Rastet pozitive të së shtunës janë nga komuna Prishtinë 198 raste, Gjilan 54 raste, Mitrovicë 46 raste, Ferizaj 32 raste, Fushë-Kosovë 28 raste, Lipjan 23 raste, Podujevë 21 raste, Drenas 18 raste, Prizren 18 raste, Pejë 17 raste, Gjakovë 15 raste, Kamenicë 13 raste, Viti 11 raste, Vushtrri 11 raste, Obiliq 9 raste, Malishevë 7 raste, Suharekë 7 raste, Istog 5 raste, Klinë 5 raste, Rahovec 5 raste, Shtime 4 raste, Skenderaj 4 raste, Deçan 3 raste, Kaçanik 3 raste, Dragash 1 rast, Kllokot 1 rast, Zubin-Potok 1 rast.
939 pacientë janë gjithsej duke u trajtuar në QKUK e spitale rajonale, 12 prej të cilëve në respiratorë, 43 në CPAP, 711 në oksigjenoterapi, ndërsa të konfirmuar janë 651 pacientë. Të premten, u.d i drejtorit të SHSKUK , Valbon Krasniqi, kishte thënë se janë mbi 1,000 të hospitalizuar.
19 të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Shqipëri
19 persona kanë humbur betejën me COVID-19 në Shqipëri në 24 orët e fundit, kanë njoftuar autoritetet.
Sipas raportit të së shtunës, në këtë ditë janë regjistruar edhe 846 raste të reja pozitive, ndërsa janë shëruar 312 qytetarë.
Nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri kanë vdekur 889 persona. Janë edhe 19 mijë e 973 raste aktive.
MPJD: Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm zvogëlon kuotën e emërimeve politike
Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës, ka thënë të shtunën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovë, në një njoftim pas punëtorisë së grupit punues për rishikimin e këtij ligji.
Sipas njoftimit, në takimin e fundit u shqyrtuan komentet e fundit të draftligjit para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.
“Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precize”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Njoftimi thekson se ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ka “ofruar mbështetjen e plotë të saj anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional me synimin që të eliminojë çdo mundësi për keqinterpretim të tij, siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të zvogëlojë dukshëm kuotën e emërimeve politike në diplomaci”.
“Me këtë rast Ministrja Haradinaj-Stublla tha se ky është momenti i duhur që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, marrë parasysh nevojën për përshtatjen me aktualitetin e ri në politikën e jashtme, si dhe faktin se Shërbimi i Jashtëm funksionon me ligje të miratuara para dymbëdhjetë viteve”, thuhet më tej në njoftim, me Haradinaj-Stubllën që ka thënë se me këtë ligj eliminohen “boshllëqet dhe paqartësitë aktuale që lejojnë keqzbatimin dhe interpretimin e pasaktë”.
Në fund të njoftimit theksohet se ligji do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingu diplomatik.
Emërimet politike në shërbimin e jashtëm e kanë përcjellë Kosovën qe disa vite. Së fundmi, bujë bënë emërimet e disa konsujve, e të cilët dolën të jenë familjarë apo të afërm të politikanëve kosovarë. Më i përfoluri ishte Flakron Shala, i biri i deputetit Haxhi Shala. Ai ishte caktuar konsull në Pragë, ndërsa pas raportimit të KOHËS, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kishte shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm. Në arsyetimin e Presidencës ishte theksuar se në këto raste konsullatat e përgjithshme, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme nuk hapen në të njëjtin qytet ku ndodhet ambasada.
Partitë larg marrëveshjes për presidentin
Përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Avdullah Hoti për tryezë politike për të gjetur pajtim për çështjen e presidentit, partitë politike janë ende larg një marrëveshjeje.
Në ditën kur janë bërë një muaj që kur Vjosa Osmani u bë ushtruese detyre e presidentes, partitë nuk shprehen as të gatshme që të iniciojnë në Kuvend procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka thënë për KP-në se koalicioni qeverisës s’ka ende një kandidat për president.
“Koalicioni qeverisës ende nuk ka kandidat për president. Ju e dini që ekziston tanimë një ftesë e kryeministrit Hoti për një tryezë me liderët partiakë në mënyrë që të dakordohen për mundësinë e zgjedhjes së presidentit. Shpresoj që liderët politikë të vendit do të gjejnë mundësinë më të mirë të mundshme që zgjidhja e presidentit të kryhet. E mandej nëse ka nevojë të shkohet në zgjedhje ne si LDK nuk i frikësohemi zgjedhjeve në asnjë moment”, ka thënë ai.
Por partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë ka emrin e vet për president. Kryetari i saj Ramush Haradinaj është propozuar nga partia për postin e kreut të shtetit. Kjo parti megjithatë ende s’e sheh të arsyeshme të mbledhë nënshkrimet për të proceduar në Kuvend kandidaturën e tij. Kjo parti megjithatë është shprehur se s’pranon asnjë propozim tjetër, pos Haradinajt.
“Sa i përket procedurave është kushtetuese të merren tridhjetë nënshkrime. Por ne ende nuk kemi filluar, pasi nuk kemi një pajtueshmëri me subjektet tjera politike që janë në parlament. Pasi të dakordohemi dhe merremi vesh për kandidimin e zotëri Haradinaj për president ne do t’i mbledhim edhe nënshkrimet. Ne e kemi bërë të qartë që në fillim, ne 14 deputetët e AAK-së nuk votojmë asnjë kandidat tjetër për president. Do të vijë edhe koha kur do të ulemi dhe dakordohemi, ka një përafrim por jo aq sa mund të themi është e kryer puna. Shpresoj që ditët në vijim, apo javën e ardhshme të ulemi të gjitha subjektet politike që të bëjmë një zgjidhje”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Për presidentin aktualisht s’është duke menduar Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti thotë se në këtë legjislaturë s’mendon të propozojë ndonjë kandidat për postin e presidentit.
“Ne besojmë që Kuvendi si autoritet që bën përzgjedhjen e presidentit nuk mund të procedojë këtë çështje. Unë besoj që ky formacion i kuvendit ka devijuar nga vullneti i qytetarëve që ka dalë nga vota e 6 tetorit. Rrjedhimisht e konsiderojmë të papërshtatshëm votimin e presidentit në këto rrethana. Tash krejt çka dëgjojmë është propozime politike dhe partiake që nuk reflektojnë me kritere që duhet t’i plotësojë një person si presidenti që paraqet unitetin e popullit. Rrjedhimisht LVV-ja në këtë legjislaturë nuk mendon të procedojë një kandidat për president”, ka thënë deputeti i VV-së, Artan Abrashi.
Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se në këtë parti aktualisht s’është diskutuar për këtë post.
Kryeministri Hoti ka kohë që ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike javën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje për presidentin. Që nga 5 nëntori në krye të shtetit si ushtruese e detyrës është Vjosa Osmani. Ajo mori detyrën pasi presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u përballur me Gjykatën Speciale në Hagë…
Moti
Të dielen parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 6 deri 11 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 11-22 gradë celcius.
COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 42377. Të Shëruar: 27821. Të vdekur: 1087.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com