Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar sot në Kuvend lidhur me takimin e Ohrit, për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë para deputetëve se që nga 9 shtatori kanë hyrë në një proces të ri dialogu, me prezantimin e planit franko-gjerman, transmeton Indeksonline.
“Sinqerisht aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës. A do ta arrijnë një gjë të tillë, unë nuk kam shpresë… marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmban 11 pika” deklaroi Kurti.
Serbia ka pranuar të trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë, por që Kurti thotë se “nuk do t’i besonte, prapë se prapë”.
“Për më tepër, Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare apo të bllokojë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian… Kjo është njohje de-facto dhe është e pakthyeshme pasi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë palë garantuese.”
Kryeministri pohoi se sipas pikave të marrëveshjes, detyrime të cilat tashmë janë në fuqi, do të njihen targat, vulat e simbolet shtetërore nga të dy palët, teksa do të hapen edhe shërbimet konsullore (ambasadat).
“Jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes, në situatën në të cilën jemi, nuk ka mundur më parë të mbërrijmë.”
Ai shtoi se është bërë maksimumi për të ecur përpara, teksa edhe deklarimet e ndërmjetësuesve lidhur me pozitën e Kosovës në këto takime kanë qenë pozitive.
“Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur. Me këtë dokument mund të ecim përpara.”