Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS E DIEL 06.12.2020

Policia po kërkon një person për vrasjen në Dardani, lajmëroni në këtë numër nëse e keni parë

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim shtetasin e Turqisë, Atila Yaldirim, 53 vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e një personi në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192
“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 ne rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë. Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar; ATILA YALDIRIM (1967), shtetas i Turqisë. Duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në veçanti për këtë rast, po ju përcjellim fotografinë e pesonit të dyshuar dhe kërkojmë nga të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192″, thuhet në komunikatën e Policisë.
Një person është vrarë mëngjesin e sotëm në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Policia ka identifikuar të dyshuarin, i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, është bastisur banesa e tij, por nuk është gjetur as aty.

19 të vdekur , 683 te sheruar dhe 468 raste të reja me koronavirus në Kosovë

19 pacientë kanë vdekur dhe 468 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 683 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 28.504 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.195.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 19 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 3 raste (85, 74, 52 vjeç), Prizren 3 raste (91, 76, 60 vjeç), Prishtinë 2 raste (87, 65 vjeç), Ferizaj 2 rast (79, 78 vjeç), Gjakovë 2 raste (64, 51 vjeç), Gjilan 2 rast (78, 70 vjeç), Drenas 2 rast (78, 73 vjeç), Klinë 1 rast (53 vjeç), Suharekë 1 rast (73 vjeç), Shtërpc 1 rast (74 vjeç)”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1314 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 468 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 19 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 3 raste (85, 74, 52 vjeç), Prizren 3 raste (91, 76, 60 vjeç), Prishtinë 2 raste (87, 65 vjeç), Ferizaj 2 rast (79, 78 vjeç), Gjakovë 2 raste (64, 51 vjeç), Gjilan 2 rast (78, 70 vjeç), Drenas 2 rast (78, 73 vjeç), Klinë 1 rast (53 vjeç), Suharekë 1 rast (73 vjeç), Shtërpc 1 rast (74 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 42.805 raste nga 152.677 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.106 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 683 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 28.504 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.195.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 227 raste, Fushë-Kosovë 25 raste, Pejë 22 raste, Lipjan 21 raste, Gjakovë 20 raste, Prizren 18 raste, Drenas 16 raste, Mitrovicë 15 raste, Gjilan 14 raste, Deçan 10 raste, Vushtrri 10 raste, Ferizaj 9 raste, Malishevë 8 raste, Obiliq 8 raste, Istog 7 raste, Kamenicë 6 raste, Rahovec 5 raste, Suharekë 5 raste, Viti 5 raste, Skenderaj 4 raste, Kaçanik 3 raste, Podujevë 3 raste, Shtime 3 raste, Klinë 2 raste, Dragash 1 rast, Hani i Elezit 1 rast.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën! Respektoni distancën!.

Gjykata Speciale i kërkoi një institucioni në Kosovë informacione për 19 persona

Institucioni i Kosovës i drejtësisë me seli në Hagë, i cili po i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duket se nuk është fort i kënaqur me bashkëpunimin që (s’)po ua ofrojnë institucionet e tjera të sigurisë e drejtësisë që ndodhen në Kosovë. Së fundmi, ata janë refuzuar nga një institucion i sigurisë.
Gjykata Speciale, që ka përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në vend, po kërkon që institucionet tjera të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë si Policia, Prokuroria dhe Inteligjenca të bashkëpunojnë me të.
Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle ka thënë se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë janë të detyruara të ofrojnë bashkëpunim.
“Nuk mund të komentoj ose spekuloj rreth pyetjeve në lidhje me çështjet operacionale. Si çështje e përgjithshme, Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikon që të gjitha autoritetet në Kosovë janë të detyruara të bashkëpunojnë me institucionet” ka thënë Doyle.
Ndonëse Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës (bashkë të njohura si Gjykata Speciale) konsiderohen si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, duket se në Kosovë nuk trajtohen si të tilla as institucionalisht.
Burime ndërkombëtare kanë bërë të ditur se Gjykata Speciale i ka kërkuar një institucioni në Kosovë informacione për 19 persona. Ka kërkuar dosjen e punësimit të tyre në njërin prej institucioneve të sigurisë.
Po kështu, bëhet e ditur se informacionet e kërkuara nga Specialja, nuk kanë mundur të sigurohen, duke hasur në një refuzim nga institucioni të cilit i ishin parashtruar kërkesat.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar urdhëron që personat dhe institucionet në Kosovë t’i përgjigjen kërkesave të Gjykatës Speciale, përfshirë edhe të tillave për sigurimin e të dhënave dhe dokumenteve zyrtare.
“Duke i pasur parasysh të drejtat e të akuzuarit të përcaktuara në nenin 21, të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në pikën e parë të nenit 53 të këtij ligji, ku në vijim përmenden edhe dokumentet zyrtare.
Ky ligj po ashtu i jep mundësinë Gjykatës Speciale që të mund të urdhërojnë transferimin e procedurave brenda juridiksionit të tyre, prej çdo prokurori apo gjykate tjetër në territorin e Kosovës, në çfarëdo faze të hetimeve apo të procedurave gjyqësore. Specialja po ashtu mund t’i japë urdhër një gjykate në Kosovë që t’ua dorëzojnë atyre çfarëdo lënde gjyqësore apo hetimi që përfshihet në juridiksionin e saj.
Përveç tjerash, të gjitha gjykatat dhe prokurorët e Kosovës obligohen që t’i njoftojnë pa vonesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse vihen në dijeni për ndonjë rast procedure penale që përfshihet në juridiksionin e Gjykatës Speciale.
Gjykata Speciale që në vitin 2015 e kishte marrë miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është e vendosur në Hagë të Holandës në bazë të Marrëveshjes së Kosovës me Shtetin Pritës më 15 shkurt 2016. Specialja është institucion i përkohshëm me mandat dhe juridiksion specifik që përfshin disa krime kundër njerëzimit, krime lufte, dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovës të cilat pretendohet të kenë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.
Të gjithë punonjësit e Gjykatës Speciale – ku përfshihen prokurorë, hetues, analistë, specialistë të sigurisë dhe punonjës mbështetës – janë shtetas të huaj, nga ndonjë vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, ose vijnë nga pesë shtete kontribuese që nuk janë anëtare të BE-së si: Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara..

EPIK: Kosova të nisë fushatë diplomatike për ekspozimin e aktiviteteve dezinformuese të Rusisë e Serbisë

Instituti EPIK ka thënë se studimi i Parlamentit Evropian rreth identifikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformimit në Ballkanin Perëndimor, duhet të shërbejë si bazë për institucionet e Kosovës për të ndërmarrë një fushatë të koordinuar diplomatike në kuadër të strukturave multilaterale me qëllim të ekspozimit të aktiviteteve dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.
Në këtë kontekst, sipas Institutit, Qeveria duhet të shfrytëzojë shërbimin e jashtëm me qëllim të nisjes së një dialogu të afërt diplomatik me vendet e rajonit për të adresuar aktivitetet dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.
“Në këtë drejtim, Qeveria duhet të punojë me institucionet e BE-së dhe me vendet anëtare për të çuar përpara gjetje dhe rekomandimet e raportit me qëllim të vënies para përgjegjësisë së Rusisë dhe Serbisë”, thuhet në reagim.
Kuvendi i Kosovës duhet të fillojë një dialog të veçantë me Parlamentin Evropian për të zgjeruar të gjeturat e studimit për rastin e Kosovës, thotë Instituti EPIK, dhe të kërkojë adresimin e të gjeturave të studimit në kuadër të strukturave parlamentare të Ballkanit Perëndimor.
“Nga 74 fushatave dezinformuese të zbatuara në Ballkanin Perëndimor gjatë 2018-2020, më shumë se gjysma janë zbatuar nga Rusia dhe Serbia. Përderisa Kina dhe Turqia janë po ashtu aktive në rajon, asnjëra nga këto nuk posedojnë kapacitetet infrastrukturore të Rusisë për të shpërndarë dezinformatat dhe për të manipuluar opinionin publik në gjithë rajonin”, thuhet tutje nga EPIK.
Sipas tyre, qasja e Rusisë ndaj operacioneve të dezinformimit ka për qëllim përmbysjen e armiqve ideologjik duke zgjeruar ndasitë politike, ekonomike dhe ideologjike të kundërshtarëve, ndasitë të cilat më pastaj minojnë kohezionin politik, ekonomik dhe ushtarak.
“Fushatat dezinformuese të Rusisë janë duke u zbatuar përmes një kombinimi të kanaleve publike dhe të fshehura”. Në këtë drejtim “Serbia shërben si trampolinë e Rusisë për fushatat dezinformuese në rajon”, sqaron më tej EPIK, ndërsa si medium të dezinformatave përmend “Sputnikun” që “kanë për qëllim diskreditimin e BE-së dhe NATO-s”.

Qeveria mblidhet të hënën

Qeveria e Kosovës nesër do të mbajë mbledhjen e radhës, njofton Insajderi.
Përmes një njoftim për media, Zyra për Komunikim e Kryeministrisë ka bërë të ditur se mbledhja do të mbahet nesër në ora 08:30.
Nuk është bërë e ditur agjenda e kësaj mbledhje, as pikat e diskutimit që pritet të miratohen.
Nuk ka paralajmërime se a do të merret ndonjë vendim për shtimin ose lehtësimin e masave në menaxhimin e pandemisë COVID 19…

Moti
Të hënën parashikohet mot i vranet dhe me shi, temperaturat do të levizin nga 2 deri 8 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 6-16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 42805. Të Shëruar:28504. Të vdekur: 1106.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *