Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 10.12.2020

AKR-ja mbështet rrëzimin e Qeverisë Hoti

Aleanca Kosova e Re ka shprehur mbështetje për rrëzimin e Qeverisë Hoti.
Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “kjo qeveri ka humbur besueshmërinë e saj”.
“Vetëm një opozitë e bashkuar mund të hapë rrugë zgjedhjeve të reja në Kosovë. Kjo qeveri tani ka humbur besueshmërinë e saj dhe qytetarët po presin me padurim një të re për të marrë detyrën. Në këtë situatë asnjë President i ri nuk do të mund të zgjidhet pa vullnetin e opozitës. AKR do të mbështesë rrëzimin e kësaj qeverie”, ka shkruar ai.
AKR-ja ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacollin dhe Mirlinda Sopin.
Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Partia tjetër e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur se nuk e nënshkruan mocionin për rrëzim të Qeverisë Hoti, por do ta votojë sapo të jetë në Kuvend. Për të shkuar në Kuvend mocioni, duhen 40 nënshkrime.
Avdullah Hoti ishte bërë kryeministër edhe me dy votat e AKR-së.

Sandër Lleshaj ka bërë deklarimin e parë pas dorëzimit të dorëheqjes nga pozita e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë

Në një tekst të gjatë, Lleshaj ka thënë se ky vendim i tij vjen si shenjë e ndarjes së dhimbjes se familjen e të qytetarit të vrarë dje.
“E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.
Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.

13 të vdekur, 761 të shëruar e 562 raste të reja me Covid

Gjatë 24-orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.595 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 562 raste pozitive.
Brenda 24-orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (83, 77, 68 vjeç), Mitrovicë 2 raste (77, 60 vjeç), Viti 1 rast ( 60 vjeç), Klinë 1 rast (75 vjeç), Obiliq 1 rast (76 vjeç), Kamenicë 1 rast (72 vjeç), Gjakovë 1 rast (85 vjeç), Vushtrri 1 rast (64 vjeç), Prizren 1 rast ( 51 vjeç), Rahovec 1 rast ( 77 vjeç) Numri total i rasteve pozitive është 45.004 raste nga 158.577 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.161 raste të vdekjes. Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 761 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 31.802 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.041.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 223 raste, Podujevë 47 raste, Mitrovicë 39 raste, Pejë 33 raste, Gjakovë 28 raste, Fushë-Kosovë 27 raste, Lipjan 22 raste, Prizren 22 raste, Istog 16 raste, Vushtrri 13 raste, Suharekë 12 raste, Drenas 11 raste, Obiliq 11 raste, Klinë 9 raste, Malishevë 9 raste, Ferizaj 7 raste, Deçan 6 raste, Rahovec 6 raste, Skenderaj 5 raste, Dragash 3 raste, Shtime 3 raste, Gjilan 2 raste, Zveçan 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Graçanicë, Junik, Kamenicë, Kaçanik, Viti dhe Zubin-Potok. Mbulojeni gojën dhe hundën me maskë! Mbajeni higjienën! Respektojeni distancën!

Eurodeputeti austriak Vilimsky e quan Kosovën shtet të dështuar e mafioz.

Eurodeputeti austriak Harald Vilimsky, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Bashkim Evropian nuk vjen në shprehje siç nuk vjen edhe liberalizimi i vizave për kosovarët.
“Një hyrje e Kosovës në BE nuk vjen në shprehje si edhe liberalizimi i regjimit të vizave për kosovarët”, ka thënë Vilimsky, shkruan “Ots.at”.
Arsye për këtë është se edhe Komiteti për Çështje të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET), ka publikuar një raport të Komisionit për gatishmërinë e perspektivës për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Edhe raporti i AFET për gatishmërinë konfirmon, se Kosova duhet të forcojë përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit. Është një vend ku mbizotëron krimi i organizuar, trafikimi i drogës e i organeve. Kriminelët dhe terroristët fshihen atje me armë ilegale. Një liberalizim i vizave vetëm sa do të zgjerojë bizneset e kriminelëve për në vendet e BE-së”, ka thënë Vilimsky. “
Ai ka shtuar se Kosova është një shtet i dështuar që nuk ka se çfarë të kërkojë në BE.
“Kosova është një vend i dështuar, që nuk ka asgjë se çfarë të kërkojë në BE. Si situata në rajonin kufitar me Maqedoninë e Veriut ashtu edhe me rastin e pakicës serbe në veri të Kosovës, është më tepër se e pasigurt dhe mund të shpërthejë sërish situatën në Ballkan. Me këtë mund të barten konfliktet edhe në Austri. Për ne, siguria e austriakëve është më e rëndësishme sesa anëtarësimi në BE i një shteti të dështuar dhe mafioz siç është Kosova”, ka thënë ai.

Ambasadori gjerman: E ardhmja e Kosovës është në BE

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian dhe se ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit.
Rohde ka folur në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën 2020”, të organizuar nga Instituti Epik, me mbështetjen e Asistencës Zhvillimore të Gjermanisë të zbatuar përmes projektit të GIZ-it.
“E ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit. Reformat janë të rëndësishme për të siguruar se institucionet demokratike janë transparente dhe efektive, ndërsa ekonomia e vendit konkurrente për të ofruar perspektivë të rinjve. Si të tilla, reformat i shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Rohde.
Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sundimi i ligjit, arsimi dhe mjedisi janë prioritetet kyçe të procesit integrues të Kosovës.
“Konsideroj se sundimi i ligjit, arsimi dhe mjedisi janë prioritetet kyçe të procesit tonë integrues. Raporti ka identifikuar shumë sfida të cilat institucionet tona duhet të adresojnë. Kuvendi tani më ka miratuar Planin e vet për Mbikëqyrjen e Procesit Integrues 2020-2021. Këto reforma duhet të bëjmë për qytetarët tonë, dhe jo për hirë të askujt. Në këtë drejtim, do të inkurajoj të gjithë spektrin politik që të krijojmë urat e bashkëpunimit me qëllim të avancimit rrugës tonë integruese. Njëkohësisht, bëjë thirrje institucioneve të BE-së që të japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.
E zëvendës-shefi i BE-së, Ricardo Serri, ka thënë se reformat që i duhen Kosovës nuk janë për Brukselin, por për qytetarët e Kosovës.
“Raporti paraqet dokumentin më të rëndësishëm vjetor për Kosovën dhe bazohet mbi një metodologji rigoroze. Raporti konfirmon se ka një hendek të madh në mes Kosovës dhe BE-së. Për të mbështetur përpjekjet e Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit, këtë vit kemi lansuar një plan ambicioz ekonomik dhe investiv. Ne mirëpresim hapat fillestar të institucioneve në adresimin e reformave të identifikuara dhe mbesim të përkushtuar për t’iu ndihmuar në këtë drejtim. Këto reforma nuk janë për Brukselin, por për qytetarët e Kosovës. Kosova duhet të vazhdoj të ruaj konsensusin ndër-partiak për procesin integrues”, tha Serri.
Florim Canolli, koordinator i Integrimit Evropian dhe Bashkëpunimit për Zhvillim, ka shtuar se po punohet me Zyrën e BE-së për hartimin e Planit të Veprimit që do të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës, për të mundësuar që agjenda evropiane të jetë agjendë e përbashkët shtetërore.
“Procesi i integrimit evropian është duke u bërë pjesë integrale e agjendës shtetërore. Pas miratimit të Agjendës Evropiane të Reformave – ERA 2, jemi duke punuar bashkë me Zyrën e BE-së për hartimin e Planit të Veprimit që do të miratohet edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mundësuar që agjenda evropiane të jetë agjendë e përbashkët shtetërore. Ndërsa, si përgjigje ndaj Planit të BE-së për Ekonomi dhe Investime për Ballkanin Perëndimor, do të vendosen prioritetet afatgjate shtetërore për zhvillim, për dekadën e ardhshme ashtu që përkrahja e ofruar nga partnerët zhvillimorë do të harmonizohet me nevojat e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, ka shtuar se me një vullnet të kufizuar politik vendeve të Ballkanit do t’u duhen 25 vjet për t’u bërë anëtare të BE-së, ndërsa me një vullnet serioz, mund të bëhen anëtare deri në vitin 2030.
“Nëse kisha zgjedhur një mesazh nga ky studim atëherë do ishte ky: sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian dhe metodologjisë së kuantifikimit që ne kemi përdorur vendeve të Ballkanit do ju duhen 25 vite që së bashku të bëhen të gatshme për anëtarësim në BE. Tani kjo mund të duket një vlerësim pesimist. Por konsideroj së në këtë konkluzion ka vend për optimizëm. Nëse me një vullnet shumë të kufizuar politik na duhen 25 vite për tu bërë anëtar të BE-së, kjo i bie që me një vullnet serioz politik vendet e Ballkanit mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2030. Me fjalë të tjera – çdo gjë varet nga ne”, tha Shasha. .

Ata që humbën vendet e punës në pandemi s’do të ndihmohen nga shteti deri në vitin e ardhshëm

Qytetarët që janë larguar nga puna e tyre si pasojë e pandemisë së koronavirusit nuk do të ndihmohen nga shteti deri në vitin e ardhshëm.
Kjo kategori është paraparë që nga Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të përfitojë për periudhën tetor deri dhjetor nga 300 euro për muaj. Sipas nenit 12 të këtij ligji “Pagat e punëtorëve në sektorin privat” është paraparë të paguhen nga buxheti i shtetit për periudhën tetor-dhjetor 2020, për ata të cilët si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se kjo kategori dhe disa të tjerë s’do të mund të përfitojnë nga ligji pa u miratuar Ligji për Buxhetin e vitit 2021.
“Shumë mediume dhe qytetar këto ditë po më shkruajnë e po pyesin se kur do të filloj ekzekutimi i pagesave prej 300 eurove për ata që kanë humbur vendet e punës dhe po ashtu kur do të filloj implementimi i mbështetjes për biznese duke u mbështetur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike (LRE). Në pamundësi të përgjigjeve individuale po iu njoftoj se disa nene të LRE mund të fillojnë të zbatohen këtë vit siç është rasti me tërheqjen e mjeteve të trustit, ose edhe nene tjera që nuk kërkojnë miratimin e Ligjit për buxhet për vitin 2021. Por disa nene të LRE nuk mund të zbatohen pa kaluar Ligji i buxhetit për vitin 2021 sepse kërkojnë që për implementimin e tyre të ketë ndarje buxhetore, të përcaktohet Institucioni që do të implementojë këto nene, të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit të përfituesve. Kjo nënkupton që pagesat për ata që kanë humbur vendet e punës dhe mbështetja në vazhdim për biznese janë të lidhura me aprovimin e Ligjit të buxhetit për vitin 2021”, ka shkruar ai në Facebook.
Bazuar në ligjet aktuale, në Kosovë ekziston afati për miratim të këtij ligji deri më 31 mars të vitit 2021.
Ligji për rimëkëmbje më së shumti është përfolur për nenin që ua mundëson qytetarëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve në Trustin pensional. Nga kjo kategori, ata që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust, do të rimbursehen më vonë nga shteti.

Moti
Të premten parashikohet mot pjeserisht i vranet , temperaturat do të levizin nga 4 deri 7 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 7-14 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 45004. Të Shëruar:31802. Të vdekur: 1161.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

***AKR-ja mbështet rrëzimin e Qeverisë Hoti***Sandër Lleshaj ka bërë deklarimin e parë pas dorëzimit të dorëheqjes nga pozita e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.***13 të vdekur, 761 të shëruar e 562 raste të reja me Covid.***Eurodeputeti austriak Vilimsky e quan Kosovën shtet të dështuar e mafioz*** Ambasadori gjerman: E ardhmja e Kosovës është në BE.***Ata që humbën vendet e punës në pandemi s’do të ndihmohen nga shteti deri në vitin e ardhshëm.***Moti: Të premten parashikohet mot pjeserisht i vranet , temperaturat do të levizin nga 4 deri 7 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 7-14 gradë celcius.***COVID-19 NË KOSOVË:Total raste: 45004. Të Shëruar: 31802. Të vdekur: 1161.***www.rtvarberia.com.***Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *