Pre. Nën 15th, 2024

Instituti për Politika Sociale e quan seksiste gjuhën e Besnik Bislimit ndaj deputetes Musliu-Shoshi

Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi në një ballafaqim të sotëm në seancë parlamentare me deputeten e PDK-së Ariana Musliu Shoshi, përdori gjuhë seksiste e të papranueshme për Kuvendin, por edhe opinionin e gjerë. Ai i tha deputetes: “Po ashtu është i pakuptimtë epshi i juaj për me marrë vëmendje publike”, thuhet në reagimin e Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Reagimi i plotë:

“Një gjuhë e tillë përveç se mbulon mungesën e argumenteve, ravijëzon një pasqyrë jashtëzakonisht problematike për gratë e angazhuara politikisht. Bislimi duket ta ketë përdorur këtë terminologji duke e përkthyer termin “attention whore” nga anglishtja. Pra “kurvë vëmendjeje”. Theksi këtu duhet vënë te termi kurvë. Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala epsh ka konotacion ekskluzivisht seksual”.

Sipas përkufizimit epshi është “Dëshirë e madhe për të plotësuar kënaqësitë trupore, zjarr i madh i mishit e i gjakut.” Rrjedhimisht askush nuk mund të ketë epsh për angazhim në politikë apo edhe për vëmendje, përveç për plotësimin e kënaqësive trupore seksualisht.

Ndërlidhja e angazhimit politik të një gruaje me fjalën epsh është denigrim i gruas në publik, dhe investon në paragjykimet tashmë ekzistuese patriarkale kulturore të shoqërisë sonë. Gruaja e angazhuar publikisht shihet me dyshim. Gati se si e përdalë. Kështu po e shihka edhe Besnik Bislimi. Ta mendosh se ky është zëvendës kryeministër i Qeverisë së Republikës. Ta mendosh se kjo është e deklaruar si Qeveri progresive që vjen nga një parti deklarativisht socialdemokrate (që si për ironi sapo kanë përfunduar aktivitetet tradicionale “Marsi sjell pranverën GRATË BARAZINË”). Ta mendosh që z. Bislimi është pedagog, pra që do të duhej të shpërndajë dije tek studentët.

Instituti Musine Kokalari i kërkon zëvendës kryeministrit të tërhiqet menjëherë nga këto sulme e ofendime me bazë gjinore. Kërkojmë nga qeveria e Kryeministri që po ashtu të tërhiqen nga kjo gjuhë seksiste. Kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që të jetë më i vendosur në dënimin e përdorimit të gjuhës së tillë në seancat e Kuvendit. Një prej çështjeve shqetësuese në Kosovë që po zë vend edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovës është rritja e dhunës ndaj gruas. Edhe përdorimi i kësaj gjuhe klasifikohet si dhunë ndaj gruas. Prandaj ndaluni!

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *