Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E MARTË 15.12.2020

Koalicioni i “frikës” – profesori zbulon detaje nga marrëveshja Osmani – Kurti

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar se është duke biseduar me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të lidhur koalicion për zgjedhjet e reja paralamentare.
Osmani deklaroi se është koha t’i bashkojnë forcat, jo veç si politikanë, por siç thotë ajo edhe për të mirën e qytetarëve.
“Jemi në proces të diskutimeve me z. Kurtin për bashkëpunimin, dhe nuk do të ishte e drejtë që të flasë pa pasur një marrëveshje finale”, potencoi Osmani.
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, gjatë një prononcimi në “Bota sot” ka komentuar fillimin e marrëveshjes së Vjosa Osmanit me Albin Kurtit për një koalicion të mundshëm.
Mehazi e cilësoi vendimin e Osmanit të logjikshëm dhe arsyeshëm, pasi ka të bëjë me përballje me kundërshtarë të ashpër dhe dinak si LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja.
“Deklarata e Vjosa Osmanit për një marrëveshje koalicionuese me LVV-në është e logjikshme, e arsyeshme, po edhe mjaft strategjike për t’u bërë së bashku me Albinin më të fortë para përballjeve zgjedhore me kundërshtarë mjaft të ashpër e dinakë politike, siç janë LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja”, theksoi Mehazi.
Profesori tha se Osmanin e bën të dobët kandidimi i vetëm në zgjedhjet qëndrore, prandaj po ndihmën po e kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti.
“Normale, se kandidimi i vetmuar Vjosa Osmanit e bën më të dobët kundër partive me përvoja të mëdha garash zgjedhore e me fuqi financiare e kriminele. Këtë ndihmë ajo e kërkon nga LVV-ja e Albin Kurtit. Zonja Vjosa Osmani jo se ju frikësohet përballjeve zgjedhore, por është e vetëdijshme se makinerite lëvizëse zgjedhore të partive me stazhe dekadash zgjedhore do mundohen si e qysh ta dobësojnë e largojnë nga skena politike Vjosën, sidomos ish-partia e saj e LDK-së që tani ka nis një fushatë agresive ndaj saj.”, nënvizoi Mehazi, përcjell “Bota sot”.
Në vazhdim, profesori Mehazi e vëri në dyshim bashkëpunimin e Osmanit me VV-në, për shkak se mund të ketë probleme me principet titanike të Albinit, i cili në çdo zgjedhje ka dal pa koalicione me partitë të tjera.
“Mirëpo, problemi i bashkëpunimit të Vjosës me LVV-në nuk do jetë aq i lehtë, po mjaf i rëndë pasi dihen principet titanike të Albinit i cili deri më tani në çdo cikël zgjedhor ka dalë pa koalicione e marreveshje me partitë tjera, kështu që Albini më mirë e pranon Vjosën në partinë e vet të LVV-së sesa me listën e partisë së Vjosa Osmani”,tha Mehazi.
Por, me gjithë këto që profesori i potencoi, prapë mendon se vetëm Albin Kurti mund ta ndihmoj Vjosa Osmani . Kjo, pasi Vjosa u prish me LDK-në për të i dal zot Albinit gjatë mocionit të qeverisë së tij.
“Pra, ai që mund t’i ndihmonte Vjosës së vetmuar gjatë zgjedhjeve të ardhshme është vetëm Albin Kurti e askush tjetër, këtë ndihmë apo borxh politik pa hamendje duhet t’ia afrojë Albin Kurti për shkak se dhe Vjosa u prish me LDK-në e saj duke i dalë zot Albin Kurtit gjatë mocionit kundër qeverisë së tij”, përfundoi Mehazi..

Kosnett dhe Tan kërkojnë që kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë, pavarësisht kombësisë

Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori Philip Kosnett, janë takuar të hënën me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj.
Siç njofton sot kumtesa nga ambasada amerikane, të dy ambasadorët ritheksuan zotimin e Shteteve të Bashkuara për të sjellë të gjithë kriminelët e luftës para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre.
Ambasadori Kosnett tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”. Ndërsa ambasadori Tan foli lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet PSRK në përmbushjen e këtyre çështjeve të rëndësishme.
“Gjatë takimit, prokuroria kishte mundësinë t’u drejtohej ambasadorëve dhe t’i njoftoj me disa nga sfidat me të cilat përballen; Kryeprokurori i Shtetit Lumezi i informoi ambasadorët se për derisa zyra e tij kishte ndërmarrë hapa thelbësorë, PSRK trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga EULEX dhe u deshën më shumë resurse për të lëvizur para. Shefi Isufaj informoi grupin se mungesa e koordinimit me Serbinë dhe paaftësia për t’iu bashkuar INTERPOL-it dhe grupeve tjera ndërkombëtare, paraqitën pengesë në punën e tyre. Në fund, zëvendës-shefi Valdet Gashi foli për 19 aktakuzat që zyra e tij kishte ngritur që nga viti 2018, dhe një rast i cili arriti deri në gjykimin përfundimtar”, theksohet në njoftim.
Zyra e Drejtësisë Penale Globale dhe ambasada amerikane u zotuan për mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës..

17 të vdekur 482 të shëruar e 294 raste të reja me koronavirus në Kosovë,

17 persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërkaq janë regjistruar 294 raste të infektimit. Këto rezultate kanë dalë nga 1.035 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Brenda 24 orëve janë raportuar 17 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 4 raste (87, 86, 71, 61 vjeç), Gjilan 3 raste (66, 66, 61 vjeç), Gjakovë 2 raste (72, 72 vjeç), Rahovec 2 rast (72, 71 vjeç), Istog 1 rast (72 vjeç), Lipjan 1 rast (64 vjeç), Podujevë 1 rast (68 vjeç), Prizren 1 rast (64 vjeç), Suharekë 1 rast (82 vjeç), Vushtrri 1 rast (70 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 47.203 raste nga 165.583 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.220 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 482 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 34.637 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.346.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 149 raste, Pejë 20 raste, Drenas 19 raste, Podujevë 17 raste, Gjakovë 16 raste, Lipjan 16 raste, Mitrovicë 15 raste, Ferizaj 11 raste, Fushë-Kosovë 11 raste, Obiliq 8 raste, Istog 6 raste, Klinë 5 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Vushtrri 5 raste, Gjilan 4 raste, Prizren 4 raste, Suharekë 4 raste, Deçan 3 raste, Dragash 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Graçanicë dhe Skenderaj..

Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigjet Kushtetueses për Etem Arifin.

Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në seancën ku Avdullah Hoti u emërua kryeministër i Kosovës. Këto përgjigjje së bashku me parashtresat e palëve do të trajtohen. Ajo që mbetet, sipas GJK-së është që ditëve në vijim të thirret seanca ku merret vendimi përfundimtar nga gjykatësit.
Kanë kaluar gati dy javë prej kur Gjykatësit e Kushtetueses në një seancë publike kanë diskutuar për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.
Pavarësisht se verdikti u prit të publikohej më shpejt, një gjë e tillë nuk ndodhi në javën që e lamë pas.
Në Gjykatën Kushtetuese, nga zyra për media i kanë thënë medias se seanca ku do të shqyrtohet kjo lëndë do të mbahet ditëve në vijim.
Fillimisht, sipas këtij institucioni janë duke u trajtuar parashtresat që palët i kanë dorëzuar pas përfundimit të seancës së mbajtur me 2 dhjetor.
Në Kushtetuese kanë bërë të ditur se tashmë kanë pranuar edhe përgjigjet e Komisionit të Venecias për këtë temë.
“Seanca për shqyrtimin e kësaj lënde do të mbahet ditëve në vijim, pasi që Gjykata të trajtojë parashtresat shtesë që palët e përfshira në rast i kanë dorëzuar në formë të shkruar pas përfundimit të seancës dëgjimore të mbajtur më 2 dhjetor 2020 dhe pasi që të shqyrtohen të gjitha përgjigjet e pranuara nga Forumi i Komisionit të Venecias përkitazi me këtë çështje”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese.
“Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigje.
Në seancën e 2 dhjetorit Qeverinë e ka përfaqësuar avokati Besnik Berisha, Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu, Kuvendin këshilltari i kryeparlamentares, Artan Murati si dhe ka pasur përfaqësues nga KQZ-ja e KGJK-ja.
Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.
Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend..
Presidenti i ri, s’ka datë për takimin e liderëve
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti as sot nuk ka dhënë datë për takimin e liderëve politikë lidhur me postin e presidentit.
Kreu i qeverisë tha se shefi i tij partiak, Isa Mustafa është duke bërë përpjekje që zgjidhja të gjendet në tavolinë.
“Jemi duke bërë përpjekje, pa paragjykuar asnjë datë, disa prej partive politike kanë dhënë qëndrimet. Ne jemi duke angazhuar, vetëm në tavolinë të gjendet zgjidhja”, tha ai.
Kreu i qeverisë foli edhe për arrestimin në Podujevë të dy qytetarëve që janë arrestuar nga policia kufitare serbe.
“Zyra ndërlidhëse në Beograd është duke u marrë me këtë çështje”, tha ai.

Moti
Të mëkuren parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 0 deri 9 gradë Celsius. Mot me diell ne Tiranë, me temperatura nga 7-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 47203. Të Shëruar: 34637. Të vdekur: 1220.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *