Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, këmbëngul se zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill duhet të shtyhen.
Sipas tij, ky skenar është në dobi të Kosovës, në të kundërtën mbajtja e tyre, siç thotë Haradinaj, është humbje për vendin. Ai thotë se me mbajtjen eventuale rrezikohet edhe më tej policët që operojnë në veri.
Ish-kryeministri i Kosovës, mes tjerash thotë për KosovaPress se, duhet të tregohet mençuri dhe që proceset që i bëjnë dëm Kosovës të ndalen me kohë.
“Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet”, thekoi Haradinaj.
Haradinaj thotë se fakti se zgjedhjet mbahen qendra jo të rregullta e të zakonshme votimi, e vështirëson pjesëmarrjen e qytetarëve për të votuar, derisa shton se në këtë formë rrezikohet edhe siguria e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Haradinaj konsideron se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, është i gabuar për vendin.
“Duhet të kthehet një diskutim serioz me aleatët tonë, pra me Amerikën, aleatet tjerë të QUINT-it dhe të gjendet formula që të gjithë të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe të gjitha partitë politike në veri”, thotë mes tjerash Haradinaj.
Mes tjerash, Haradinaj thotë se agjenda e Serbisë për të qenë kundër Kosovës do të vazhdojë çdoherë, porse sipas tij, e rëndësishme është që për veriun te ketë koordinim me ndërkombëtarët.
Zgjedhjet në katër komunat veriore u shpallën pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Fillimisht ishin parashikuar që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill edhe për shkak të situatës së tensionuar dhe barrikadave që i ngritën nga grupe të dyshuara kriminale./KP