Hën. Nën 25th, 2024

Padia për gjenocid ndaj Serbisë – Institutit i duhen 50 punëtorë, të krijohet një data-bazë elektronike

Mbledhja e fakteve për një padi ndaj gjenocidit serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë mbetet sfidë e institucioneve, pasi shumë dëshmi janë zhdukur e shumë dëshmitarë kanë vdekur.

Njohësit e kësaj çështjeje po theksojnë se rifunksionalizimi i Institutit për krime lufte duhet të ndodhë sa më shpejt e të punësohen 50 persona që do të dilnin në terren.

Amer Alija, tha se mbledhja e fakteve 24 vjet pas luftës është e vonë, ngase kjo punë është dashur që të kryhet menjëherë pas përfundimit të luftës.

“Po ne qysh e dimë Instituti për Krime të luftës, pranë Ministrisë së Drejtësisë edhe më herët ka qenë në funksion, por para disa viteve ky institut është mbyllur, tanimë me ardhjen e Qeverisë së re në pushtet, kemi pasur paralajmërime dhe tanimë kemi ndryshime ligjore, të cilët po planifikojnë që së shpejti ta hapin këtë Institut për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë”.

“Tani se sa kohë do t’i duhet që t’i dokumentojnë të gjitha krimet e luftës, duke pasur parasysh që janë ta themi pak me vonesë, 24 vite, këto punë është dashur që të dokumentohen dhe faktet të mblidhen menjëherë pas përfundimit të luftës”, tha Alija për EO.

Alija tha se qëllimi primar i Institutit do të duhej të jetë dokumentimi i të gjitha provave dhe krijimi i një data-baze elektronike për to.

“…ky Institut duhet të mendojë edhe për krijimin e një data baze elektronike, e cila do të shërbejë që t’i ndërlidhë të gjitha provat të cilat ata do t’i dokumentojnë, të cilat duhet të ndërlidhen me vendin e krimit, me personat të cilët janë vrarë, me personat të cilat i kanë bërë këto krime e tjera, vetëm në mënyrë digjitale mund të bëhet një rregullim i të gjitha provave, se vetëm dokumentimi në formë fizike, ka me qenë problem për funksionimin e këtij instituti”, tha Alija.

Ndonëse thotë se ekziston një iniciativë e Qeverisë për padi për gjenocid ndaj Serbisë, pengesë është mosanëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Po ne po ashtu e kemi pasur edhe një iniciative apo një paralajmërim të kësaj Qeverie, se një prej iniciativave ka qenë edhe padia kundër Serbisë, tanimë ne e dimë që për parashtrimin apo për inicimin e një padie të tillë, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne si shtet kemi pengesa formale për arsye se Kosova nuk është pjesë anëtare, apo shtet anëtar në OKB, dhe vetëm shtetet anëtare të OKB-së mund t’i iniciojnë rastet pranë kësaj gjykate. Këto prova të cilat do t’i tubon instituti do të përdoren edhe si prova të cilat do t’i bashkëngjiten padisë për gjenocid kundër Serbisë”, tha Alija.

Ndërkaq historiani, Shkodran Imeraj tha se mbyllja e Institutit ka qenë gabim. Ai madje thotë se do të duhet që të punësohen 50 persona që të mbledhin dëshmi që të përgatitet padie e përgjithshme ndaj Serbisë.

“Gabimi kryesor ka qenë që ish Qeveria Haradinaj e mbylli Institutin për Krimet e Luftës dhe tashmë ne kemi një përpjekje 2 vjeçare nga Qeveria aktuale që të rithemelojë Institutin për krime të luftës dhe konsideroj që Instituti për krimet e luftës duhet të ketë një staf së paku prej 50 punëtorëve dhe të gjithë të dalin në terren dhe t’i mbledhin edhe këto pak dëshmi dhe argumente që kanë mbetur për të përgatitur do të thoja atë padinë e përgjithshme që shteti ynë duhet ta bëjë kundër Serbisë”.

Imeraj, tha se KMDLNj menjëherë pas luftës ka intervistuar persona që kanë përjetuar masakra, por edhe studiues e organizata.

“Përveç Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i cili menjëherë pas luftës ka intervistuar njerëzit ose personat që kanë përjetuar masakrat, unë kam pas fatin që personalisht t’i udhëheqë studimet në dy masakra, domethënë në dy lokalitete, në Lybeniq dhe në Pastaselë të Rahovecit, për shembull Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Pejë ka bërë një punë shumë të mirë, i cili ka intervistuar të gjithë dëshmitarët që kanë përjetuar masakrat gjithandej rajonit të Pejës, po ashtu kemi edhe në Prizren ka Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cili i ka mbledhë gjithandej Kosovës”, tha Imeraj.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *