Parlamenti Evropian ka votua sot pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Me shumicë votash, evropianët i kanë dhënë dritën jeshile kosovarëve për të udhëtuar në zonën Shengen.
Ndërsa, një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.
Tashmë, është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024. Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.
Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Në fakt, Parlamenti Evropian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka qortuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për, siç është thënë, vonesa të panevojshme në këtë proces.