Hën. Nën 25th, 2024

Zgjedhjet e së dielës pa pengesa, QUINT dhe Qeveria japin ‘dritën jeshile’

Kjo e diele, 23 prilli, do ta gjejë Kosovën me zgjedhje lokale në katër komunat veriore. Këto zgjedhjet vijnë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto zgjedhje kanë marrë ‘aminin’ e ndërkombëtarëve, ndonëse partia kryesore serbe – Lista Srpska ka bojkotuar ato.

Indeksonline ka marrë një përgjigje zyrtare të QUINT-it, referuar një komunikate të mbajtur rreth zgjedhjeve të planifikuara më 23 Prill 2023.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara pranojnë se, pas shtyrjes së zgjedhjeve komunale në dhjetor 2022, katër zgjedhje për kryetar bashkie dhe dy zgjedhje për asamble komunale do të zhvillohen më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat ligjore.

Na vjen keq që Lista Srpska nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Është thelbësore të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti, deklaroi dje se nuk ka informacione se po përgatiten pengesa për zgjedhjet.

Ai tha se Beogradi zyrtar, përmes mediave, po “frikëson qytetarët serbë” që jetojnë në veri të Kosovës.

“Unë i ftoj që të gjithë këta që kanë të drejtë vote që të dalin dhe të votojnë. E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveç frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk mund të tolerohet më një shtyrje e zgjedhjeve.

“E dimë që kemi nevojë për legjitimitet dhe legalitet. E dimë që mund të mos jetë shumë e lartë pjesëmarrja në zgjedhje, ndonëse dëshirojmë pjesëmarrje sa më të lartë. Mirëpo, nuk mund të tolerojmë që edhe më tej të shtyhen zgjedhjet, sepse kjo u bë më 10 dhjetor të vitit të kaluar, dhe nuk mund të tolerojmë që të ketë edhe vakum institucional”.

Kujtojmë se në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Vlen të theksohet se qytetarët në 4 komunat në veri të Kosovës do të votojnë në 19 qendra të votimit. Prej tyre, 13 do të jenë alternative apo në kontejnerë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *