Sht. Nën 16th, 2024

Von Cramon: U përpoqa të kontaktoj me njerëz të caktuar në Beograd për zgjedhjet e 23 prillit, gabim bojkoti nga Lista Serbe

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka vlerësuar gabim të madh bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri nga ana e Listës Serbe, por ka thënë se nuk pret që e diela të sjellë tensione në veri të vendit.

Duke folur rreth kësaj çështje, Von Cramon ka shprehur keqardhje për bojkotin e këtyre zgjedhjeve nga ana e Listës Serbe.

“Bojkoti ka ndodhur tashmë, besoj për shkak të vendimit të Beogradit. Lista Serbe nuk është regjistruar të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e konsideroj gabim të madh. E kam kritikuar hapur një vendim të tillë dhe jam përpjekur të kontaktoj me njerëz të caktuar në Begorad. Ky do të duhej të kishte qenë sinjal i mirë që të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të ishin regjistruar dhe njerëzit në veri ngadalë të ktheheshin në institucione. Këto zgjedhje do të duhej të ishin një test në këtë drejtim. Shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk është regjistruar dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe realisht ky nuk është sinjal premtues”, ka thënë Von Cramon.

Ajo tutje ka thënë se “nëse njerëzit i bojkotojnë zgjedhjet nuk do të thotë detyrimisht të ketë përshkallëzim’.

“Shpresoj që njerëzit atje të jenë të kujdesshëm. Nëse nuk dalin në zgjedhje është vendim i tyre, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë synim për ta përshkallëzuar situatën. Do të doja të shihja një shkallë të lartë të daljes në zgjedhje, por siç e thashë pala kryesore ka vendosur që të mos dalë në zgjedhje dhe ky është një problem. Sidoqoftë, secili qytetar jo vetëm që është i mirëpritur të dalë në zgjedhje por edhe i kërkoj që të veproj në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka nënvizuar Von Cramon.

Von Cramon: Liberalizimi i vizave, hap drejt eurointegrimit të Kosovës

Von Cramon ka thënë se me nënshkrimin e sotëm të aktit ligjor në Strasburg nga Këshilli i Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën kjo çështje ka përfunduar dhe qytetarët e Kosovës që nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të lëvizin lirshëm.

Ajo ka thënë se nuk pret që të ketë më vonesa në këtë drejtim. “Me nënshkrimin e sotëm të Këshillit të BE-së është fundi i këtij procesi. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë gjë që do ta zhvlerësonte apo vononte lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

“Më 1 janar do të jetë data kur qytetarët do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Nuk e di se sa i kondisderueshëm ka qenë kontributi im, do të kisha dashur të bëja këtë punë shumë më parë, por nuk është varur vetëm nga unë. Por, tashmë kjo punë është kryer dhe për 8 ose 9 muaj qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë lirinë e re dhe mundësinë për të ecur drejt BE-së”, ka shtuar Van Cramon.

Ajo ka thënë se procesi i liberalizimit është hap drejt eurointegrimit, derisa ka shprehur shpresën që Kosova së shpejti t’i gëzohet edhe sukseseve tjera drejt integrimit evropian.

”Shpresoj që së shpejti të shohim Kosovën edhe si pjesë të Këshillit të Evropës. Pra, aplikimi është pranuar dhe këtë duhet ta vendosim në rend të ditës. Kjo ka qenë një ndër pikat që është përmendur gjatë dialogut. Edhe pse janë çështje të ndara, me fleksibilitetin në dialog kjo do të diuhej të ishte hapi vijues, derisa më pas edhe aplikimi për anëtarësim në BE, që normalisht merr kohën e saj”, ka nënvizuar ajo.

Sa i përket mundësisë së keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga qytetarët e Kosovës, siç ka ndodhur me qytetarët e disa vendeve të rajonit vite më parë kur është parë një migrim i hovshëm dhe i paligjshëm drejt shteteve të BE-së, Von Cramon ka thënë se nuk pret që një gabim të tillë ta përsërisin qytetarët e Kosovës.

”Kjo ka qenë në fakt arsyeja që disa shtete anëtare nuk kanë qenë pro liberalizimit sepse disa vende tjera të rajonit apo thënë më mirë qytetarët e tyre e kishin keqpërdorur liberalizimin, kishin kërkuar azil, pastaj i kanë keqpërdorur sistemet shëndetësor të disa shteteve dhe kjo ka shkaktuar një lloj nervoze dhe disa qeveri të shteteve anëtare të BE-së me të drejtë kanë qenë skeptike. Nuk besoj se Kosova ka nevojë ta përsërisë këtë gabim. Ju e keni një diasporë të madhe në Zvicër, Gjermani, Austri e shtete tjera dhe është absolutisht legjitime që te vizitohen familjarët në ato vende. Nëse ndodh ndonjë gjë atje, sistemi i BE-së do t’iu ofrojë zgjidhje të mundshme. Por është e qartë se nuk mund të punosh atje, pa pasur një vizë pune apo kontratë pune. Pra duhet të kesh vendbanimin e përhershëm atje për të pasur këtë mundësi dhe kjo nuk është pjesë e liberalizimit të vizave”, është shprehur Van Cramon.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *