Die. Nën 24th, 2024

Hartimi i Asociacionit në duar të deputetes së Vuçiqit, Kurti e sheh draftin më 2 maj

Ekipi Menaxhues, që kryesohet nga një deputete e Serbisë, do ta dorëzojë draftin e Statutit të Asociacionit me 2 maj, në takimin që pritet të mbahet mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel. Pushteti në Kosovë duket i pakënaqur nga përbërja e Ekipit, që, formalisht, buron nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administrimit Lokal. Shqetësimin me qeveritarët nuk e ndajnë ndërkombëtarët, të cilët e presin draftin që e dorëzon Ekipi Menaxhues.

Ekipi Menaxhues, që mendohet ta shkruajë një draft-Statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të ketë rol të rëndësishëm për takimin e 2 majit, që pritet të mbahet mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ky ekip, pothuajse krejt anonim, do ta prezantojë draft-Statutin e parë zyrtarë në takimin e radhës në Bruksel, sipas një njoftimi që ka bërë të dielën mbrëma Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

“Agjenda [e takimit] do ta përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për të pagjeturit, prezantimin e draft-Statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga Ekipi Menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të mirëpërgatitura dhe plotësisht të përkushtuara për fazën e implementimit”, ka shkruar ai.

Për draftin e statutit të Asociacionit, i cili më pas do të jetë subjekt i negociatave Kosovë -Serbi, ka folur edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili pret që ky dokument t’i dorëzohet dy liderëve dhe ndërmjetësve.

Kryeministri Kurti është deklaruar gati që sot për takimin e 2 majit. Edhe ai thotë se duhet të zbatohet marrëveshja e Brukselit, e tëra.

“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe në plotëni”, tha ai.

Ekipit Menaxhues, që do ta hartojë draft-Statutin e parë të Asociacionit, nuk i dihet përmbajtja. Edhe më tutje, askush nuk e tregon profilin e të gjitha hartuesve të atij dokumenti.

Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka zbuluar vetëm kryesuesen e Ekipit, Danijela Vujiçiq, e cila është deputete në Kuvendin e Serbisë, nga radhët e partisë së Vuçiqit, SNS-së. Ajo është nga Mitrovica e Veriut.

Bislimi dukej i pakënaqur që Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë shkruhet nga ekipi i udhëhequr nga një deputete e Serbisë.

“Janë katër persona. Janë serbë. Daniela Vujiciq është kryesuese. Dy prej tyre janë që nga viti 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime”, ka thënë Bislimi në fillim të prillit, duke shtuar tutje se “Udhëheqësja e Ekipit Menaxhues është një deputete e Serbisë, që në fakt, nga Kuvendi i Serbisë, ajo e bën një draft-statut për Kosovën”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, javën e kaluar ka thënë se nëse Ekipi Menaxhues ofron një draft-statut që i përshtatet Serbisë, atëherë ai duhet të shkarkohet. Konjufca nuk ka shumë shpresë që Ekipi do të bëjë punë të mirë, duke gjykuar nga përbërja e tij.

“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një ekip i menaxhimit i cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca.

Vetë Kryeministri Kurti nuk ka folur javët e fundit për Ekipin Menaxhues. Kur e ka përmendur për herë të fundit në një intervistë pas Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri ka thënë se nuk e dinte nga kush saktësisht është pjesë e ekipit. Megjithatë, ai tha se Ekipin Menaxhues e përbënin dy serbë të veriut, dy serbë të jugut, shefi i OSBE-së dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Pra, këta gjashtë veta, janë, nëse s’gaboj, dy serbë nga veriu, dy serbë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së 2015-s [për themelimin e Asociacionit], ky ekip menaxhues do të duhej ta draftojë statutin e Asociacionit. Tash, unë nuk e di saktësisht kush është në përbërjen e asaj, por, edhe njëherë po e theksojë, është evidente që është mirë të dihet statusi i atij Ekipi Menaxhues dhe këtë ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”, tha Kurti.

Por, Misioni i OSBE-së në një përgjigje për Gazetën Express kanë deklaruar se asnjë përfaqësues i këtij misioni nuk është pjesë e ekipit dhe s’kanë marrë pjesë në ndonjë diskutim për hartimin e një Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjithashtu kanë thënë se s’kanë pasur ndonjë ftesë për të diskutuar rreth hartimit të ndonjë statuti për Asociacionin pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër.

Më 2 maj pritet të shihet se çfarë do të ndodhë më draftin e hartuar nga Ekipi Menaxhues – gjithmonë nëse takimi nuk dështon. Presidenti serb sot ka dhënë shenja se edhe mund të mos shkojë në takim.

“Nuk kam marrë vendim nëse do të shkoj në Bruksel më 2 maj”. “Ne presim që ekipi drejtues serb të prezantojë planin”, tha Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar herën e fundit në Ohër, ku është arritur dakordimi për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e raporteve, e cila u pranua më 27 shkurt, në Bruksel.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *