Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar pas zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ajo përmes një deklarate lidhur me zgjedhjet komunale që u mbajtën më 23 prill në veri të Kosovës , thotë se zgjedhjet për kryetar komune dhe për asamble komunale që u mbajtën të dielën, më 23 prill, në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
“Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe dënon ashpër frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë për post apo të votojnë të dielën. Pas një shtyrjeje të zgjedhjeve, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë serbë të opozitës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet”, thuhet në deklaratën e saj.
Sipas saj vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës.
“Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. BE-ja do të punojë ngushtë me të gjitha palët relevante për të rivendosur sigurinë dhe jetën normale për të gjithë qytetarët në këto komuna. Kështu puna e EULEX-it, KFOR-it dhe PK-së doli të jetë e domosdoshme dhe i përgëzoj për angazhimin e tyre”, thuhet në deklaratën e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.