Sht. Nën 23rd, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 07.01.2021

Kurti: Këto zgjedhje janë referendum

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sot pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi.Ai në Facebook ka shkruar se pas shtatë muajve u dëshmua ajo që dihej nga fillimi.Sipas tij, “zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese”.Ai ka thënë se janë humbur shumë vite dhe jo vetëm muaj.“Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës”, ka shkruar ai.Kurti ka shkruar se “më 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë.

“S’e njoh Kosovën”, nga BE-ja flasin rreth deklaratës së Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në mënyrë të vazhdueshme është duke deklaruar se nuk do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës derisa të jetë i ulur në karrigen e të parit të shtetit serb.
Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka thënë se nuk është roli i Bashkimit Evropian që të komentojë secilën deklaratë të bërë nga politikanë apo zyrtarë apo të interpretojë deklarime të bëra në media.
“Ne jemi duke u fokusuar në punë konkrete për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura”, ka thënë Stano.
Ai tutje ka thënë se rruga drejt BE-së për Prishtinën dhe Beogradin kalon përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në fund Stano ka thënë se Lajçak është duke vazhduar kontaktet me partnerët në rajon, në BE dhe në botë për procesin e negociatave.
“Dialogu është duke vazhduar. Përfaqësuesi Special po vazhdon angazhimet e tij me partnerët në rajon, BE dhe ata ndërkombëtarë”, ka përfunduar Peter Stano.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “Vercenje Novosti” ka thënë sërish se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por ka potencuar se këtë garanci e jep deri në zgjedhjet e vitit 2022, të cilat i ka paralajmëruar që në ditën kur fitoi mandatin e ri, gjatë qershorit 2020.
Koha e vazhdimit të dialogut të Brukselit do të dihet qartë vetëm pas vendosjes së institucioneve të reja në Republikën e Kosovës që pritet të dalin pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021..

6 të vdekur, 601 të shëruar dhe 309 raste të reja me Covid

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.417 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 309 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Istog 2 raste (80, 66 vjeç), Ferizaj 1 rast (88 vjeç), Kamenicë 1 rast (58 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç), Prizren 1 rast (86 vjeç).Numri total i rasteve pozitive është 52.943 raste nga 192.296 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.363 raste të vdekjes.Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 601 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 44.436 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.144.Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 126 raste, Ferizaj 25 raste, Podujevë 19 raste, Vushtrri 19 raste, Mitrovicë 14 raste, Gjakovë 12 raste, Viti 11 raste, Malishevë 10 raste, Deçan 9 raste, Gjilan 7 raste, Pejë 7 raste, Prizren 7 raste, Fushë-Kosovë 5 raste, Istog 5 raste, Kaçanik 4 raste, Klinë 4 raste, Lipjan 4 raste, Suharekë 4 raste, Drenas 3 raste, Junik 3 raste, Obiliq 3 raste, Kamenicë 2 raste, Rahovec 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë dhe Skenderaj.Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!Mbani higjienën!Respektoni distancën.

Nisma nuk shuhet, të gatshëm për koalicion me PDK-në

Sami Lushtaku i PDK-së ka kërkuar nga Nisma që të shuhen në partinë e tij. Kjo ka qenë vetëm një kërkesë personale e Lushtakut, ndërsa ai pëlqen që Limaj dhe Nisma të garojnë me PDK-në në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate është përgjigjur ndaj kërkesës së Lushtakut.
Ai ka thënë se Nisma nuk ka gjasa të shuhet, por që janë të gatshëm të diskutojnë koalicionin e mundshëm me PDK-në.
“Nisma është parti politike dhe si e tillë nuk ka gjasa të shuhet. Si parti nuk kemi marrë asnjë vendim. Nëse ka ofertë për koalicion nga PDK-ja, jemi të gatshëm ta shqyrtojmë dhe mbase ka edhe vullnet për ta përkrahur”, ka thënë Endrit Shala.

Kongresi konfirmon Joe Biden si president të SHBA-së

Pas shpalljes zyrtare të fitores së Kolegjit Zgjedhor të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, Presidenti Trump tha se vendimi “përfaqëson fundin e mandatit të parë më të madh në historinë presidenciale”, shkruan CNN, përcjell Bota sot.
“Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve dhe faktet më nxjerrin jashtë, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 Janar,” tha Trump në një deklaratë.
Ai ka shtuar se ky është fillimi i luftës së tyre për ta bërë Amerikën të madhe përsëri.
“Unë gjithmonë kam thënë që ne do të vazhdonim luftën tonë për të siguruar që vetëm votat e ligjshme të numëroheshin. Ndërsa ky përfaqëson fundin e mandatit të parë më të madh në historinë presidenciale, është vetëm fillimi i luftës sonë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe”, tha Trump duke përsëritur pretendime të rreme në lidhje me zgjedhjet që nxitën një turmë për të sulmuar Kapitolin.
09:52 Numërimi i votave të Kolegjit Zgjedhor nga një seancë e përbashkët e Kongresit Amerikan ka konfirmuar demokratin, Joe Biden, si fituesin zyrtar të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.
Garda Kombëtare është mobilizuar për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.
Një grua që është plagosur gjatë dhunës në Kongres, ka vdekur. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga “urgjencat mjekësore”.
Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.
“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.
“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.

Lëvizja për Bashkim merr vendim: Nuk marrim pjesë në zgjedhje, LB është për ripërcaktim të kufijve

Lëvizja për Bashkim ka marrë vendim që mos të jetë pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Këtë e ka konfirmuar kreu i partisë, Valon Murati.
Në vendimin e LB-së thuhet se dallimet politike janë të mëdha dhe se nuk do të garojnë në zgjedhje, ani pse kishin oferta nga partitë e tjera.
Murati ka thënë se të gjitha partitë jane për status quo, ndërsa LB është për përcaktim te kufijve.
“LB nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Në koalicione nuk hyjmë përkundër ofertave që kemi pas. Dallimet politike janë të mëdha. Zgjidhja e probleme me Serbinë është qenësore për Kosovën. Të gjitha partitë e tjera janë për status quo apo asociacion. LB është për ripërcaktim të kufijve. Për shkak të mashtrimit të madh, populist që i kanë bërë popullit të gjitha partitë rreth kësaj çështjeje, konsiderojmë se është ngushtuar jashtëzakonisht shumë hapësira për të dal të suksesshëm në këto zgjedhje si të vetëm.
Kështu që qëndrimi i LB-së që të vazhdojë punën në forcimin e opsionit të saj për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb. Bindja jonë e palëkundshme është se kësaj ideje do t’i vije koha për shkak se nuk zgjidhje tjetër për problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë” ka thënë Valon Murati

Moti
Të premten parashikohet mot me shi, temperaturat do të levizin nga 1 deri 6 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 12-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 52943. Të Shëruar: 44436. Të vdekur: 1363.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *