Vetëm në vitin 2021 Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kishte kontraktuar afër gjashtë milion euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Zyra e Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e auditimit për kontratat me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe ka gjet parregullsi. ZKA ka nxjerrë konkluzionet se procesi i prokurimit ishte dokumentuar mjaftueshëm por në disa raste nuk është arritur vlera për para në projektet që janë kontraktuar sepse Ministria kishte paguar më shumë se 829,000 euro për disa nga projektet e saj për shkak të ri-projektimit pas kontraktimit.
“Ministria nuk ka arritur vlerën për para, së paku në njërin nga 13 projektet e ndërtimit të rrugëve që kemi audituar. Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria nuk i kishte marrë të gjitha veprimet për t’u siguruar se projektet e saj janë në përputhje me nevojat në terren. Për pasojë Ministria kishte ndryshuar projektin, ndryshim që i kishte kushtuar Ministrisë mbi 829,000 mijë euro”, thuhet në raportin e auditimit.
Gjatë vitit 2021 vlera e përgjithshme e kontratave që Ministria kishte lidhur ishte mbi 16 milion euro. Vlera e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë gjatë këtij viti arrin mbi 5,7 milion euro që përfaqëson afër 36% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga Ministria.
“Ne kemi audituar 13 kontrata, me vlerë të përbashkët mbi 4 milion euro, nga gjithsej 26 kontrata që Ministria i kishte negociuar gjatë vitit 2021. Kjo vlerë përbën 70% të vlerës së përgjithshme të kontratave të negociuara. Në këtë kapitull kemi paraqitur gjetjet në mënyrë kronologjike sipas veprimeve që Ministria është dashur t’i kryej për t’u siguruar se aktivitetet e saj rezultojnë me projekte pa të meta si në aspektin e cilësisë, sasisë dhe kohës”, thuhet në raport.
Gjetjet tjera nga auditori janë se ministria nuk kishte zhvilluar si duhet procedurat e prokurimit, kontrata aneks nuk i plotëson projektet tërësisht, Ministria nuk ka menaxhuar si duhet kontratat, kontratat për ndërtimin e rrugëve nuk janë zbatuar brenda afateve të përcaktuara, mangësitë në menaxhimin/mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.
“Kontratat aneks të lidhura nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ishin të mjaftueshme për të përfunduar projektet që i kishte filluar. Kostoja për 13 kontratat aneks që kemi audituar ishte mbi 4 milion euro, ndërsa vetëm për katër nga këto projekte, kostot shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milion euro.
Përveç kësaj kjo kosto nuk është definitive sepse edhe për një projekt tjetër tanimë është vlerësuar nevoja për ndryshime/punë shtesë por që deri më tani nuk është përllogaritur kostoja e mundshme. Duke pasur parasysh që kosto shtesë e tejkalon 10% të kontratës bazë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të duhej të zhvillonte procedurë të hapur të prokurimit, për secilin nga këto katër projekt, në vend të asaj të negociuar”, thuhet në raport.
https://zka-rks.org/wp-content/uploads/2023/05/Raporti_Audititmit_MMPHI-shqip.pdf