Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk pret marrëveshje me Serbinë, derisa ajo të jetë hegjemoniste dhe brenda koordinatave të kohës së kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Konjufca tha se qëndrimet e palëve për sa i përket çështjes së Asociacionit janë diametralisht të kundërta, teksa shtoi se ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizmi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, është shprehur Konjufca për KP.
Ai foli edhe për shkarkimin e ekipit menaxhues të cilët e kanë hartuar draft-statutin e Asociacionit që u prezantua në Bruksel, duke thënë se Kosova bëri “shumë mirë” që e shkarkoi atë ekip.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, tha ai.