Die. Nën 24th, 2024

Konjufca: Ta bëjmë diasporën komponentë vendimtare të zhvillimit ekonomik

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar lart rolin e diasporës në arritjet e popullit shqiptar përgjatë historisë.

Sot, në hapje të Konferencës “Diaspora flet”, në sallën plenare të Kuvendit, kryetari Konjufca tha se mërgata mbetet themeli i çdo të arriture të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës, me kontribut konstant nga Rilindja deri te organizmi i luftës sonë të lavdishme çlirimtare në krye me UÇK-në.

Kreu i Kuvendit shtroi nevojën që të dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova, të krijojnë mekanizmat e nevojshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës, si dhe për ta bërë diasporën komponentë vendimtare të zhvillimit ekonomik.

Kryetari Konjufca shtoi se nëse kontributi i diasporës ishte një kapitull, tani ka ardhur koha që të hapet kapitulli i dytë.

“Dimensioni i parë është krijimi i mekanizmave të fuqishëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës së popullit tonë në mërgatë dhe aspekti i dytë është si ta bëjmë mërgatën komponentë vendimtare ekonomike të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këto dyja janë dy portat kryesore të hapjes së kapitullit të dytë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Duke u ndalur te ruajtja dhe afirmimi i identitetit dhe vlerave kombëtare në mërgatë, veçanërisht te gjeneratat e reja, kreu i Kuvendit bëri thirrje për zhvillimin e mekanizmit të mbrojtjes të kulturës dhe gjuhës sonë.

“Edukimi dhe arsimi na e mundëson këtë, sepse fëmijët e mërgimtarëve të cilët janë të lindur dhe po rriten atje, dhe po ashtu janë të integruar shumë mirë në shoqëritë ku jetojnë, kanë mbi të gjithë nevojë për shkollën e cila organizohet drejtpërdrejt prej Republikës së Kosovës dhe e cila me keqardhje them, dhe pak që besa edhe me faj, nuk ka arritur të organizohet deri tash”, deklaroi kryetari Konjufca.

Duke u uruar bashkatdhetarëve punime të mbara të kësaj konference, kryetari Konjufca shtoi se Kosova dhe Kuvendi është shtëpia e diasporës.

Konferenca vijoi punimet me diskutime të pjesëmarrësve, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të organizatës GERMIN, Lirim Krasniqi.

Para bashkatdhetarëve një fjalë rasti mbajti edhe deputetja Mimoza Kusari Lila, njëherësh kryetare e GP të Vetëvendosjes, e cila po ashtu vuri në spikamë rolin e rëndësishëm që diaspora ka luajtur ndër dekada. Ndër të tjera, Kusari-Lila tha se Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të rregullojë edhe votimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë saj, ka unifikuar partitë politike dhe pritet të marrë mbështetjen e të gjitha partive në Kuvend.

Në emër të organizatorit, një fjalë hyrëse mbajti edhe Avni Mustafaj, bashkë-kryesues i Bordit të organizatës GERMIN.

Nga mesi i bashkatdhetarëve, nga foltorja e Kuvendit u adresuan përfaqësues nga shtete të ndryshme të Evropës.

Anila Hyka-Smorgrav nga Franca, bashkë-kryetare e bordit GERMIN, Rosario Petta, kryetar i Komunës së Horës së Arbëreshëve në Itali, Hilmi Gashi, pjesëtar i Diasporës në Zvicër, Vjollca Robelli, këngëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Muhamet Idrizi, pjesëtar i Diasporës në Gjermani dhe Nestor Dede, pjesëtar i Diasporës në Greqi, ndanë pikëpamjet e tyre përkitazi me zhvillimet aktuale në tërë hapësirën shqiptare dhe rolin e diasporës në proceset zhvillimore.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *