Die. Nën 24th, 2024

Lirimi me kusht – pak kërkesa të aprovuara, avokatët thotë se po u shkelen të drejtat të burgosurve

Lirimi me kusht është e drejtë e garantuar me Kushtetutë e ligjet në fuqi, por që duhet plotësuar një varg kërkesash.

Institucionet përgjegjëse këtë të drejtë po u’a mohojnë shumë personave, kjo në bazë të një raportit nga EULEX-i ku thuhet se në vitin 2021 kanë qenë mbi 700 kërkesa për lirim me kusht e vetëm 29 për qind e tyre janë aprovuar. Në raportin e EULEX-it po ashtu potencohet fakti se ankesat më të shpeshta të të burgosurve janë se vendimet po refuzohen pa arsye.

E ky numër i vogël i aprovimit nga njohës të fushës së drejtësisë po shihet si mos respektim i të drejtave të njeriut. Ata bëjnë thirrje që çdo kërkesë e të burgosurve për lirim me kusht duhet të trajtohet me kujdes dhe në raste kur ata kanë plotësuar kërkesat sipas ligjit nuk duhet të i’u mohohet kjo e drejtë.

Avokati Yll Zekaj tha se Instituti i lirimit me kusht është një institut shumë i rëndësishëm për risocializimin e personave të dënuar, që sipas tij, rregullohet me ligj.

“Instituti i lirimit më kusht është një institut shumë i rëndësishëm sidomos në risocializimin e personave të dënuar, për shkak se kjo tanimë rregullohet edhe me legjislacionin në fuqi, ku parashihet që në çdo rast kur për vepra penale të dënueshëm mbi pesë vite të dënuarit e fitojnë të drejtën e parashtrimit të kërkesës për lirim me kusht pas mbajtjes së dy të tretave të dënimit”.

“Kurse për vepra të dënuar me vepra nën pesë vite mbi gjysmën e dënimit, në çdo rast kur plotësohen kushtet për t’u parashtrua një kërkese për lirim me kusht duhet që sistemi i burgjeve në Kosovë të jetë i rregulluar në atë mënyrë që ta trajtoj secilën kërkese individuale të personave të burgosur me qëllim që të shohë nëse të njëjtit janë risocializuar dhe të njëjtit plotësojnë kushtet për tu trajtuar kërkesat e tyre nga paneli”, tha ai.

Zekaj tha se çdo kërkesë e personave të dënuar duhet të shikohet me kujdes nga ana e panelit për lirim në rastet kur ata plotësojnë kushtet që parashihen me ligj.

“Çdo kërkesë individuale e personave të burgosur duhet të shikohet me kujdes nga ana e panelit për lirimin me kusht, nëse të njëjtit kanë arritur qëllimin e dënimit dhe nëse të njëjtit mund të kthehen në shoqëri të risocializuar. Edhe në vendet bash kohore të botës ekziston ky institut i cili ka kryesisht dy qëllime, qëllimi i parë është qëllimi publik, të mos mbi popullohen burgjet me persona të dënuar dhe të kursehet paraja publike nëse është arritur qëllimi i dënimit”.

“Kushti i dytë që është kusht personal i cili i lejon të dënuarit që të parashtrojnë një kërkesë të tillë dhe të dalin më herët nga dënimi. Nuk bënë ti mohohet një e drejtë e tillë personave të burgosur dhe me çdo rast duhet të trajtohet më shumë kujdes kërkesat e tilla”, tha ai.

Zekaj tha se nga monitorimet që i janë bërë sistemit të burgjeve në Kosovë ka pasur shumë kritika në vlerësimin e risocializimit të personave të burgosur, sipas tij, nëse sistemi i lirimit me kusht nuk është i qasshëm për personat e burgosur atëherë atyre po u shkelen të drejtat.

“Në bazë të monitorimeve që i janë bërë sistemit të burgjeve në Kosovë ka pasur shumë kritika në vlerësimin e risocializimit të personave të burgosur, qoftë nga stafi i brendshëm, qoftë nga drejtorët e burgjeve për të ju ofruar mundësin që kërkesat e tyre pastaj të dalin edhe para panelit. Kjo është një shkelje e të drejtave të personave të burgosur për shkak se të gjithë të burgosurit duhet të kenë të qasshëm për ta parashtruar kërkesën dhe për t’i njohur procedurat e risocializimit me qëllim që të përfitojnë nga ky institut. Nëse ky sistem nuk është i qasshëm për personat e burgosur atëherë nuk ka interes te personat e burgosur të risocializohen gjatë këtij procesi të mbajtjes së dënimeve”, tha ai.

Avokati Arbër Jashari, tha se është një numër jashtëzakonisht i ulët i personave që i’u pranohet lirimi me kusht.

Sipas tij, ka një hezitim të panelit që të miratojë kërkesat, pasi mendojnë se mund të krijohet një përshtypje e keqe në opinionin publik.

“Është e vërtet që është një numër jashtëzakonisht i ulët, e konsideroj që paneli për lirim me kusht ka njëfarë hezitimi në miratimin e këtyre kërkesave dhe shpesh i refuzon ato pa ndonjë bazë të arsyeshme ligjore. Mendoj që kjo vjen për shkak një frike ose pa sigurie e njerëzve të panelit ose anëtareve se në rast se ndodh ndonjë lirim me kusht atëherë mund të krijoj një përshtypje të keqe në opinionin publik sikur të burgosurit po lirohen ose po amnistohen. Kjo është shumë e dëmshme për drejtësinë nga se lirimi me kushte është një e drejt ligjore dhe momentin që të burgosurit i plotësojnë kushtet të cilat i ka paraparë ligje kaloj pjesën e dënimit të cilën duhet ta mbajnë dhe kanë sjelle të mira, atëherë paneli nuk ka as një arsye ta refuzoj kërkesën për lirim me kusht”, tha ai.

Jashari tha se në vend janë duke u zbatuar shumë pak edhe lirim i parakohshëm edhe falja e të dënuarve që mund ta bëjë presidentja e vendit, meqë rast sipas tij, të burgosurve po u shkelen të drejtat që u ka garantuar ligji, raporton EO.

“Janë raste të rralla kur ndonjë të burgosuri edhe pse i ka plotësuar kushtet sipas ligjit të lirohet me kusht. E njëjta gjë është pothuaj se edhe për lirim të parakohshëm edhe falja që është një institucion që Kushtetuta ja ka besuar presidentit, të tri këto mekanizma që janë në favor të të burgosurve po zbatohen shumë pak nga institucionet dhe të burgosurve po u shkelen të drejtat që u ka garantuar ligji”, tha ai

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *