Kryetari i Zveçanit Ilir Peci po vazhdon që detyrën e tij, ta kryej nga zyra për komunitete në Fshatin Lipë të Zveçanit.
Peci i cili nuk po mund ta ushtroj funksionin e tij nga zyra në objektin e Komunës në Zveçan, si pasojë e gjendjes së tensionuar në veri dhe protestave të serbeve lokal atje, thotë se ai po vazhdon punën e tij, pavarësisht nga cila zyrë dhe se puna po shkon mirë.
“Kemi filluar punën nga e hëna këtu, me kabinet timin. Mirë po shkon puna për fillim”, tha Peci.
Peci në një intervistë për Indeksonline pohoi se punët po shkojnë sipas planifikimeve dhe se çdo gjë po shkon siç duhet.
“Deri më sot mirë. Çdo gjë deri më sot ka shkuar mirë, sipas planifikimeve tona. Tash e tutje të shohim”, tha ai.
Peci i cili të premten ishte në objektin komunal të Zveçanit, por u zhvendos nga atje pas tensionimit të situatës, thotë se këtë e bëri, pasi që kishte mospajtime nga serbet lokal, për zgjedhjen e tij.
” Kam qenë unë ditën e premte. Ka pas disa mospajtime kështu që nga e hëna kemi filluar këtu”, thotë Peci..
Ndërsa ka folur dhe për takimin me ambasadorin amerikan dhe këshillat e tij për ta, duke pohuar se çdo ditë është në kontakt dhe me ministrin e Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi.
” S’ka qenë si këshillë përfundimtare. Mirëpo unë zakonisht jam për çdo ditë në bisedime me ministrin e Pushtetit lokal dhe me të kemi biseduar se këtu të fillojmë, pastaj të shohim”, tha ai.
Ndërsa thekson se është në kontakt të vazhdueshëm dhe me dy kryetarët e rinj të zgjedhur të Komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit..
“Jemi, me do pak më tepër, me do pak më pak. Por zakonisht po, me kryetarët tjerë kemi kontakte”, tha ai.
Ndërsa thotë se në momentin që situata normalizohet, ai do të kthehet në zyrën e tij në objektin e Komunës.
“Në momentin që stabilizohet situata, ne do të shkojmë do të fillojmë aty nga ajo zyre. Të shohim ia lëmë kohës gjithçka”, pohoi Peci.
Peci nuk komenton një dorëheqje të mundshme, marrë parasysh daljes së vogël në zgjedhje. Thotë se nuk e ka menduar këtë dhe se e vetmja gjë që po mendon është që ta vazhdojë punën.
“Për momentin nuk kemi menduar atë. Derisa jemi dal me vota të qytetarëve tanë, ne vazhdojmë punën”, tha ai.
Ndërsa thekson se situata e krijuar në veri, nuk ka qenë krejt e papritur, pasi që kanë qenë të vetëdijshëm se në për cilat komuna po garojnë.
.”Pak e shumë po. Për arsye se e kemi ditë për ku jemi”, tha ai.